Në Llogora vetëm me zinxhirë, ngrijnë kthesat e Ballshit
• Për herë të parë pas dimrit të vitit 2005 bora e rënë në të gjithë vendin ka sjellë probleme serioze.FIER/VLORENë rrugët nacionale ka pasur vështirësi në lëvizjen e mjeteve, edhe pse ato kanë qenë të pajisura me zinxhirë, duke shkaktuar bllokimin e tyre gjatë natës. Situatë e rëndë është regjistruar në akset Fier-Tepelenë e Vlorë-Sarandë, ku si pasojë e rrëshqitjeve ka pasur të lënduar, pa llogaritur dëmet e makinave. Situata në FierAksi Fier-Ballsh-Tepelenë prej mbrëmjes së të shtunës e deri paraditen e djeshme ka qëndruar i bllokuar tërësisht. Qindra automjete, të cilat lëvizin në këtë rrugë të rëndësishme që lidh vendin me qytetet e jugut dhe me pikën kufitare të Kakavijës, kanë qëndruar gjatë natës të bllokuar. Në radhën e krijuar ishin dhe autobusët e linjës Tiranë-Athinë, kryesisht me emigrantë që kthehen për festat e fundvitit. Makinat e kanë pasur të pamundur qarkullimin për shkak të akullit mbi asfalt dhe terrenit të vështirë. Përgjatë akseve janë përqendruar forca të shumta të Policisë së Rendit dhe asaj të Qarkullimit nga Fieri e Mallakastra. Kjo situatë e rëndë e krijuar brenda pak orësh e ka gjetur të papërgatitur Drejtorinë e Rrugëve, e cila nuk ka pasur mundësi të shtronte rrugët me kripë dhe materiale të tjera që të mund të ndalonte rrezikshmërinë gjatë qarkullimit. Edhe pse grupi i emergjencave ka qenë në vendngjarje, i udhëhequr nga prefekti Shahin Bejdaj, nuk është arritur normalizimi i gjendjes. Ata që e kanë pësuar prej borës kanë qenë drejtuesit dhe pasagjerët, të cilët kanë kaluar natën nëpër mjete deri paraditen e djeshme. Veç këtij aksi, probleme ka pasur dhe në rrugët të tjera dytësore, pasi drejtuesit e makinave nuk kanë qenë të informuar për akset e bllokuara nga ngrica. Kështu në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës në komunën e Fratarit dhe pikërisht në vendin e quajtur Ziaj ka ndodhur një aksident me pasojë plagosjen e tre personave. Ndërkaq grupi i emergjencave ka bërë të mundur ndalimin në kohë të rrëshqitjes së dy automjeteve të tjerë, të cilat udhëtonin në drejtim të Tepelenës. Bllokimi në LlogoraNë Qarkun e Vlorës problemet janë shënuar përgjatë Qafës së Llogorasë, e cila që në momentet e para të reshjeve të borës ka krijuar probleme për qarkullimin. Asnjë mjet nuk është lejuar të kalojë pa vënë zinxhirët, por megjithë këtë masë vështirësitë kanë qenë të shumta, duke rrezikuar dhe jetën e udhëtarëve. Në orët e mbrëmjes moti erdhi duke u përkeqësuar, duke bërë që trashësia e dëborës të arrijë rreth 30 cm. Pas rënies në asfalt ajo është shndërruar në akull dhe për rrjedhojë mjetet rrezikonin rrëshqitjen. Burime të policisë pohojnë se 9 automjete si dhe 2 autobusë kanë dalë nga rruga, duke u përplasur me njëri-tjetrin apo me bordurat anësore të rrugës, por për fat nuk ka pasur të plagosur. Për shkak të kësaj situate, makinat e dëmtuara kanë mbetur gjatë natës në vendin e përplasjes, duke u tërhequr me zinxhirë vetëm paraditen e djeshme. Policia Rrugore, e cila ka qenë në patrullim të vazhdueshëm në aksion problematik, ka lejuar kalimin e mjeteve me zinxhirë dhe në momentin kur në rrugë ishte shpërndarë kripë e skorje. Sipas komandantit të trafikut të qarkullimit rrugor Vlorë, Edmir Noka, me rrezik ka qenë dhe segmenti Dukat-Dhërmi. Në bashkëpunim me policisë ka qenë Drejtoria e Rrugëve. Inspektori i kësaj drejtorie, Kasëm Mahmuti pohoi se masat për pastrimin e këtij aksi rrugor u morën menjëherë, por intensiteti i reshjeve e bënte të vështirë punën për pastrimin e rrugës. m.r/q.bveshtiresi ne rrugeRrugët nacionale që lidhin Elbasanin me zonat e tjera të vendit krijuan vështirësi në qarkullimin e mjeteve për shkak të borës së rënë. Probleme ka pasur në Qafë-Thanë, Qafë-Kërrabë e në fshatrat e thellë malorë të Gramshit e Librazhdit. Në aksin Librazhd-Qafë Thanë e Elbasan-Tiranë mjetet kanë lëvizur vetëm me anë të zinxhirëve. Në zonën e Qafë-Kërrabës është bllokuar për gati 5 orë qarkullimi për shkak të mjeteve që nuk kishin vendosur zinxhirë e rrezikonin daljen jashtë rruge. Drejtoria e Rrugëve ka shpërndarë punonjësit e saj dhe mjetet në terren, duke hedhur skorje e kripë për të shkrirë borën. Në zonën e vështirë të Qafë-Thanës rreziku ka qenë më i madh, pasi si pasojë e ujërave që zbresin nga shpatet e maleve rruga bëhet e rrëshqitshme.aksion ne qafaBorëpastrueset kanë arritur të zhbllokojnë rrugën nacionale pranë Qafë-Malit në Kukës. Reshjet e dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë krijuar një shtresë akulli në segmentin që lidh qytetet e vendit me zonat veriore e verilindore dhe më tej me Kosovën. Temperaturat ditën e djeshme në Qarkun e Kukësit kanë arritur deri në minus 8 gradë. Drejtori rajonal i Mirëmbajtjes së Rrugëve, Rushit Gashi pohoi dje për ATSH-në se për normalizimin e situatës janë angazhuar të gjithë punonjësit e ndërmarrjes, të cilët po hedhin kripë dhe skorje në akset kryesore që lidhin rrethin e Kukësit me rrethet e tjera të vendit dhe Kosovën. Punonjësit e kësaj ndërmarrjeje janë përqendruar në akset rrugore Kukës-Morinë, Kukës-Qafë Shllak, Kukës-Krumë dhe Kukës-Shishtavec.