E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk do të ketë gjoba për ata që nuk votojnë

Për qytetarët shqiptarë nuk do të aplikohen gjoba, edhe nëse nuk marrin pjesë në procesin e votimit. 

Kryeministri Berisha ka sqaruar dje qëndrimin e tij lidhur me atë grup qytetarësh, që bojkotojnë procesin e votimit. Duke folur në një prononcim për mediat, zëdhënësja e kryeministrit, Juela Meçani tha se, pavarësisht faktit se në disa vende zbatohet votimi i detyruar, në Shqipëri, kryeministri nuk do të kërkojë asnjëherë gjoba për ata që nuk votojnë. “Edhe pse në disa vende demokratike përdoret dhe zbatohet votimi i detyruar, Kryeministri Berisha as nuk e ka deklaruar dhe as nuk do të deklarojë diçka të tillë”, u shpreh dje zëdhënësja e kreut të qeverisë, gjatë një prononcimi për mediat. Një ditë më parë, duke folur në analizën 7-mujore të qeverisë që ai drejton, Berisha tha se së bashku me opozitën mund të gjendet një zgjidhje për ata që nuk votojnë. “Një problem mbetet i hapur dhe këtë do ta diskutojmë me opozitën, ai i qytetarëve që nuk votojnë. Ka një grup njerëzish që nuk votojnë, por unë mendoj se së bashku me opozitën mund të përcaktojmë një sanksion ligjor për këtë rast. Ndërsa ata që duan të votojnë, i siguroj se do t’i kenë gati këto dokumente. Kompania është një kompani me kapacitete të jashtëzakonshme. Në raste të tjera, kjo kompani ka dorëzuar miliona karta, në një periudhë kohore gjashtë javore ose dymujore”, deklaroi kreu i qeverisë në konferencën e shtypit një ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›