E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama nuk ka moral, 1 mijë herë më mirë me Berishën

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, flet një ditë pas marrëveshjes bashkëqeverisëse me PD-në, duke u shprehur i sigurt se nuk e ka tradhtuar të majtën. Sipas tij, bashkëqeverisja me Berishën nuk do të ketë kosto për LSI-në, pasi ajo është në interes të vendit. Pas marrëveshjes me kryeministrin Sali Berisha, ju akuzojnë se keni tradhtuar elektoratin e të majtës në tërësi. Si i përgjigjeni ju zoti Meta këtyre akuzave?
Ne nuk kemi pasur asnjë marrëveshje me Partinë Socialiste për shkak të refuzimit absurd të kryetarit mandat-ndërprerë të saj. Nuk kemi tradhtuar askënd dhe jam dakord me zotin Berisha, që kur bëhet fjalë për punë tradhtish i vetmi që nuk mund të flasë është pikërisht personi në fjalë dhe me këtë rast dua të theksoj që Shqipëria ka nevoje për një Parti Socialiste të përgjegjshme, për një Parti Socialiste demokratike, për një Parti Socialiste të hapur dhe jo modeli i censurës, ku kameramanët rrezikojnë jetën, rrezikojnë të bëhen heronj të demokracisë për të dhënë një fjalim apo një kongres pikërisht tani 20 vjet pas pluralizmit politik. Një parti e tillë socialiste pa dyshim që do të kishte një rol të rëndësishëm në gjithë këto procese integruese që do të udhëheqë ky koalicion.
Një tjetër akuzë si nga Partia Socialiste edhe nga anëtarë të kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim është ajo për koston që do të ketë ky bashkëpunim. Mendoni ju se marrëveshja me Partinë Demokratike do të shoqërohet me kosto për LSI-në?
Absolutisht. Kjo do të ketë vetëm ndikime pozitive shumë të fuqishme. Së pari, ky ndikim do të ndihet në zgjedhjet vendore, ku Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë përfaqësuesit e saj në administrimin e këtij procesi, por edhe te kontributi që po jep LSI për stabilitetin e vendit, për integrimin e vendit, për të zgjidhur disa nga problemet më të mëdha të qytetarëve shqiptarë. Nuk duhet të harxhojmë asnjë minutë kohë me politikanë anakronikë peng të dogmave, peng të lejeve të ndërtimit. Interesat e Shqipërisë nuk kanë lidhje me asnjë lloj sh.p.k-je.
Cili është argumenti juaj për këtë bashkëpunim me kryeministrin Berisha?
Eshtë 1 mijë herë më mirë të bashkëpunosh me një kundërshtar deri tani të fortë, siç është zoti Berisha apo i Partisë Demokratike, sesa të bashkëpunosh me një njeri që nuk ka asnjë princip, as bashkëpunimi as moral dhe që mbi të gjitha nuk ka asnjë ide të qartë politike, sikurse ka qenë edhe vetë filozofia absurde përtej së majtës dhe së djathtës. Ju mund të na akuzoni se ne e kemi kopjuar, por nuk është kështu. Ne kemi bërë diçka shumë të qartë, edhe të djathtë edhe të majtë dhe në thelb progresiste dhe kombëtare, sepse i shërben interesave të të gjithë shqiptarëve.
Keni një vlerësim tuajin për marrëveshjen që keni nënshkruar me Partinë Demokratike?
Eshtë hera e parë që realizohet një koalicion me një marrëveshje të qartë kuadër për 4 vitet e ardhshme dhe që hedh themelet për stabilitet afatgjatë në vend. Si asnjëherë tjetër kur jam zgjuar sot në mëngjes celulari im ka qenë i bombarduar nga mijëra e mijëra mesazhe, që nuk ka ndodhur kurrë të paktën në këto 10 vitet e fundit të jetës politike në vend dhe dua t’u kërkoj falje të gjithë atyre që s’kam pasur mundësi që t’u kthej përgjigje, por do të përpiqem në ditët që vijnë të jem korrekt në çdonjërin që ka shprehur mbështetjen, urimin dhe solidaritetin brenda vendit, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe në gjithë botën.
Në marrëveshje thuhet se LSI do të ketë 20% të përfaqësimit në të gjitha nivelet. Jepni ju garanci se do të zbatohet statusi i nëpunësit civil?
Është në seriozitetin e këtij koalicioni për të respektuar statusin e nëpunësit civil, pasi ajo që është më e rëndësishme është realizimi i programit tonë ekonomik dhe sidomos atij që ka të bëjë me punësimin, për të shtuar vendet e reja të punës sesa ato lloj koalicionesh që janë vënë re në të kaluarën, kur hiqeshin njerëz nga puna për të vendosur disa të tjerë. Këtu bëhet fjalë për një program që synon të hapë 100 deri në 160 mijë vende të reja pune gjatë katër viteve të ardhshme, që do të thotë një sukses në luftën kundër varfërisë, një sukses për të ndihmuar disa dhjetëra mijëra shqiptarë që sot janë pa punë, për t’u punësuar dhe për të ndërtuar një jetë të sigurt.
Si i komentoni zhvillimet e fundit në PS dhe zgjedhjen e pritshme të Edi Ramës në krye të kësaj partie?
Qorrsokak!
Komisioneri për Zgjerimin, Oli Rehn, i konsideroi zgjedhjet e 28 qershorit si më të mirat. Si e vlerësoni ju këtë deklaratë, por edhe qëndrimin e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili ka kërcënuar edhe me bojkot të Parlamentit?
Vetëm Edi Rama nuk mund të flasë për problemin e zgjedhjeve në Shqipëri, sepse jo vetëm është i pabesueshëm, por është edhe një papërgjegjshmëri shumë e madhe. Ai e ka problem të brendshëm, sepse i duhet të justifikojë shkeljen e statutit të partisë së tij, por kjo nuk mund të tolerojë qëndrimin e tij që, meqenëse nuk do të iki të shkatërrojë krejtësisht imazhin e zgjedhjeve për problemet e mundshme për të cilat është përgjegjës ai vetë, ishte thjesht të sigurojë lojën e brendshme në parti. Kjo është një papërgjegjshmëri absolute. 
Cilat janë prioritetet tuaja në krye të diplomacisë shqiptare?
Një nga elementet më të mirë të këtyre dhjetë viteve të fundit në politikën shqiptare është krijimi i një kolone të fuqishme në politikën e jashtme të vendit, e cila gjithmonë ka pasur një kontinuitet të rëndësishëm, që është vlerësuar edhe nga partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë për kontributin që është dhënë dhe jepet përmes një politike të jashtme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe sigurisht që ka qenë një nga pikat më të forta të vendit tonë dhe do të vazhdojë pa asnjë diskutim të jetë edhe në të ardhshmen. Shqipëria do të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet e rajonit tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›