E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu i Fiqeretes me Aranit Çelën: Kadriu, agjent që nga lufta

 

AFRIM IMAJ

E përpunuar nga Sigurimi i Shtetit dhe Hetuesia, Fiqirete Shehu, e veja e Mehmet Shehut, ish-kryeministrit më jetëgjatë të vendit, përgjatë hetimit dhe më pas në gjyq duket se, ka rënë dakord që të pohojë gjithçka i servirej. Mbase për shkak të një marrëveshjeje të panjohur, që e garantonte se do i kursehej jeta asaj dhe fëmijëve. Ndërsa pohimet e saj janë ndërtuar në një mënyrë të tillë që veç nxirjes së figurës së Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut dhe të akuzuarve të tjerë, të bënin të shkëlqente në popull figura e “ndritur” e Enver Hoxhës, udhëheqësit të madh të popullit, që kishte mundur të mbijetonte i rrethuar nga armiq të vendosur kaq pranë tij. Me qëllim që impakti të ishte sa më i plotë, incizimi i dëshmive të Fiqirete Shehut u dha në valët e radios shtetërore dhe njëkohësisht u shumëfishua në dhjetëra kopje, të cilat të vendosura në magnetofona të fuqishëm të mbartur në kamionë u dëgjuan edhe në fshatin më të largët. Duket se qëllimi, të paktën për pjesën më të madhe të popullsisë, atë pjesë që kishte pak informacion, u arrit. Kështu që Enver Hoxha mund të vazhdonte të jetonte i qetë bashkë me gjithë nomenklaturën e shtetit komunist. Më poshtë materiali i radhës i dosjes “Fiqirete Shehu”.
“Kadri Hazbiu ka qenë ndihmësi më i vjetër, më i afërt, më i aftë dhe më i vendosur i Mehmet Shehut në krye të organizatës komplotiste që do të përmbyste diktaturën e proletariatit në Shqipëri”. Ndërsa ka rrëfyer tërheqjen e Kadri Hazbiut në shërbim të zbulimit jugosllav qysh në vitet e luftës nëpërmjet Dushan Mugoshës, e veja e kryeministrit të vetëvrarë, vijon me të tjera prova komprometuese për të, gjithnjë sipas atyre që ka mësuar nga të tjerët(!). Me merakun për ta dokumentuar sa më bindshëm aktivitetin agjenturor të ish-ministrit të Brendshëm, Fiqirete Shehu e përmbledh atë në dy faza kryesore, të cilat lidhen sipas saj me tërheqjen e Kadri Hazbiut në organet e Sigurimit nga Koçi Xoxe dhe me veprimtarinë e fshehtë të tij, deri në Konferencën e Tiranës të ‘56. Për periudhën e mëvonshme kur ai ka marrë kreun e Sigurimit të Shtetit me ndërhyrjen e Mehmet Shehut, e veja e kryeministrit sjell argumente e fakte të panjohura më parë, me të cilat është njohur kryesisht nga bisedat intime me bashkëshortin e saj. Nga aq sa zbardh Fiqirete Shehu në adresë të Kadri Hazbiut, tërheq vëmendjen tregimi i saj për rolin e tij në organizimin e prapaskenave të Konferencës së Tiranës të vitit 1956. Për të, ish-ministri i Brendshëm ka qenë regjisori i dramës, që u përgatit dhe u shfaq në këtë kuvend partie, ku sipas saj, u punua energjikisht dhe në shpinë të udhëheqjes për revizionimin e vijës së partisë. Fiqirete Shehu paraqet kështu për herë të parë një profil të ri për ngjarjen e bujshme të Partisë Komuniste, duke hedhur dritë për mënyrën e organizimit të saj, për rolin e Kadri Hazbiut dhe Beqir Ballukut si të deleguar të Byrosë Politike në të, për mesazhin e panjohur që UDB-ja ka sjellë në sallë nëpërmjet njeriut të saj Feçor Shehu, në atë kohë kryetar i Degës së Brendshme të Shkodrës, etj.
