E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roben protagonisti negativ i Bajernit

Është ylli i padiskutueshëm i Bajernit të Mynihut, megjithatë Arjen Roben rezultoi në lojtarin që penalizoi skuadrën bavareze në luftën për titullin kampion në Bundesligë dhe praktikisht I dhuroi rivalëve të Borusias së Dortmundit trofeun.
Kur kanë mbetur edhe 4 javë nga mbyllja e sezonit, bavarezët kanë 6 pikë më pak se rivalët dhe diferenjca duket e pamundur të rikuperohet. Për supersfidën e javës së 30-të të kampionatit, të zhvilluar në “Vestfalenshtadion”, ku Dortmund fitoi 1-0, të gjithë I kishin sytë nga Roben. Por, holandezi gaboi gjithçka, duke u shndërruar në protagonistin negativ. Duke nisur nga goli I Levandovskit, duke e mbajtur sulmuesin verdhezi në pozicion të rregullt.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ai nuk arriti të shlyente gabimin. Përkundrazi shpërdoroi një 11-metërsh, ndërsa në sekondat e fundit nuk arriti të dërgonte në rrjetë topin, edhe pse ishte vetëm pak hapa larg portës. Në futboll ekziston shprehja se edhe të mëdhenjtë gabojnë… por këtë herë, gafat e Roben peshojnë shumë.
Roben ishte dukshëm I mërzitur për atë që ka ndodhur në fushë, duke theksuar se “kjo ishte penalltia e parë që ka humbur në 2-3 sezonet e fundit”, nga ku ka realizuar të paktën 10 gola nga pika e bardhë. Në anën tjetër, trajneri Jup Hejnkes i ka dalë në mbrojtje të mesfushorit ofensiv, duke thënë se ai nuk duhet të cilësohet si shkaktari I disfatës së Bajernit. Më kritik ka qenë ish-presidenti I klubit bavarez, Franc Bekenbauer, sipas të cilit Roben nuk duhej ta kishte gjuajtur penalltinë, ndërsa legjenda gjermane ka theksuar se kur ishte trajner nuk lejonte që ekzekutimin ta merrte përsipër lojtari që e fiton 11-metërshin.
Por, Roben mund të cilësohet pa frikë si një prej yjeve të futbollit botërorë që nuk shkëlqejnë në momentet vendimtare. Bajerni e kujton shumë mirë finalen e Champions League të humbur në vitin 2010 përballë Interit, ku 28-vjeçari nuk arriti të paraqitej në nivelin e pretenduar dhe bavarezët humbën përballë Interit.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në finalen e Botërorit 2010, ku Holanda kishte shansin më të mirë për tu shpallur për herë të parë kampione e botës. “Tulipanët” kanë krijuar rastet e tyre dhe shanset më të mira I kishte pikërisht Roben, që dy herë I vetëm me portierin Kasijas ka gabuar. Në fund Spanja fitoi titullin në kohën shtesë me rrjetën e Iniestës, ndërsa për holandezët mbeti vetëm zhgënjimi për faktin se ishin fare pranë historisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›