“Brenda vitit marrëveshja për 30 milionë euro të Cenaj”
Trazhgim Sokolaj
Avokati i Shtetit shqiptar akuzon ish-kryeadministratorin e fajdeve, Farudin Arapi dhe ish-ministrin e Financave, Arben Malaj, që kanë penguar kthimin e parave të skemave piramidale të transferuara në Greqi. Eduard Halimi, drejtues i institucionit të Avokatit të Shtetit në Tiranë, tha se ish-kryeadministratori Arapi dhe ish-ministri Malaj nuk janë paraqitur në gjyqin e zhvilluar në Athinë kundër Lefter Cenajt. “Nëse ata do të paraqiteshin si dëshmitarë në gjyqin e zhvilluar në Greqi, atëherë paratë e transferuara atje do të ishin prej kohësh në xhepat e kreditorëve shqiptarë”, është shprehur Avokati i Shtetit, Eduard Halimi. Ai tha se dy ish-zyrtarët shqiptarë janë thirrur në gjyq nga pala greke për të dëshmuar mbi transferimin e parave të fajdeve në Greqi, por nuk janë paraqitur, duke u bërë kështu pengesë për kthimin e shumave në Shqipëri. “Unë nuk arrij ta kuptoj indiferencën e ish-ministrit të Financave, Malaj, ndaj thirrjeve për t’u paraqitur në gjyqin e zhvilluar në Greqi kundër Lefter Cenajt. Kërkoj që arsyet e vërteta të mosparaqitjes së tyre në gjyq t’i zbulojë Prokuroria”, vijoi më tej Avokati i Shtetit, Eduard Halimi. Sipas tij, paraqitja në gjyq e zyrtarëve shqiptarë ka qenë jo vetëm një detyrim ligjor, por edhe do të kishte ndihmuar së tepërmi kthimin e parave të fajdeve në Shqipëri, me qëllim që ato t’i shpërndaheshin mijëra kreditorëve të dëmtuar. Lefter Cenaj është gjykuar në Greqi lidhur me transferimin e parave që ka pasur në ish-shoqërinë piramidale në vendin tonë. Këto para, pasi janë transferuar kesh nga Shqipëria, janë vendosur në bankat greke ku ndodhen të llogari të ngrira, ndërsa një pjesë e vogël e tyre janë përdorur nga ish-bosi i firmës “Cenaj & CO” për bamirësi, konkretisht për ndërtimin e shkollave dhe të kishave.
“Cenaj”, 30 milionë euro
Sipas konfirmimeve në rrugë zyrtare për paratë e fajdeve të sekuestruara jashtë Shqipërisë, mësohet se vetëm ish-kompania “Cenaj & CO” ka transferuar në Greqi dhe në Angli rreth 30 milionë euro. Për këtë shumë, në Tiranë kanë mbërritur konfirmime zyrtare nga Greqia dhe Anglia, se llogaritë janë bllokuar në bankat e këtyre dy vendeve dhe palët po presin veprimet e mëtejshme që duhen kryer. Pasi u provua se ish-krerët e skemave piramidale shqiptare kishin transferuar një pjesë të mirë të parave dhe pasurive jashtë vendit, shteti shqiptar filloi përpjekjet për kthimin e tyre. Një shumë e konsiderueshme parash janë transferuar edhe nga ish-shoqëria “Vefa”, e cila disa prej parave të transferuara i ka vendosur në banka, ndërsa të tjerat i ka përdorur për blerje objektesh jashtë Shqipërisë. Mes ish-kompanive piramidale që nxorën fshehurazi jashtë vendit paratë që kishin mbledhur nga kreditorët deri në fillim të vitit 1997, është edhe kompania e drejtuar nga 61-vjeçari nga Vlora, Lefter Cenaj, i cili u ekstradua katër ditë më parë në Tiranë për të kryer dënimin e dhënë ndaj tij në mungesë me 10 vjet burg. Me qëllim kthimin e shumave të nxjerra nga fajdet jashtë Shqipërisë, ish-zv.ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tani Avokat i Shtetit shqiptar, ka filluar negociatat me palën greke. Pak kohë më parë ai zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, ku u arrit marrëveshja në parim për kthimin e parave, ndërsa së fundi, Halimi konfirmon se në fillim të shtatorit 2008, një grup pune me përfaqësues nga disa institucione shqiptare do të fillojë bisedimet direkte lidhur me kthimin e parave të fajdeve në Shqipëri dhe më pas shpërndarjen e tyre te kreditorët. Sipas Halimit, negociatat dhe procesi i kthimit të parave nëse dy palët bien përfundimisht dakord, pritet të mos zgjasin më tepër se një vit nga momenti i nisjes së bisedimeve.