Në të gjitha provat që sjell Fiqirete Shehu në ballafaqim, u referohet opinioneve së të tjerëve, që çuditërisht kanë ndërruar jetë. “Për këtë më ka folur Mehmeti”. “Këtë ma ka treguar Nako Spirua”. “Këtë e kam dëgjuar nga Dali Ndreu”, etj. Ky është pak a shumë refreni i të gjitha deponimeve të Fiqirete Shehut që duket e shpërfytyruar gjatë rrëfimit...
Dialogu i Aranit Çelës
me Fiqirete Shehun
FIQIRETE SHEHU: Kadri Hazbiu ka qenë ndihmësi më i vjetër, më i afërt, më i aftë dhe më i vendosur i Mehmet Shehut, i cili kryesonte organizatën tonë kundërrevolucionare, komplotiste e puçiste. Ai, Kadri Hazbiu ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në gjithë veprimtarinë armiqësore që ka kryer organizata ... Ka qenë Dushan Mugosha, i cili ishte dërguar në qarkun e Vlorës nga Komiteti Qendror i PPSH për të punuar, duke u konsideruar një komunist internacionalist, ngaqë partia në të cilën bënte pjesë ai ishte anëtar i Komiternit. Ndërsa në fakt, si në Vlorë ashtu dhe në Brigadën e Parë, ai ka bërë një punë armiqësore të theksuar, duke tërhequr në shërbim të zbulimit jugosllav kuadro të ndryshme si në brigadë, siç shpjegova herën e kaluar në seancat e ndryshme hetimore e gjyqësore, ashtu edhe në Vlore. Një nga këta ka qenë Kadri Hazbiu. Duke qenë i tillë, d.m.th., qysh herët në veprimtarinë armiqësore Kadri Hazbiu ka punuar vendosmërisht në favor të organizatës sonë kundërrevolucionare dhe ka qenë ndihmës i afërt i Mehmet Shehut, në gjithë përpjekjet për përmbysjen e rendit ekzistues socialist në Shqipëri... Për rrethanat në të cilat është tërhequr Kadri Hazbiu në veprimtarinë armiqësore në shërbim të zbulimit jugosllav në këtë rast, sikurse dhe për veprimtarinë armiqësore që ka kryer gjatë periudhës së luftës, unë kam dëgjuar nga persona të ndryshëm në kohë të ndryshme. Për herë të parë kam dëgjuar nga Liri Gega. Me sa më kujtohet unë as e kisha dëgjuar emrin e Kadri Hazbiut më parë. Për herë të parë e kam dëgjuar nga Liri Gega, kur ndodheshim në Sllatinë të Peshkopisë, ku zhvillohej një kurs politik me kuadrot politike të divizionit të parë sulmues. Aty Liri Gega më ka folur shpesh për Kadri Hazbiun, duke e paraqitur si një njeri për të cilin Dushani kishte simpati dhe një konsideratë të lartë, duke e konsideruar si trim, të zgjuar, si mik të Jugosllavisë dhe si person me perspektivë për miqësinë dhe në favor të Jugosllavisë.
