Trepça‘89 kampion, sipas trajnerëve

Java e 27-të e Superligës së Kosovës në futboll ka përcaktuar shumëçka sa i përket luftës për titull. Tashmë në garë kanë mbetur vetëm tri skuadra, Trepça ‘89, Prishtina dhe Vëllaznimi. Këto tri skuadra, pas fitoreve të arritura në gjiron e fundit, janë shkëputur tetë, respektivisht nëntë pikë nga Drita dhe Hysi.
Ish-trajneri i disa klubeve, Gani Sejdiu mendon se titullin do ta fitojë Trepça ‘89 dhe krejt kjo falë stabilitetit që po tregon në ndeshjet e fundit, si në sulm, po ashtu edhe në mbrojtje.
“Trepça ‘89 do të dalë triumfuese, sepse në ndeshjet e fundit po tregon më shumë stabilitet, si në sulm, po ashtu edhe në mbrojtje’, tha Sejdiu për Express.
Në anën tjetër, ish-trajneri Hysni Maxhuni mendon se gara për titull do të zhvillohet deri në gjiron e fundit dhe përcaktues do te jetë kalendari i ndeshjeve.
“ Trepça ‘89 në ndeshjet e fundit ka treguar lojëra të mira, edhe Prishtina duket se është kthjellur pak pas fitores së fundit, por mbetet të shihet nëse një performancë të tillë do ta tregojë edhe në ndeshjet e ardhshme, ndërsa Vëllaznimi ka më pak gjasa. Mirëpo, këto tri skuadra do të luftojnë për titull deri në fund të kampionatit dhe përcaktuesi kryesor do të jetë kalendari i ndeshjeve”, tha Maxhuni.
Në anën tjetër, mjaft interesante është bërë edhe gara ndërmjet skuadrave qe po luftojnë për mbijetesë. Gjilani dhe KEK’u pothuajse i kanë humbur gjasat për të shpëtuar nga rënia, ndërsa Trepça, Lepenci dhe Liria po mundohen që t’i ikin pozitës së 10-të, pozitë kjo që dërgon në barazh.
Sejdiu dhe Maxhuni mendojnë se skuadrat më të rrezikuara për barazh janë Trepça, Lepenci dhe Liria, mirëpo sipas tyre, asgjë nuk do të dihet deri në javën e fundit.
Deri në fund të kampionatit, kanë mbetur edhe gjashtë gjiro, ku do të qartësohet gjithçka sa i përket luftës për titull dhe për mbijetesë.