E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa të jem unë, Terri jo më kapiten

Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, vendos përfundimisht në lidhje me “sex-gate”

Deri sa Fabio Kapelo do të qëndrojë në pankinën e Anglisë, Xhon Terri nuk do të jetë më kapiten. Mbrojtësi i çelsit është privuar nga shiriti pas marrëdhënies jashtëmartesore me të fejuarën e shokut të Kombëtares (dhe ish-shokut të “Blues”-at) Uejn Brixh. “Deri në botëror, thotë Kapelo, Terri nuk do të jetë kapiten. Më pas? Nëse do të qëndroj trajner i Anglisë, besoj se jo. Unë mendoj se kapiteni duhet të jetë një shembull për të rinjtë. Ajo që ka bërë është e shëmtuar. Ia kam thënë, e ka kuptuar”. Tekniku italian nuk i referohet tradhtisë ndaj gruas, (në fund të fundit janë punët e tij), aq sa ndaj një shoku. Aq më shumë që Brixh, i cili ishte i sigurt për të shkuar në Afrikën e Jugut, ka lënë Kombëtaren duke thënë se nuk mund të jetë në të njëjtën skuadër me Terrin. “E kam marrë vendimin tim vetëm për atë që ka ndodhur me Brixh dhe kjo është e vetmja arsye”, specifikon Kapelo. Për sa i përket mundësisë për të mos e grumbulluar më mbrojtësin e fortë të “Blues”-ave, trajneri thotë se nuk e ka marrë kurrë në konsideratë: “As nuk e kam menduar ta largoj Terrin, ashtu sikurse nuk kam vendosur të mos e grumbulloj Brixh. Dhe nuk besoj se shokët e tjerë do të humbasin respektin ndaj Xhonit, sepse i njohin cilësitë e tij si lider”. Të shtunën ishte sfida e shumëpritur çelsi-Mançester Siti, që ishte dhe derbi Ançeloti-Mançini, ndërsa për anglezët ishte përballja Terri-Brixh. Të dy, që dikur ishin miq për kokë, as nuk ia shtrënguan dorën njëri-tjetrit para fërshëllimës fillestare. Madje, do të ishte më mirë të thoshim se Brixh refuzoi t’i shtrëngonte dorën Territ, që nuk pati as kurajën ta shikonte në sy ish-mikun. Ndeshja përfundoi 4-2 për Sitin. Në fund Kreg Belami ka folur për Terrin, duke alternuar shuplakat me përkëdheljet: “E di kush është dhe asgjë nuk më befason nga ai, por nuk dua ta komentoj këtë gjë. Besoj se të gjithë në ambientet futbollistike e dinë se çfarë njeriu është, por kjo është jashtë fushës. Në fushë është një lojtar i jashtëzakonshëm. është një kapiten i madh i çelsit”. Të kthehemi te Kapelo, që thotë se nuk e kupton rëndësinë që i jepet në vendet britanike kapitenit: “Në Spanjë ose në Itali, kapiteni është lojtar i zakonshëm ose ai me më shumë prezenca. Këtu është ndryshe. Ju e shikoni këtë rol ndryshe. Për mua, të jesh një lider është më e rëndësishme se të jesh kapiten. Terri është një lider. I ka kërkuar të vazhdojë të jetë. Dhe ai do ta bëjë. Do jetë një lider pa vendosur shiritin”. Për sa i përket vendimit të Brixh për t’u tërhequr, Kapelo thekson se nuk ka shumë shpresa se mbrojtësi i Sitit mund të ndryshojë mendje: “Kemi 3 muaj për ta bërë të ndryshojë mendje. Dera ime është e hapur për të gjithë dhe do jetë e tillë për Brixh”. Kur pyetet nëse vendimi i Brixh ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë, Kapelo përgjigjet kështu: “Jo, është njësoj si të ishte i dëmtuar. Brixh është i bindur që është më mirë për të të qëndrojë larg skuadrës. është opinioni i tij, edhe pse unë mendoj ndryshe. Në karrierën time kam luajtur vetëm një botëror. Nuk është e lehtë të grumbullohesh. Mund të ndodhë vetëm në një rast. Ka luajtur më 2002-shin dhe tani ka një tjetër mundësi”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›