Liri Gega më ka treguar gjithashtu, se Dushan Mugosha i ka thënë që duke qenë i tillë, ti duhet ta mbash afër Kadri Hazbiun, të kesh besim për çdo gjë tek ai dhe ta mbështesësh. Unë e kuptova fare qartë, duke ditur çështjen se si Dushan Mugosha kishte vepruar me kuadro të ndryshme të Brigadës së Parë, ku unë isha zëvendëskomisare, edhe me mua vetë që në këtë rast, Kadri Hazbiun e kishte tërhequr në shërbim të zbulimit jugosllav. Më vonë, kur u ktheva në Brigadën e Parë, unë gjeta aty që kish ardhur nga shtabi i divizionit Mehmet Shehu dhe e pyeta, a e njihte Kadri Hazbiun, meqë unë nuk e kisha dëgjuar më përpara, edhe i thashë ç’më kish treguar Liri Gega. Mehmet Shehu më tha, se e njihte edhe ashtu qëndrojnë çështjet siç të ka shpjeguar Liria, më tha Mehmet Shehu. Edhe mua Dushani më ka folur kur ka qenë në brigadë në këtë drejtim e me këto terma për Kadri Hazbiun. Bile para se të largohej nga brigada më ka thënë që kije kujdes, d.m.th., Kadriun. Ai është njeri i vendosur në këtë drejtim të miqësisë me Jugosllavinë, prandaj unë në çdo rast, edhe të kesh besim edhe ta mbështetësh tek Mehmet Shehu në një kohë të mëvonshme, konkretisht nuk më kujtohet, më ka folur edhe për atë çfarë i kishte treguar Kadri Hazbiu për periudhën në të cilën kishte qenë në Kosovë me Brigadën e pestë sulmuese, të cilin partia e pati dërguar për të ndihmuar popullin kosovar në luftën çlirimtare. Mehmet Shehu më tregoi në atë rast që Kadri Hazbiu vetë i kishte shpjeguar se si e kishte parë gjendjen në Kosovë, se si kosovarët kishin besim ndaj kuadrove dhe përgjithësisht të partizanëve e Brigadës së pestë që kish vajtur atje nga Shqipëria, ndërsa kishin mosbesim të theksuar te serbët, sikurse edhe te kuadrot shqiptarë të lidhur me serbët. Mu desh, i kishte treguar Kadri Hazbiu Mehmet Shehut, që të bëja agjitacion dhe propagandë në këtë drejtim, t’u shpjegoja kosovarëve që duhet të bashkëpunohet me këta serbët dhe me të tjerët nga kombësitë e tjera jugosllave, po sidomos me serbët dhe pas çlirimit, sidomos meqë Serbia është një shtet i zhvilluar, i përparuar, interesi i Kosovës është që të kërkojë të lidhet dhe të ketë vartësi me Serbinë, për faktin se në këtë mënyrë mund të ndihmohet nga ana e Serbisë për t’u zhvilluar e për të përparuar më shpejt Kosova e populli kosovar. Gjithashtu, më kujtohet se Mehmet Shehu më ka thënë se Kadri Hazbiu i kishte treguar që, meqë kishte një mosbesim të tillë dhe raste veprimesh të kosovarëve kundër serbëve, kuadrot serbë dhe kuadrot kosovarë të lidhur ngushtë me serbët përdornin edhe masakra, vrisnin kosovarë me qëllim që të trembnin popullin e Kosovës, ta nënshtronin nëpërmjet frikës. Edhe në një rast të tillë, siç më ka treguar Mehmet Shehu kishte ndodhur, sipas shpjegimeve që i kish bërë Kadri Hazbiu, ishte ndodhur edhe vetë Kadri Hazbiu. Ndërsa në një rast tjetër, menjëherë pas çlirimit, kur unë punoja si përgjegjëse e sektorit teorik në drejtorinë e agjitacionit e të propagandës të Komitetit Qendror që varej nga Nako Spiru, i cili një ditë i nervozuar me duar prapa ecte nëpër zyrë e shfrynte kundër Koçi Xoxes, megjithëse ishin së të njëjtit shërbim, në shërbim të zbulimit jugosllav, se ai Koçi Xoxe thoshte Nako, i ka zgjidhur mirë punët e tij, ka marrë kuadro të zgjedhur dhe besnikë të tij si këtu në sektorët e Komitetit Qendror që drejton, ashtu edhe në Ministrinë e Brendshme, në organet e brendshme përgjithësisht, ndërsa mua më ka lënë bosh me kuadro. E një kuadër i tillë thoshte Nako Spiro, është Kadri Hazbiu, të cilin Koçi Xoxe nuk e ka pas njohur, sepse Kadri Hazbiu ka punuar në Vlorë dhe pastaj në Brigadën e pestë, kurse Koçi Xoxe në Korçë, porse ia rekomandoi Velimir Stojniçi dhe Dizdari, të cilëve ua kishte rekomanduar Dushan Mugosha që e njihte. Dua të them që kur Liri Gega, duke u kthyer pak më pas në kohë, më foli për Kadri Hazbiun dhe për lidhjet midis Dushan Mugoshës e Kadri Hazbiut më tha, se kur Dushani ishte në Vlorë, kur ishte dhe ajo, vinim shpesh në Hysoverdhë në shtëpinë e Kadri Hazbiut dhe atje i kish bërë këto biseda sikurse dhe gjatë rrugës që e shoqëronte Kadri Hazbiu Dushanin në lëvizjet e tij nga fshati në fshat e të tjera, megjithëse ai bënte lëvizje më të pakta sesa unë, thoshte Liri Gega. Në këto rrethana kam dëgjuar unë për lidhjet e Kadri Hazbiut me Dushan Mugoshën dhe për veprimtarinë e tij në këtë periudhë. 
