Lala "mund" Arminian e Skelës Vatës e Duros
30/01/2005 Në sfidën ndërmjet shqiptarëve, këtë herë ka qenë Hanoveri i shtatshkurtrit, Altin Lala, që ka triumfuar. Në kushte mjaft të vështira atmosferike, si pasojë e temperaturave të ulëta në “Schüco-Arena”, të dyja skuadrat kërkonin fitoren, pas humbjeve në javën e kaluar. Por, në fund ata që kanë gëzuar, kanë qenë të kuqtë e Hanoverit. Ka mjaftuar një gol i Stendel, që skuadra e Lienen të marrë një tripikësh me shumë vlera, por në të njëjtën kohë, duke u “hakmarrë” për humbjen e fazës së parë në Hanover. Në takimin e zhvilluar dje pasdite në Bielefeld, kanë qenë të pranishëm në sfidë, tre futbollistë tanë. Për Hanoverin, si gjithnjë, i pazëvendësueshmi, kapiteni Altin Lala, kurse në anën e Arminias, janë aktivizuar vetëm Skela dhe Vata, ndërkohë që Klodian Duro nuk është preferuar nga trajneri Rapolder. Nga shqiptarët, kanë spikatur si gjithnjë, Lala për Hanoverin dhe Vata për Arminian. Madje, Vata ka vënë disa herë në provë, portierin e Hanoverit, Enke, ndër më të mirët në fushën e lojës.