Korça hedh "jorganin" e përvitshëm
• KORÇE - Zona juglindore e vendit është gdhirë dje e mbuluar me dëborë. Në qytet e fshatrat e qarkut trashësia e saj ishte nga 1 deri 20 centimetra, ndërsa në male më e madhe.Si rezultat i erërave të forta ka pasur dëme të çative të shtëpive dhe objekteve të ndryshme, ndërkohë që nga filiali elektrik i KESH-it bëhet e ditur se gjatë ditëve të fundit janë shkaktuar mjaft këputje telash dhe defekte të ndryshme të sistemit elektrik. Në qafat mes maleve, ku era e ftohtë dhe e fortë hodhi sasi më të mëdha dëbore për herë të parë këtë dimër u çuan mjete të rënda dhe borëpastrueset për të hapur rrugën. Kështu borëpastrueset kanë punuar në Qafën e Qarrit që lidh rrethin e Korçës me atë të Kolonjës, në Qafën e Zvezdës që lidh Korçën me zonën e Prespës dhe në Qafën e Thanës. Burime nga shtabi i emergjencës në Prefekturën e Korçës kanë nisur verifikimin e problemeve që janë shfaqur si pasojë e reshjeve të dëborës. Nga zona e Vithkuqit, Shtyllë e Panarit dëbora ka arritur 30 cm, megjithatë, banorët e kësaj zone të mësuar me dimrin e ashpër kanë marrë masa, duke furnizuar banesat e tyre me rezerva ushqimore dhe dru zjarri dhe gjatë ditëve të fundit përmes telefonave kanë deklaruar se nuk kanë shqetësime nga dimri i ashpër që ka filluar. Bora bllokoi për disa orë rrugën që të çon në fshatin Dardhë, por një borëpastruese punoi për hapjen e saj. Edhe në zonën e Qafës së Zvezdës dje u ndërhy me borëpastruese dhe aktualisht rruga që të çon në zonën e Liqenasit është e hapur, ndërkohë që po punohet që të hapen disa rrugë që të çojnë në fshatrat e thellë të kësaj zone. Ashtu si edhe ishte parashikuar në zonën juglindore të vendit gjatë javës së fundit ka “filluar” dimri. Reshje dëbore gjatë kësaj jave kanë rënë edhe në rrethet e tjera të qarkut si në atë të Devollit, Kolonjës dhe Pogradecit, ndërsa temperatura minimale zbriti në minus 7 gradë. Edhe pse dje nuk ka pasur reshje të mëdha dëbore, rrugët kishin krijuar shtresa akulli, duke u bërë shumë të rrezikshme për qarkullimin rrugor të mjeteve të të gjithë tonazheve, veçanërisht autoveturave. Për të shmangur aksidentet, Drejtoria e Policisë në Qarkun e Korçës ka marrë masa maksimale, ku më kryesorja ishte ndalimi i mjeteve që udhëtonin pa zinxhirë. E megjithatë deri në mesditë kishin ndodhur katër rrëshqitje të mjeteve, por fatmirësisht pa viktima apo të plagosur. j.gj