ARANIT ÇELA: Po pas çlirimit, cili ka qenë qëndrimi i tij?
FIQIRETE SHEHU: Periudhën pas çlirimit, periudhën e aktivitetit të Kadriut unë e ndaj në dy faza. Faza e parë, nga tërheqja në organet e Punëve të Brendshme kur ishte Koçi Xoxe ministër deri në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror të shtatorit 1948, ku Koçi Xoxe u dënua dhe periudha tjetër nga Plenumi 11-të, më mirë nga Kongresi i Parë i Partisë dhe deri në Konferencën e Partisë së Tiranës, që u zhvillua më 1956 në prag të Kongresit të tretë të PPSH.......
ARANIT ÇELA: Tashti të fillojmë me fazën e parë...
FIQIRETE SHEHU: Në fazën e parë në kohën që në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu ka kryer disa detyra armiqësore të rënda. Në radhë të parë Kadri Hazbiu në këtë periudhë ishte ngarkuar si dhe kuadro të tjerë, ndër të cilët edhe Mihallaq Ziçishti, që të grumbullonte të dhëna të trilluara për kundër sekretarit të Parë të KQ së partisë, sekretarit të Përgjithshëm që quhej atëherë, me qëllim që Koçi Xoxe t’i përdorte ato për ta goditur atë e për të marrë drejtimin e partisë ai vetë. 
ARANIT ÇELA: Tjetër...
FIQIRETE SHEHU: Drejtim tjetër ishte puna për të ngritur autoritetin dhe rolin e Koçi Xoxes në parti e në vend, duke arritur gjer aty, që në mbledhje të ndryshme të porositeshin njerëzit që të hidhnin dhe parulla pro Koçi Xoxes, të shkruanin edhe parulla të tilla me qëllim që të përgatitej opinioni, që kur të vinte momenti, i pari në drejtim të partisë, mbasi të eliminohej sekretari i Përgjithshëm, udhëheqësi i partisë të ishte Koçi Xoxe... Moment tjetër i veprimtarisë armiqësore të Kadri Hazbiut është ai pas dënimit të Koçi Xoxes deri në Konferencën e Partisë së Tiranës. Mehmet Shehu e ruajti Kadriun dhe i kishte thënë që mendonte bile, që ta marrte në Ministrinë e Brendshme. Në fakt, Mehmet Shehu e paraqiti te sekretari i Përgjithshëm për t’u bërë zëvendës, me sa mbaj mend unë zëvendës i parë i ministrit të Punëve të Brendshme Kadri Hazbiun dhe kështu u bë në fakt. Kadri Hazbiu jo vetëm nuk u dënua, por u ngrit në përgjegjësi dhe u bë personi i dytë në Ministrinë e Brendshme menjëherë pas Mehmet Shehut. Kjo taktikë e ruajtjes së forcave u ndoq dhe për kuadro të tjera që kishin punuar nën vartësinë direkte të Koçi Xoxes e në shërbim të zbulimit jugosllav...
