E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala, gjithmonë kuq e zi

Altin Lala nuk do ta harrojë kurrë Hannoverin, ku e kaloi pjesën dërrmuese të karrierës. Mesfushori shqiptar ka luajtur 14 sezone me klubin gjerman, me të cilin ndahet në fund të këtij sezoni, derisa do ta mbyllë karrierën në ekipin e dytë të Bayern Munichut.

Ish përfaqësuesi shqiptar kontribuoi në ngritjen e Hannoverit, i cili viteve të fundit mori pjesë edhe në garat evropiane. “Kur pata ardhur në Hannover, klubi ishte shumë larg nivelit ndërkombëtar. Prandaj, me kalimin e viteve, Hannoveri u ngrit dhe sot merr pjesë në gara evropiane”, deklaroi Lala për ueb faqen zyrtare të klubit nga Bundesliga.

36 vjeçari i ka uruar çdo të mirë ekipit të tij, i cili e përshëndeti në mënyrë madhështore në fund të ndeshjes me Kaiserslauternin fundjavën që shkoi, duke i përgatitur një koreografi mahnitëse me mbishkrimin ‘Danke Altin 1998-2012’.

Ai kishte mbetur mjaft i emocionuar me këtë gjest të klubit, shokëve të skuadrës dhe të tifozëve. “Shpresoj që të gjithë ju do ta nderoni dhe do ta ndihmoni Hannoverin, ngase ajo që kemi arritur deri tash është puna e jashtëzakonshme që kemi bërë së bashku. Unë do të mbetem gjithmonë kuq e zi”, përfundoi Lala.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›