E Shtunë, 31 Tetor 2026

Temperaturat e larta, nis rënia e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës

Temperaturat e larta kanë rritur me 30 për qind kërkesën për energji. Sipas të dhënave zyrtare, konsumi ditor i energjisë arrin në 16.7 milionë kilovat orë në ditë. 

Për të përballuar këtë kërkesë KESH, ka rritur prodhimin vendas të energjisë, i cili arrin në nivelin e 11.1 milionë kilovat orë, ndërsa pjesa tjetër e kërkesës për energji plotësohet nga importi. Aktualisht në liqenin e hidrocentralit të Fierzës, niveli i ujit arrin në 283.22 metra, ndërsa prurjet e ujit arrijnë në 43 m3/sek. Ndërkohë, rënia e ujit në liqen arrin në 21 cm në ditë. Në hidrocentralin e Komanit, niveli i liqenit arrin 173 metra, ndërsa prurjet anësore në 19 m3/sek, ndërsa në HEC-in e Vaut të Dejës, ky nivel është 74.25 metra. Në një situatë të tillë KESH ka nisur shkëmbimin e energjisë elektrike me Kosovën dhe Greqinë. KESH, në bazë të marrëveshjes së bërë para pak muajsh me KEK-un e Kosovës, ka depozituar atje 100 milionë kwh energji. Ndërsa me Greqinë, shkëmbehet deri në 750 mijë kwh në ditë, e cila rikthehet të dielave, me një koeficient të lartë fitimi, ndërkaq përsa i përket mungesës së energjisë elektrike burime nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes shprehen se shkak për këto ndërprerje janë remontet, të cilat do të vazhdojnë deri në muajin shtator. Sipas burimeve këto punime në nënstacionet elektrike janë të planifikuara. Për pasojë në disa zona të kryeqytetit energjia elektrike mungon rreth 2-3 orë në ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›