E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamallari, kreu i trafikantëve në Kamëz

15/04/2005  Policia bën publik emrin e personit që iku fshehurazi natën e operacionit të bujshëm

TIRANË- Policia e Tiranës publikon emrin e kreut të linjës së trafikut të klandestinëve Tiranë-Greqi, i cili në aksionin e dy ditëve më parë mundi t’u shpëtonte prangave të bluve. Vetë krerët e policies, tashmë pranojnë se Kalosh Lamallari, banues në Tiranë, nuk është prangosur gjatë aksionit të kapjes së tre trafikantëve dhe bllokimit të 40 personave në Kamëz, por ka ikur sapo policia mbërriti në vendin e grumbullimit. Ai cilësohet si kapoja i kësaj linje, me lidhje kudo në kryeqytet. Nga ana tjetër, në pranga kanë rënë Fillim Palushi, 26 vjeç, lindur në Kukës e banues në fshatin Tapizë, Ilir Ibraj, 18 vjeç, lindur në Pukë e banues në Tiranë dhe Shaban Sheta, 49 vjeç, banues në Krujë. Ky i fundit është shoferi i mjetit të tipit furgon me targa KR 071 A, ndërsa Lamallari, kreu i trafikantëve, është pronari i mjetit të tipit "Benz" me targa TR 7577 J. Policia, tashmë ka saktësuar edhe shifrën që secili nga klandestinët duhet të paguante për të shkuar në Greqi, e cila varion nga 200 deri në 700 euro.

Linja

Klandestinët e ardhur nga Tropja, Shkodra, Burreli, Kukësi, Dibra dhe Bulqiza mblidheshin fillimisht në Kamëz, vend në të cilin paguanin 5000 mijë euro për njeri dhe më pas transportoheshin në furgonë për t'u larguar më pas drejt Greqisë. Nga burimet policore mësohet se furgoni me targa të Krujës do të shërbente për një transport të shkurtër, pasi në një tjetër qytet, në afërsi të Korçës, ai do të kthehej mbrapsht dhe klandestinët do të transportoheshin më pas me një tjetër furgon. Linja e trafikut ishte tepër e sigurtë, pasi lidhjet mes punonjësve të doganave respektive, sipas burimeve të Antitrafiqeve, janë të siguruara prej kohësh.

Precedentët

Më i spikaturi nga rastet e parandalimit të nisjes së klandestinëve është ai i Golemit, në Kavajë, kur 27 njerëz ishin përgatitur të hipnin në skaf, pasi kishin paguar nga 2000 euro. Nga aksioni i policisë u arrestuan tre nga organizatorët. Ndërsa Policia e Shkodrës ka zbuluar një tjetër rrjet të trafikut të klandestinëve në linjën Shkodër-Bosnje-Kroaci-Slloveni-Itali. Burime nga blutë bëjnë të ditur se pesë trafikantë nga rrethet e Lezhës e të Burrelit, në vijimësi kanë organizuar trafikun e klandestinëve nga këto zona për në Itali. Ata siguronin edhe automjetet për transportin e personave që donin të iknin jashtë shtetit. Secili klandestin paguante nga 2500 euro për të mbërritur në destinacion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›