E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala: “Nuk çmendem nga kritikat”



Bosi i Hanover 96, Martin Kind është i gatshëm të mbajë në skuadër Altin Lalën, por me kushtin e reduktimit të pagesës për 33-vjeçarin shqiptar, “besnikut” që luan prej 11 vjetësh për klubin e njohur gjerman të Bundesligës 1. Në fakt, kjo është brenda politikës së klubit për pagesa më të vogla, e në të është përfshirë është edhe një tjetër veteran, 32-vjeçari Jiri Shtajner, një tjetër lojtar që militon për një kohë të gjatë për Hanoverin, por që nuk është më një kult në Hanover. Gjithsesi, me Lalën është ndryshe, pasi ai është shndërruar në një simbol te Hanoveri dhe është një prej të adhuruarve të tifozëve të kuq, apo “Die Roten”, siç njihen në Gjermani. Sipas faqes online të gazetës gjermane “Hanoverische Zeitung” tifozët e Hanoverit e kanë pritur me duartrokitje iniciativën e shefit të Hanoverit, Martin Kind, për të rinovuar kontratën me Lalën.

KRITIKAT
Ndeshja e fundit në e Lalës në kampionatin gjeman ishte ajonë humbjen 4-1 kundër Verder Bremenit, dhe Altini i hedhur nga trajneri Diter Hekinig në pjesën e dytë (74’) kur rezultati ishte 1-1, kishte për detyrë të mbulonte rreptë yllin brazilian Diego, por që në rastin e golit të dytë të Verderit (77’) edhe ai kishte pak faj. “Ishte një situatë aspak e favorshme, - sqaron Lala, - topi ishte drejtuar drejt portës, Diego e kuptoi shumë mirë dhe e shfrytëzoi dhe vetëm sa e shtyu në rrjetë. Cilësitë e tij sportive në duele u injoruan prej të tjerëve, por ai është një nga futbollistët më të mirë në Europë”. Gjithsesi, tifozët e Hanoverit u mërzitën jo pak me Lalën. “Kritikat ndoshta dhe i meritoj, por kjo nuk më bën të çmendem”.

SEZONI
Në të vërtetë, Lala nuk është se ka bërë ndonjë sezon të madh, pasi në këtë edicion për shkak edhe të dëmtimit të gjatë është aktivizuar vetëm në një ndeshje, por shqiptari i cili mbërrriti te Hanoveri nga Borusia Fulda në vitin 1998, kur Hanover ndodhej akoma në Bundesligën 2 ka dhënë shumë për ekipin gjerman. Rreziku për t’u kthyer pas disa vitesh në Bundesligën është ende evident dhe Hanoverit i duhen pikë. Dhe këtë do edhe Lala. “Unë do të jem shumë shpejt plotësisht gati. Dhe kur unë të jem sërish fit, dëshiroj edhe të luaj. Unë nuk kam përfunduar ende”.

DY VJET
Këtë mendim ruan edhe bosi i klubit, Kind, i cili nuk përton kurrë të tregojë respektin e tij maksimal për mesfushorin shqiptar. “Lala natyrisht e di, që koha e tij si futbollist po shkon drejt fundit, por cilësitë e tij sportive janë të shumta. Ai është shndërruar në identitetin e Hanoverit”, - tha Kind, i cili shton se në dhjetë ditët e ardhshme ai do të flasë personalisht hapur me Lalën. Një gjë është e qartë, se për ish-kapitenin, që tashmë nuk është një lojtar i rëndësisë së parë në lojë, por vlerësohet si një përçues i mentalitetit fitues në ekip, do të ketë një reduktim të pagesës, nëse Lala do të pranojë të qëndrojë në ekip me këtë kusht. Lala nga ana e tij tha: “Unë do të luaj akoma dhe dy vjet. Dhe nëse nuk do të luaj akoma te Hanover 96, do të shoh diku tjetër”. Në fakt, Martin Kind është në pritje të reagimit edhe të fansave të Hanoverit, por edhe situata nuk flet pro Lalës. Hanoveri shumë shpejt do të ketë një menaxher të ri, dhe ndoshta shqiptari nuk do të jetë në planet e tij.

REAGIMET E TIFOZËVE:
“Lala një shembull për të rinjtë”

Tifozët e Hanoverit janë të ndarë në lidhje me Lalën dhe japin opinione të ndryshme rreth të ardhmes së tij, ku nuk mungojnë as respekti ndaj punës së tij, por dhe ironitë.

PRO

Tifozi me emrin Roter Mike: “Çdo lojtar ka kohën e tij. Lala te Hanoveri mund t’i behën të gjitha nderet, por dikur edhe ai duhet ta kuptojë se duhet ta lërë ekipin. Çdo lojtar ka kulmin e tij, por dhe duhet të gjejë momentin e duhur për ta lënë futbollin. Nëse Lala dëshiron të luajë edhe dy vjet për Hanoverin, duhet të ketë një kontratë si amator me ekipin e dytë. Atje ai do të ishte një shembull dhe një kapiten i mirë për të rinjtë, të cilët do të përfitonin shumë nga ai”.
* * *
Tifozi me emrin 96Mouse: “Heking të ikë, Lala të rijë. (Trajneri Diter) Heking është i vetmi, që e ka çuar në këtë gjendje ekipin. Natyrisht ka pasur shumë lojtarë të dëmtuar këtë sezon. Altin Lala është një lojtar super i ndershëm, një nga të paktët që lufton me gjithë zëmër për ekipin. Mirupafshim Diter, zoti Kind mos prisni më gjatë për ta hequr”.

KUNDËR

Tifozi me emrin Peter: “Lala të marrë nga Hanover një kontratë pensioni. Më vjen keq, por Lala nuk mund të sjellë nga ana sportive asgjë më te 96-ta, tani është një lojtar për Bundesliga 2”.
* * *
Tifozi me emrin Maik: “Pas paraqitjes në Bremen, është e qartë se në asnjë mënyrë nuk duhet mbajtur më Altin Lala. Është shumë e thjeshte se ai duhjet të kërkojë një ekip tjetër”.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›