E Hënë, 2 Nëntor 2026

Edhe Buçkovski akuzon BDI-në e Ahmetit për zgjedhje jodemokratike!!!

19/03/2005  Maqedoni: Koalicioni PDSH-PDP kërkon anullim të zgjedhjeve në vendbanimet shqiptare

Ka të dhëna se VMRO-të shumë lehtë mund të bëjnë pazarllëqe me PDSH-në dhe Menduh Thaçin për votat e tyre në Strugë, në Tetovë e në Shkup dhe mund t’ia japin atij vetëm që ta dobësojnë sa më shumë Ahmetin dhe BDI-në e tij në koalicionin aktual, ndërsa Ahmeti në këto qytete as që mund të llogaritë në ndonjë votë të maqedonasve të LSDM-së – sërish për inat të kohës së luftës së vitit 2001. Se si do të përfundojnë zgjedhjet vendore të 2005 në Maqedoni, megjithatë duhet të presim 27 marsin

Disa qindra ithtarë të Partisë Demokratike Shqiptare, nga Tetova dhe të partnerit të saj koalicionues Partia për Prosperitet Demokratik, të enjten, në ditë tregu, dolën dhe protestuan rrugëve të Tetovës dhe para ndërtesës së Komunës për ta shprehur revoltën dhe paknaqësinë e tyre me rezultatet e rrethit të parë të zgjedhjeve vendore.

Protestuesit në Tetovë kërkuan anulim të tërësishëm të zgjedhjeve dhe paralajmëruan se do ta bojkotojnë rrethin e dytë zgjedhor e do t'i tërheqin përfaqësuesit e tyre nga KSHZ-ja dhe nga këshillat zgjedhorë.

"Nuk mund ta marr përgjegjësinë për rrethin e dytë, meqë për të fituar në zgjedhje në Maqedoni duhet të luftohet në tërë vendin. Kërkojmë nga institucionet kompetente dhe nga bashkësia ndërkombëtare që t'i anulojnë zgjedhjet në të gjitha komunat ku kanë votuar shqiptarët, dhe procedura të përsëritet e të merrren garanci institucionale se nuk do të përsëriten ngjarjet e rrethit të parë", deklaroi nënkryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Thaçi tha se njëherë ndodhi që me falsifikim të votës së shqiptarëve të zgjidhet kryetari i Maqedonisë, ndërsa tani e njëjta bëhet edhe për zgjedhje të kryetarit të qytetit të Shkupit, që, sipas Thaçit, është shumë punë e rrezikshme.

Përfaqësues të koaliconit PDSH-PPD për ditët e ardhshme kanë paralajmëruar protesta në të mirë të, siç thonë ata, "mbrojtejs së votës shqiptare" edhe në Gostivar, Strugë, Dibër dhe në Shkup.

Dy ditë më parë, zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti, për falsifikime të votave dhe mbushje të kutive në më shumë vendvotime në komunën e Sarajit dhe sidomos në rajonin e Kondovës, akuzoi pjesëtarët dhe simpatizuesit e koalicionit PDSH-PPD, të cilët edhe e fituan në rrethin e parë zgjedhor Komunën e Sarajit me kandidatin e tyre, Ymer Selmani, që, edhe deri tani, në mandatin që shkoi ishte kryetar i Komunës së Sarajit ende të pabashkuar me Kondovën.

Zgjedhjet në rrethin e parë korrekte i vlerëson edhe Kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski, i cili, megjithatë, pranon megjithatë se ka patur edhe parregullsi të vogla në 30 deri në 50 vendvotime nga më shumë se 2900 vendvotime sa i ka Maqedonia.

Qeveria nuk do të lejojë që në realizimin e qëllimeve të veta strategjike të mbetet peng i disa individëve dhe grupeve, të cilët tradicionalisht në 20, 30 apo 50 vendvotime, në vend që të zhvillojnë zgjedhje korrekte e demokratike, i mbushin kutitë me vota, ka deklaruar në një konferencë shtypi Buçkovski, i cili ka shtuar se "Republika e Maqedonisë si me Risto Penovin apo Trifun Kostovski dhe si me Hazbi Likën, apo Vehbi Bexhetin do të hyjë në Evropë, nëse ata fitojnë në zgjedhje korrekte e demokratike.

Buçkovski ka thënë se për parregullësi nuk e akuzon vetëm opozitën dhe publikisht ka akuzuar edhe një pjesë të partnerëve të koalicionit të tyre dhe në radhë të parë ka përmendur BDI-në e Ali Ahmetit dhe Partinë e bashkuar të Romëve.

Ai ka thënë se përkundër paralajmërimeve nuk beson se PDSH-ja do t’i bojkotojë zgjedhjet në rrethin e dytë zgjedhor, ndërsa ka shtuar se askush nuk ka bërë presion mbi Risto Penovin që të mos tërhiqet nga gara, siç kanë bërë me dije më shumë media në Shkup, të cilat për një gjë të tillë e kanë përmendur Buçkovskin dhe partinë e tij.

Kryeministri i Maqedonisë ka paralajmëruar se, para raundit të dytë zgjedhor, më 27 mars do të ketë një takim me liderët e partive dhe koalicioneve që kanë kandidatët e tyre në zgjedhje, me të cilët do të angazhohet që të sigurojnë rrjedhë demokratike të zgjedhjeve në Maqedoni.

Liderët e partive duhet të sigurojnë që rrethi i dytë zgjedhor në Maqedoni të kalojë në pajtueshmëri dhe sipas standardeve më të larta demokratike, standarde që kërkohen nga një vend, i cili pretendon të hyjë në NATO, kjo është porosia e Jap De Hop Shefer, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Një porosi të ngjashme në emër të Havier Solanës ia ka përcjellur Maqedonisë edhe Kristina Gallak, zëdhënëse e tij, e cila ka thënë se shpresojnë se gjithë liderët, që angazhohen për përfshirje të Maqedonisë në BE, do të angazhohen plotësisht që zgjedhjet të kalojnë në mënyrë sa më demokratike.

Në pritje të rrethit të dytë zgjedhor, ndërkaq po bëhen më shumë pazarllëqe mes kandidatëve, shtabeve të tyre zgjerdhore dhe përfaqësuesve të partive, që mund të ndryshojnë pozicionet e tashme në më shumë komuna të Maqedonisë dhe sidomos në zonat perëndimore dhe veriperëndimore, të banuara kryesisht apo në shumicë me shqiptarë, ku fitore të përgjithshme me vota dhe me numër këshilltarësh shënoi BDI-ja, e Ali Ahmetit.

Megjithatë koalicionet e reja dhe sidomos votat e maqedonasve në Strugë sidomos, por edhe në Tetovë e në Çair të Shkupit, shumë lehtë mund ta ndërrojnë këtë rezultat në dëm të Ahmetit.

Ka të dhëna se VMRO-të shumë lehtë mund të bëjë pazarllëqe me PDSH-në dhe Menduh Thaçin për votat e tyre në Strugë, në Tetovë e në Shkup dhe mund t’ia japin atij vetëm që ta dobësojnë sa më shumë Ahmetin dhe BDI-në e tij, në koalicionin aktual, ndërsa Ahmeti në këto qytete as që mund të llogaritë në ndonjë votë të maqedonasve të LSDM-së – sërish për inat të kohës së luftës së vitit 2001. Se si do të përfundojnë zgjedhjet vendore të 2005 në Maqedoni, megjithatë duhet të presim 27 marsin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›