E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izolohen për shkak të Kosovës

Kosova, e cila i ka kushtuar Serbisë me katër luftëra të humbura, me izolim ndërkombëtar dhe shkatërrim ekonomik, tash e kërcënon të ardhmen evropiane të këtij vendi. Edhe pse BE zyrtarisht nuk ka kërkuar që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, presioni për këtë do të shtohet, shkruan “Wall Street Journal”.

Për më shumë se 20 vite, qëkur presidenti Slobodan Milosevic e ndezi fuçinë e barotit në Ballkan në tentimin për ta ringjallur Kosovën si fole të kulturës serbe, kjo ish-krahinë - e cila e ka shpallur pavarësinë më 2008 - për Serbinë thotë pak, pos shpenzimeve.

Artikulli, i cili thirret në studimet e Qendrës beogradase për Politikë Praktike, thotë se tetë milionë qytetarë të Serbisë shpenzojnë 16 euro në sekondë “për ta mbajtur Kosovën në përqafimin serb”, ndërsa shpenzimet totale që nga viti 1999 tejkalojnë gjashtë miliardë euro.

“Wall Street Journal” thekson se Serbia ka bërë hapa për ndërprerjen e të kaluarës luftënxitëse dhe rivitalizim të ekonomisë, gjë që i ka ndihmuar të propozohet për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Data e bisedimeve megjithatë nuk është caktuar, ndërsa Komisioni Europian tërheq vërejtjen se ata paraprakisht duhet të normalizojnë raportet me Kosovën.

Edhe pse BE zyrtarisht nuk ka kërkuar që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, gazeta vlerëson se presioni për këtë do të shtohet, gjë që do ta komplikojë jetën e politikanëve pro-evropianë në Serbi, të cilët duan që shteti i tyre të futet në BE bashkë me Kosovën.

Presionet e shtuara, që Serbia të pajtohet me pavarësinë e Kosovës, kanë bërë që disa politikanë serbë të marrin qëndrim më radikal duke sugjeruar se aleatët duhet kërkuar në Rusi e jo në BE.

Ky trend mund të shpejtohet me zgjedhjet e ardhshme.

Në tekst, të cilin e transmeton Telgrafi, citohet zëvendëskryeministri Ivica Dacic në një intervistë për televizionin rus, se “Serbia nuk do të shkel interesat nacionale për BE”, duke shtuar se “mund të merret parasysh mundësia e ndarjes së Kosovës”.

Për të marrë vota, disa politikanë serbë janë të gatshëm ta ndjekin këtë rrugë, dhe kjo paraqet strategjinë e cila do të sillte lidhje të afërta me partnerët tradicional, si Rusia, Kina dhe India, me eliminimin e idesë se Serbia do t’i bashkohet ndonjëherë BE-së.

Sipas këtij skenari, Kosova mbase do të mbetet edhe për një kohë shpenzuesi më i madh për Serbinë, vlerëson “Wall Street Journal”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›