ARANIT ÇELA: Po me kuadrot e tjerë çfarë u bë...
FIQIRETE SHEHU: Mehmet Shehu kish lënë porosinë si Kadri Hazbiut gjithashtu dhe Mihallaq Ziçishtit që të kishin kujdes që të ruanin kuadrot e vjetra, edhe ata që ishin larguar nga Ministria e Brendshme, t’i mbajnë afër për t’i përdorur në rastin e volitshëm.
ARANIT ÇELA: Kush ishte ky rast i volitshëm...
FIQIRETE SHEHU: Rast i volitshëm u quajt Konferenca e Partisë e Tiranës e vitit 1956, që do të zhvillohej në prag të Kongresit të Tretë të partisë. Situata politike, pa u zgjatur, sfondi politik në të cilën u zhvillua ajo qe i tillë që, pas vajtjes se Hrushovit në Beograd për t’iu nënshtruar Titos për të rehabilituar revizionizmin jugosllav, pas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste revizioniste të BS, të gjitha vendet ish-socialiste, duke filluar nga BS dhe vendet e tjera me përjashtim të Shqipërisë, hynë si të thuash në garë kush e kush të afrohej më shpejt Jugosllavisë, të rehabilitonte agjenturat e saj që kishin dënuar si Trajçe Kostovin në Bullgari, Rajkun në Hungari, etj. Veç në Shqipëri nuk kishte ndërruar aspak kursi. Prandaj armiqtë ruajtën momentin e organizimit të Konferencës së Tiranës dhe qysh më parë ndërmorën një punë të gjerë armiqësore për të vënë në lëvizje të gjithë grupet e personat në shërbim të tyre. Në këtë kuadër u vunë në lëvizjen tonë komplotistë e puçistë që drejtoheshin nga Mehmet Shehu, sikurse dhe grupe të tjerë që lidheshin me agjentura të ndryshme. Para Konferencës së Tiranës, unë mora kontaktin e parë pas çlirimit me një person në shërbim të agjenturës jugosllave dhe që është i pandehur këtu, Feçor Shehun, i cili më vuri në dijeni për këtë çështje në linjën jugosllave, pavarësisht që në linjë tjetër Mehmet Shehu, nga ana e sovjetikëve ishte vënë gjithashtu në lëvizje për të organizuar punën armiqësore në konferencë. Qëllimi i veprimtarisë armiqësore që do zhvillohej aty ishte i atillë që, të goditej vija e partisë, udhëheqja e saj, të kthehej vija marksiste-leniniste në një vijë revizioniste, të përgatitej terreni në konferencë me qëllim që në Kongresin e Tretë të Partisë, që do të zhvillohej pas ca kohe, se Konferenca e Partisë u zhvillua në prag të Kongresit të Tretë të partisë, të goditej vija e përgjithshme e partisë dhe të ndodhte në kongres ajo që ndodhi në Kongresin e 20-të. Të ishte si të thuash një Kongres i 20-të në miniaturë. Pikërisht mbi bazën e Platformës së Kongresit të 20-të do të zhvillohej edhe Konferenca e Tiranës, sipas punës armiqësore të organizuar nga grupi ynë armiqësor që kryesohej nga Mehmet Shehu. Në përgatitje të Konferencës një rol të veçantë ka luajtur Kadri Hazbiu, i cili ishte ministër i Brendshëm dhe që kishte fijet në dorë si në rrugë legale, d.m.th., të të gjithë aktiviteteve që zhvilloheshin, ashtu edhe nëpërmjet lidhjeve agjenturore që ai mbante nga një anë me Svetozar Koçiçin, me zbuluesin jugosllav, me legatën jugosllave që ishte qendra e organizimit të punës nëpërmjet nesh, po ashtu edhe me Mihallaq Ziçishtin dhe me Feçor Shehun. Për këtë rol të veçantë të Kadri Hazbiut