E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimi italian: Mitrovica si Trieste

• Ndërsa duket se Bashkimi Evropian ka rënë dakord për të njohur pavarësinë e Kosovës, ku dokumenti pritet të nënshkruhet pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi, në muajin shkurt, fati i pjesës veriore të saj, e banuar me shumicë serbe, ka mbetur në udhëkryq.Analistët i tremben faktit se pas dështimit të pritshëm të sesionit të ardhshëm të Këshillit të Sigurimit mbi çështjen e Kosovës, për shkak të qëndrimit rus, Kosova do të nxitet të vetëshpallet e pavarur, dhe një zgjidhje e tillë mund të provokonte rikthimin e dhunës mes etnive, sidomos asaj serbe. Vendet më të fuqishme të BE-së, kanë diskutuar edhe për një version më të sigurt zgjidhjeje. Ministri i Brendshëm italian, Xhuliano Amato, ka propozuar që “zgjidhja për pjesën veriore të Kosovës duhet kërkuar sipas modelit të çështjes së problemit të Triestes pas Luftës së Dytë Botërore ndërmjet Italisë dhe Jugosllavisë. “Mitrovica dhe pjesa veriore e Kosovës do mund të lihej në pozitën në të cilën ishte Trieste pas luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë për një kohë do të shtynim vendimin final për pjesën veriore të Kosovës”, tha Amato për shtypin beogradas. I pyetur nëse kjo është rruga më e mirë që Serbia të përballojë humbjen e Kosovës, ministri italian Amato tha, se “Serbia duhet të pranojë realitetin sipas të cilit Kosova është jashtë Serbisë. Kosova tashmë sa vite, nuk është nën administrimin e Serbisë. Ajo ka mbetur vetëm pjesën e nostalgjisë për të ashtuquajturën Serbi e Madhe që nuk ekziston më. Serbisë së re nuk i duhet kjo nostalgji, por ardhmëria”, tha ministri i Brendshëm italian. Modeli i TriestesQyteti u bë pjesë e të ashtuquajturës Rivierë Austriake pas dy shekujsh lufte me Republikën e Venecias (në shekullin e 14-të). Trieste ishte synimi kryesor i lëvizjes irredentiste italiane, e cila kishte qëllim kthimin në pronësi të Italisë të të gjitha tokave që banoheshin nga populli italian. Pas Luftës I Botërore, Austro-Hungaria u shpërbë dhe Trieste iu transferua Italisë në vitin 1920. Por për shumë kohë Trieste mbeti një provincë pa përkatësi shtetësie të përcaktuar. Megjithatë, aneksimi bëri që grupi etnik slloven (që në atë kohë përbënte 25 për qind të popullsisë) u shtyp nga regjimi fashist dhe kjo provokoi dhunë të brendshme.  Misioni i BENdërsa kryeministri britanik, Gordon Braun duke komentuar dje mbi misionin e BE-së në Kosovë, ka deklaruar se vendimi i liderëve të Bashkimit Evropian për të dërguar 1.800 policë, personel gjyqësor dhe administrativ në Kosovë, do të ketë bazë të fortë ligjore. Deklarata e kryeministrit britanik ishte një formë përgjigjeje  për qëndrimin rus dhe serb kundër misionit, duke e vlerësuar atë si krejt të parakohshëm dhe zbatim praktik të planit të Ahtisarit, i cili u refuzua në Këshillin e Sigurimit. “Me gjithë dallimet në Union rreth asaj se si do të reagojnë në ndarjen e Kosovës nga Serbia, e cila tashmë pritet në muajin shkurt, në Samitin e Brukselit u vendos të nisë operacioni më i madh shtet-formues evropian, detajet e të cilit ministrat e punëve të Jashtme do t’i shqyrtojnë pas Vitit të Ri”. Ky është misioni i parë në historinë e BE-së që dërgohet për të krijuar një shtet.KoshtunicaKryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, do ta deklarojë çdo vendim të njëanshëm për pavarësinë e Kosovës legalisht të pavlefshëm, të zbrazët. “Për ne, pavarësia e Kosovës nuk ekziston dhe nuk mund të ndodhë. Mbështetja nga vendet e tjera që e gjejnë veten në një pozicion të ngjashëm, luan një rol të madh këtu”, tha Koshtunica për televizionin rus, “TVC channel”. Koshtunica theksoi se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është ende në fuqi dhe “ajo nuk lejon ndryshimin  kufijve të Serbisë. Kjo do të thotë se statusi mund të ndryshohet vetëm me një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit. Njohja e pavarësisë së njëanshme nga SHBA dhe vende të tjera  do të provokonte dhunë direkte dhe thyerje të ligjeve ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›