“Cenaj & Co”, kërkohen 8 milionë USD në Greqi dhe 5 milionë marka në Zvicër
TIRANE – Një shumë prej 8 milionë dollarësh e depozituar në bankat greke në emër të ish-kompanisë “Cenaj & Co”, është vënë në shënjestër të Grupit Mbikëqyrës të Fajdeve. Administrato-rët e caktuar për kompaninë “Cenaj&Co” kanë verifikuar tashmë me dokumente origjinale se përmes një personi të tretë, Lefter Cenaj ka bërë dy transferta në dhjetor 1996 dhe në janar 1997. Bëhet fjalë për dy shuma marramendëse, 8 milionë dollarë në Greqi dhe 5 milionë marka të vendosura në një bankë në Zvicër. Për këto dy raste, Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve dhe administratorët e “Cenaj & Co” kanë siguruar dokumente origjinale dhe mbi bazën e tyre mësohet se po bëhen përpjekje që këto shuma të kthehen në Shqipëri, me qëllim shpërndarjen e tyre te kreditorët që humbën paratë që kishin depozituar në ish-shoqërinë huamarrëse “Cenaj & Co”. Deri më tani, kreditorëve të kësaj shoqërie, por edhe atyre që kishin vendosur para në ish-skemat e tjera piramidale, u janë kthyer përqindje të vogla nga paratë që kishin humbur, aq sa janë siguruar nga pasuritë e fajdeve që kishin mbetur brenda Shqipërisë apo nga shitja e pronave, të cilat edhe ato janë dhënë për shuma disa herë më të vogla se vlera e tyre reale, duke u bërë kështu shkak se koeficienti i kthimit për kreditorët të jetë akoma më i vogël. Edhe në rast se vendoset që shumat e parave të fajdeve të kthehen në Shqipëri, parashikohet që një shumë të vogël të tyre, 2-4 për qind ta mbajë shteti ku ato janë bllokuar, me qëllim mbulimin e shpenzimeve që janë kryer për hetimin, zbulimin dhe ngrirjen e tyre, në mënyrë që ish-krerët e piramidave dhe bashkëpunëtorët e tyre të mos kryejnë veprime për zhdukjen e tyre. tr.so
Rëndësia e dëshmive të pa dhëna
Ministria e Financave dhe Grupi Mbikëqyrës kanë pasur informacione, prova dhe dokumente të sakta që tregonin se paratë e fajdeve shqiptare ishin transferuar në Greqi. Për këtë shkak, gjykata greke ka thirrur si dëshmitarë në gjyqin ndaj Lefer Cenajt, ish-ministrin e Financave, Arben Malaj dhe ish-kreun e Grupit Mbikëqyrës të Fajdeve, Farudin Arapi. Sipas juristëve, ata mund të dëshmonin se paratë e bllokuara në Greqi ishin në fakt të qytetarëve shqiptarë, prej të cilëve krerët e fajdeve i kishin mbledhur shumat marramendëse me anë të mashtrimit. Një argument i tillë para gjykatës greke, sipas juristëve mund të legjitimonte ndjeshëm kthimin e parave të fajdeve që ndodhen atje për t’i shpërndarë më pas te kreditorët.
Negociatat për kthimin e milionave
TIRANE – Negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë për kthimin e parave të fajdeve që janë transferuar në tokën helene nga ish-krerët e skemave piramidale, kanë filluar vite më parë. Sipas një marrëveshje në parim të arritur së fundi, palët duhet të negociojnë me grupe pune. Në grupin shqiptar të punës do të ketë përfaqësues nga Ministria e Financave, Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve e Prokuroria e Përgjithshme, ndërsa në rolin e liderit në këtë grup do të jetë Ministria e Jashtme në Tiranë dhe ambasadori ynë në Athinë. Nëse palët bien dakord për kthimin në Shqipëri të parave të fajdeve, atëherë një veprim i tillë mund të realizohet përfundimisht pas ratifikimit të marrëveshjes nga parlamentet e të dy vendeve. Më pas marrëveshja mund t’i kalojë për zbatim institucioneve përkatëse. Pala greke, duke përfshirë këtu edhe Prokurorinë, ka pranuar se ka prova dhe informacione për transferimin e miliona dollarëve nga arkat e piramidave shqiptare në bankat greke. Bazuar në këto informacione, llogaritë e fajdeve shqiptare në Greqi janë bllokuar dhe aktualisht mbahen të ngrira, derisa palët të bien dakord për një marrëveshje përfundimtare me qëllim që t’i jepet fund dilemës disa vjeçare për pasuritë e fajdeve që përfunduan ilegalisht jashtë Shqipërisë.
Malaj: S’më thirrën dëshmitar në Greqi
Arben Malaj, ish-ministri socialist i Financave mohoi dje të ishte thirrur si dëshmitar në gjyqin që zhvillohej në Greqi ndaj Lefter Cenajt, duke hedhur poshtë edhe pretendimet se ai kishte refuzuar të shkonte për të dhënë deklarime.
