E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala në Bayern II

Altin Lala, sezonin e ardhshëm do të luajë me ekipin e dytë të Bayern Munichut. Mesfushori shqiptar e ka konfirmuar transferimin. 36 vjeçari ndihet i lumtur që do ta ketë mundësinë të luajë tek gjiganti Bavarez, ku edhe do ta përfundojë karrierën.

Altin Lala ka konfirmuar se sezonin e ardhshëm do të luajë me Bayern Munichun. Natyrisht, ai nuk do të luajë përkrah yjeve si Robben, Ribery e Lahm, por me ekipin e dytë të Bayernit, i cili ditë më parë e mori edhe vëllanë e Bastian Schweinsteiger, Tobias.

Pas 14 vjetësh, mesfushori shqiptar do t’i japë fund eksperiencës në Hannover, për t’iu bashkuar gjigantit Bavarez, respektivisht Bayern II. 36 vjeçari ndihet i entuziazmuar që iu ofrua mundësia të luajë me ekipin nga liga e tretë gjermane, i cili do të udhëhiqet nga legjenda e këtij klubi, Mehmet Scholl.

Bayerni II ia kishte bërë ofertën ish përfaqësuesit shqiptar kah mesi i muajit mars, për të luajtur me këtë ekip për një vit dhe veterani i mesfushës e pranoi këtë propozim pa hezitim, pasi që në fund të këtij sezoni i skadon kontrata.

“Mendoj se do të udhëtoj javën tjetër drejt Munichut, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore. Më pas, do ta nënshkruaj kontratën. Jam mjaft i lumtur, kjo është një mundësi e shkëlqyeshme”, u shpreh Lala për tabloidin gjerman, Bild.

Me gjasë, bashkëshortja e tij, Victoria me fëmijët Cataldo e Gabriela do të qëndrojnë në Hannover, ndërsa do të takohen me Altinin në ditët kur ai është i lirë. “Asnjë problem, linjat me tren dhe aeroplan janë të rregullta”, vazhdoi Lala.

- “Victoria ishte dakord me këtë lëvizje. Mjafton që unë jam me tërë zemrën futbollist. Dhe që mund ta përfundoj karrierën vetëm një herë, dhe kjo është përgjithmonë”, përfundoi futbollisti shqiptar.

Lala është pjesë e Hannoverit nga viti 1998, ndërsa ishte kapiten i këtij ekipi për një kohë të gjatë. Ndërsa, ai pritet ta përfundojë karrierën e bujshme tek Bayerni.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›