E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala - pas nje jave tek Bajerni

Ndihet edhe një herë si djalë i ri, edhe pse po mbush 37 vjeç. Rinia i vjen më së shumti nga sfida e re që ka përpara, diçka që e bën të duket si 20-vjeçar. Altin Lala udhëton javën e ardhshme drejt Mynihut për të kaluar vizitën mjekësore tek Bajerni, ndërsa ai e ka tashmë një kontratë që e lidh me klubin bavarez për sezonin e ardhshëm.

Gjithçka po konkretizohet hap pas hapi. Në fillim, interesimi, pastaj marrëveshja, firma në kontratë dhe tani vizita mjekësore. “Jam shumë i lumtur që jam në formë të shkëlqyer fizike, - thotë ish-kapiteni i Hanoverit dhe i Shqipërisë”.

Ai do të luajë në skuadrën e dytë të Bajernit, të cilën ka detyrë ta udhëheqë drejt kategorisë së tretë, bashkë me vëllanë e madh të Shvajnshtajgerit dhe me trajnerin Mehmet Sholl.

Ka një problem ndoshta të vogël, por ndoshta të madh, në këtë transferim të fundit të mesfushorit shqiptar. Ndërsa ai do të shkojë drejt jugut, pra në Bavari, familja do të mbetet në Hanover, në Gjermaninë Perëndimore. Bëhet fjalë për diçka më pak se 500 kilometra largësi, por Altini nuk e sheh si problem.

“Udhëtimi ajror do të jetë i garantuar dhe i shpejtë, - shprehet ai, - pra, asnjë shqetësim”.

Veterani tregon se gruaja e tij, Viktoria, nuk pati asnjë kundërshtim kur u diskutua kjo kontratë e re, edhe pse ajo dhe fëmijët Kataldo e Gabriela do të jenë larg babait. “Viktoria e di se unë jam 100 për qind njeri i futbollit, - thekson Lala, - karriera do të përfundojë një ditë, ndërsa shanset duhen shfrytëzuar deri në fund”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›