Fatos Mahmutaj
I kontaktuar pas deklaratës së Avokatit të Shtetit, Eduard Halimi, ish-ministri Malaj në një prononcim të marrë nëpërmjet telefonit, përmblodhi në katër pika reagimin ndaj akuzave në adresë të tij për mosparaqitje si dëshmitar në gjyqin kundër Cenajt. Duke pretenduar se nuk është thirrur kurrë nga drejtësia greke as si ministër dhe as si qytetar në lidhje me ndonjë proces gjyqësor të zhvilluar në ngarkim të Lefter Cenajt, Malaj tha: “Ish-shoqëritë piramidale janë bllokuar në kohën kur isha ministër; Kthimi i parave të piramidave që janë transferuar jashtë shtetit është kërkuar nga qeveria socialiste; Nuk ekziston asnjë dokument që të më jetë kërkuar si Arben Malaj personalisht apo si ministër i Financave për të dëshmuar; si dhe do të shpresoja të mos abuzohej aspak politikisht me çështjen e piramidave”. Më tej, Malaj duke komentuar këtë, pohoi se gjithçka lidhur me akuzat që bëhen vjen si luftë politike ndaj të majtëve, pasi, sipas tij, pushteti i të djathtëve do të marrë fund të qershor të 2009-ës. Ndërkohë sulmin ndaj tij Malaj e quajti luftë të pastër politike për shkak të kritikave të shumta që ky i ka bërë vazhdimisht qeverisjes së djathtë. Duke vazhduar këtë, ish-ministri socialist i Financave pohoi se Avokati i Shtetit, ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Halimi, duhet të publikojë fletëthirrjen e gjyqit apo ndonjë dokument tjetër gjyqësor që të vërtetojë pretendimin për thirrjen e ish-ministrit të Financave, Malaj, në gjykatën greke. Sipas Malajt, një dokument i tillë nuk ekziston. Më tej ai tha se piramidat lulëzuan në kohën e qeverisjes së vendit nga të djathtët dhe është përgjegjësi e tyre për të riparuar dëmin që iu kanë shkaktuar shqiptarëve. Ndërsa duke shpjeguar procedurat që janë ndjekur nga shteti shqiptar për rikthimin e shumave, Malaj pohoi se me riatdhesimin e parave nuk merrej qeveria, por kompanitë ndërkombëtare që ishin caktuar për të bërë transparencën e piramidave dhe dorëzimin e parave qytetarëve. Sipas Malajt, dy kompanitë që kanë vepruar në Shqipëri janë paguar rreth 65 milionë USD që i kanë dhënë donatorët ndërkombëtarë FMN, Banka Botërore dhe qeveritë e disa vendeve të tjera. Në fund, Malaj tha se qeveria socialiste për të mos pasur probleme që mund të dilnin nga transparenca që iu bë piramidave, vendosi që gjithë procedurat të kryheshin nga kompani ndërkombëtare.
“Për fajdet dëshmova në komisionin parlamentar”
TIRANE – “Për çështjen e firmave piramidale kam pasur vetëm një ftesë për t’u paraqitur në komisionin parlamentar që u ngrit për këtë qëllim. Aty u paraqita dhe shpjegova gjithçka dija për procesin e transparencës së fajdeve”. Arben Malaj, ish-ministri socialist i Financave pohoi dje kështu, duke mohuar të ishte thirrur nga drejtësia greke. Gjatë bisedës së djeshme telefonike, Malaj pohoi se për herë të parë dëgjonte të ishte thirrur nga drejtësia greke për të dëshmuar në këtë vend për gjyqet që zhvilloheshin ndaj Lefter Cenajt apo ndonjë personi tjetër. Në këtë mënyrë, Malaj kundërshtoi deklaratën mediatike të ish-zëvendësministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, që pretendoi për një refuzim të ish-ministrit të Financave për të dëshmuar. f.m.
Lefter Cenaj mbyllet në qelitë e paraburgimit 302 në Tiranë
TIRANE - Lefter Cenaj, ish-bosi i piramidës “Cenaj & Co”, i ekstraduar pak ditë më parë nga Greqia, ku u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare, është “akomoduar” në një qeli të Burgut 302 në kryeqytet. Burime nga burgjet pohojnë se e kanë dërguar në qeli ish-bosin e piramidave në bazë të vendimit që u është dorëzuar bashkë me të arrestuarin Cenaj, në momentin që efektivët e Interpol Tiranës e kanë sjellë në Rinas nga Athina. Vetë i arrestuari ka pretenduar se në bazë të vendimit priste të lirohej, duke bërë që të mos e transferonin nëpër kampet jashtë kryeqytetit. Kështu ai është izoluar në ato që quhen qeli pritjesh, derisa të ketë një përfundim çështja e 61-vjeçarit vlonjat për lirimin ose vazhdimin e vuajtjes së dënimit. Madje mësohet se Cenaj ka pretenduar para autoriteteve të burgjeve se kishte kërkuar vetë ekstradimin nga Greqia në Shqipëri për të përfunduar të gjitha problemet që i kishte sjellë drejtësia greke, ndërsa kishte vuajtur në këtë shtet një dënim i gjetur fajtor për evazion fiskal dhe pastrim parash, ndërsa në Tiranë mori një dënim me 10 vite burg në mungesë si kreu dhe administratori i piramidës “Cenaj & Co” dhe që u kushtoi xhepave të shqiptarëve plot 60 milionë USD. Autoritetet shqiptare të drejtësisë, ndryshe nga pretendimi i Cenajt, pohojnë se ai u ekstradua me kërkesë të Shqipërisë, madje me vendim të Gjykatës së Lartë greke, ku ky ishte ankuar. fa.ma.