Kështu jemi

Udhëheqësit e shtetit edhe zyrtarisht e kanë marrë Raportin e Progresit të Komisionit Europian, dokument ky që skanon punën dhe ngecjet në të gjitha institucionet e Kosovës.
Sikurse edhe vitin e kaluar, në dokumentin më të rëndësishëm të BE’së, Kosova figuron si vend me ecjen më të ngadalshme. Aty janë theksuar keqmenaxhimi i buxhetit, mungesa e zgjedhjeve të lira, drejtësi e gjymtuar dhe administratë joprofesionale.
Krejt këto konstatime dhe rekomandime janë përmbledhur në dokumentin që e kanë pranuar të enjten Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Europian për Zgjerimin, Pier Mirel.
Zyrtari i BE’së ka pasur kërkesa të qarta kur ka folur me Presidenten.
“Tani, çfarë unë mendoj që qytetaret do të duhej të kërkonin, do të ishte që sistemi gjyqësor dhe gjykatat të punojnë në mënyre efektive dhe sigurisht kjo do të jetë ajo për të cilën ne do të raportojmë vitin e ardhshëm, duke shikuar se si gjykatat do të kenë punuar”, ka thënë Mirel.
Sipas tij, lufta kundër korrupsionit ka nisur të jep rezultate, por jo sa kërkon BE’ja.
“Unë do të doja të përkujtoj se rreth 350 hetime janë duke u zhvilluar tani për tani dhe rreth 250 vendime janë marrë gjatë dy viteve të kaluara. Po shihet që ka përparim dhe ne patjetër do të kërkojmë për më shumë në muajin e ardhshëm”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Kosova e ka merituar dialogun për liberalizimin e vizave dhe u ka bërë thirrje të gjitha vendeve që dëshirojnë të bëhen pjesë e BE’së të punojnë për pajtimin e gjithëmbarshëm dhe përmbylljen e kapitullit të luftërave.
Unë, Presidentja...
Në anën tjetër, Jahjaga ka dhënë premtime se rekomandimet e BE’së do të zbatohen.
Ajo ka folur në vetën e parë, kur ka dhënë zotimin për të luftuar krimin dhe korrupsionin në Kosovë.
“Unë, Presidentja e Republikës së Kosovës, në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese dhe ligjore, do të udhëheq mekanizma gjithëpërfshirës për luftimin e korrupsionit dhe krimit të ....”, është zotuar Jahjaga.
Gjatë ditës edhe Kryeministri Hashim Thaçi ka folur për vendimin e BE’së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, derisa është zotuar se do të punojë për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Raporti i Progresit.
“Edhe pse në vitin 2011 jemi përballur me një proces elektoral që është pasuar me sfidën e konsolidimit të institucioneve shtetërore, Komisioni Evropian ka vlerësuar se Qeveria ka demonstruar përkushtim të fuqishëm ndaj procesit të integrimit evropian”, ka thënë Thaçi në mbledhjen e Qeverisë.
Raporti i zi
Shumica e partive politike në opozitë kanë dhënë vlerësime të zeza për Raportin e Progresit, duke ua hedhur fajin institucioneve shtetërore se nuk kanë punuar sa duhet që vlerësimi i BE’së të jetë pozitiv.
Sipas partisë më të madhe opozitare LDK – Raporti përshkruan gjendjen njëvjeçare të keqqeverisjes së Kosovës.
“Fillon me mashtrimin elektoral, gjendje e cila është rikonstatuar nga ana e komisionarit për zgjerim, zoti Fyle; me mosreagimin adekuat të prokurorisë në dënimin e atyre që kanë abuzuar dhe kanë mashtruar votuesit; pastaj vazhdon me të gjitha institucionet tjera, duke pasqyruar gjendjen reale. Edhe te Kuvendi shihet edhe më tutje rol jashtëzakonisht i zbehtë në monitorim, ndërkohë që te Qeveria një organ shpenzues dhe keqmenaxhues i buxhetit, si dhe paaftësi në menaxhimin e situatave për sundimin e ligjit”, ka thënë Lutfi Haziri i LDK’së.
Me gjuhë të njëjtë flasin edhe zyrtarët e AAK’së. Në komunikatën e Partisë së Ramush Haradinajt thuhet se Raporti i Progresit tregon mungesën e vullnetit politik për të ndryshuar gjendjen e keqe në Kosovë.
“Raporti i Progresit për Kosovën 2011 është alarm për gjendjen shqetësuese në pothuajse të gjitha sferat e jetës në Kosovë, si pasojë e mungesës së veprimeve të duhura nga institucionet qeverisëse në vend. AAK është e bindur se ndryshimi i realitetit në Kosovë nuk mund të ndodhë me logjikën e tashme qeverisëse. AAK beson fuqishëm që problemet e evidentuara në Raportin e Progresit duhet të shqyrtohen dhe të zgjidhen rresht për rresht, me angazhim të përkushtuar, të guximshëm dhe të paluhatshëm”, konstaton AAK.
E Vetëvendosje deklaron se përgjegjës për krejt dështimet e evidentuara në Raport janë të Qeverisë.
“Korrupsion në të gjitha sferat e jetës në Kosovës: polici, dogana, administratë publike, arsim dhe shëndetësi, krim të organizuar: trafikim me narkotikë, trafikim në qenie njerëzore, ndikimin politik në gjyqësor, në punësime në administratën publike, ndikimin e politikës në media, keqmenaxhimin e buxhetit”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes.
Edhe në një debat të shoqërisë civile për Raportin e Progresit, publicisti Veton Surroi tha gjetjet e BE’së janë për faktin se Kosova ka një Qeveri antieuropiane, e cila punon mbi bazën e krimit të organizuar dhe korrupsionit.