në organizimin e punës në Konferencën e Tiranës në të tre fazat, si para Konferencës për përgatitjen e punës armiqësore, gjithashtu edhe gjatë e pastaj pas Konferencës, mua më ka folur Mehmet Shehu. Në prag të Konferencës së Tiranës, Feçor Shehu erdhi i dërguar nga Svetozar Koçiçi tek unë dhe këtu unë mora takimin e parë me një person të agjenturës në shërbim, d.m.th., të agjenturës jugosllave pas çlirimit. Kur më vuri në dijeni, siç do të shpjegoj më poshtë Feçor Shehu për punën që përgatitej për të zhvilluar në Konferencën e Tiranës, unë u tremba u frikësova meqë isha sekretare e parë e KP të Tiranës. Prandaj kur shkova në shtëpi, i thashë Mehmet Shehut që kështu ka ardhur Feçori dhe kjo mua më shqetëson se unë jam sekretare e parë. Mehmet Shehu u mundua të më qetësojë dhe më tha mos ki aspak frikë për këtë çështje sepse i deleguar i KQ do të jetë Beqir Balluku, që është në pozitat tona dhe është i hershem në lidhje me zbulimin jugosllav. Ndërsa fijet e gjithë punës që do zhvillohet në konferencë, i ka Kadri Hazbiu, i cili është në lidhje, duke qëndruar vetë në prapaskenë me zbulimin jugosllav, me Svetozar Koçiçin sikurse dhe mban lidhje me Mihallaq Ziçishtin dhe me Feçor Shehun, të cilët do të jenë brenda në konferencë, aq më shumë që ty të është ngarkuar një detyrë, si rol pasiv, meqë je sekretare e parë e Tiranës dhe gruaja ime, më tha Mehmet Shehu. Me këtë rast unë more vesh për veprimtarinë që do zhvillonte Kadri Hazbiu në konferencë.  
ARANIT ÇELA: Filloi konferenca e partisë...
FIQIRETE SHEHU: Pas raportit që mbajta unë si sekretare e parë filluan nga të gjitha anët pyetje të gjithanshme kundër vijës së partisë, kundër udhëheqjes së partisë, duke u bërë pyetje edhe në drejtimin tim edhe te Mehmet Shehut, gjë që mua më tronditi në fakt dhe në një nga pushimet, duke qenë e mërzitur dhe pak e mënjanuar në kohën që Beqir Balluku bisedonte me delegatë të tjerë, m’u afrua Feçor Shehu e më tha, pse qëndron kështu e mërzitur dhe e mënjanuar. I thashë, nuk e dëgjove seç u tha në konferencë për mua. Ç’pyetje u bënë dhe për Mehmet Shehun? Feçor Shehu tha, që të tilla pyetje dhe do bëhen se dhe kjo bëhet me qëllim që të mos bjeri dyshimi mbi ty e mbi Mehmet Shehun. Megjithatë, filluan diskutimet, të cilat i kapërcyen edhe caqet që ishin caktuar, d.m.th nuk u kufizuan veten te goditja në mënyrë të kamufluar e vijës së partisë, por u bënë dhe diskutime më të hapura, duke u kërkuar lidhje miqësie me Jugosllavinë në bazë të Platformës së Kongresit 20-të të BS, etj.
(vijon nesër)

neser do te lexoni

Rrëfimi i Fiqirete Shehut mbi përpjekjet e fshehta të Mehmetit e Hazbiut për vendosjen e marrëdhënieve me BS në vitin ‘64. Misioni i panjohur i Nesti Nases, ish-ministri i Jashtëm, për të vendosur urat e komunikimit me diplomacinë e Moskës. Çfarë përmbante mesazhi i UDB-së, që solli në mesin e viteve ‘60 Feçor Shehu dhe përpjekjet e Kadri Hazbiut për të zbutur klimën e konfliktit me Jugosllavinë. Si i amnistuan agjentët amerikanë të arrestuar në Tiranë më 1953, Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›