E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveri-Bashki, grup i ri pune për taksat vendore

Në fillim të muajit shtator pritet të ngrihen grupet e punës për rishikimin e sistemit të ri të taksave vendore. 

Fabiola Çela

 Sipas burimeve nga Ministria e Financës, në këto grupe do të marrin pjesë specialistë të bashkisë dhe të ministrisë. Pasi të përfundojë drafti me nivelin e ri të taksave vendore, do të kalojë për diskutim në komisionet parlamentare të kuvendit. Rritja e taksave vendore ka qenë propozim i pushtetit vendor. Sipas projektit të mëparshëm të gjithë qytetarët nuk do të paguanin më taksën e apartamentit të tyre në bazë të vitit të ndërtimit, por ajo do të paguhej në bazë të zonave. Por ky projekt u hodh poshtë nga deputetët e parlamentit.
Projekti 
Në projektin fillestar ishte parashikuar, që niveli i taksës së ndikimit në infrastrukturë të dyfishohej. Bëhet fjalë për taksën që paguajnë ndërtuesit e pallateve. Kjo taksë është 1-3 për qind e vlerës së investimit. Për Tiranën kjo taksë ishte 2-4 për qind. Por në projekt ishte parashikuar që kjo taksë të ishte 4 për qind për të gjitha qytetet dhe 6 për qind për Tiranën. Ndërkaq për herë të parë, qeveria ka vendosur të aplikojë taksën mbi trojet. Të gjitha këto ndryshime të miratuara nga Këshilli i Ministrave u kundërshtuan ashpër nga Shoqata e Ndërtuesve. “Ne deklarojmë se jemi kundër rritjes së nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4 në 6 për qind, rritjes së taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe futjes së një detyrimi të ri të taksës së truallit urban për mënyrën si kërkohet të paguhet dhe qëllimi i përdorimit të tyre papërfillur kërkesat tona të drejta”, kanë deklaruar drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve pas miratimit të këtij drafti nga qeveria. Sipas tyre një vendim i tillë rrit në mënyrë të ndjeshme koston në sektorin e ndërtimit. Madje, në deklaratë, ata theksuan se kjo rritje e kostos bie në kurriz të qytetarëve që duan të blejnë një apartament të ri. “Me këtë rritje të detyruar të çmimeve për shkak të politikave fiskale aspak të favorshme deklarojmë që strehimi në Tiranë, por dhe në rrethe do të jetë i pamundur për qytetarët”, kanë thënë ndërtuesit. Diskutimi i këtij drafti është shoqëruar me debate të ashpra mes deputetëve, ku ata të opozitës kanë kundërshtuar nivelin e ri të taksave vendore.

Taksat e reja 
Në draftin e mëparshëm të sistemit të taksave do të shtoheshin dy taksa të reja. E para ishte taksa e truallit urban, e cila përfshihet në konceptin e taksës së pasurisë së paluajtshme dhe taksa për ushtrimin e veprimtarisë së peshkimit. Përsa i përket taksës së re të truallit urban ishte një taksë, e cila nuk është aplikuar deri më sot në Shqipëri, por aplikohet në vende si Rumania, Italia etj. Edhe aplikimi i kësaj takse u kundërshtua si nga përfaqësuesit e opozitës, ashtu edhe nga drejtues të Shoqatës së Ndërtimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›