E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lame, asnjë gjurmë e autorëve në 2 thasët me prova

04/03/2005  Policia dorëzon në Prokurori të gjitha sendet e sekuestruara në ashensor

Dy thasë të zinj plastami me materialet e sekuestruara në vendngjarje, ku pas një shpërthimi të fuqishëm eksplozivi mbetën të vdekur biznesmeni i njohur Vajdin Lamaj dhe miku i tij, Artan Arsi, kanë mbërritur dy ditë më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Korrierë të policisë kriminale i kanë transportuar provat e gjetura në vendngjarje, ku nga ekspertimet dhe këqyrjet paraprake të specialistëve kriminalistikë, nuk rezulton asnjë gjurmë e autorëve. Pritet që hetuesit e Krimeve të Rënda të verifikojnë imtësisht çdo detaj të sendeve të sekuestruara, që janë të vetmet prova që mund të çojnë në dyshimet mbi autorët e ngjarjes.

Provat

Burime të policisë kryeqytetase, thanë dje për gazetën “Metropol” se, dy ditë më parë kanë transportuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të gjitha materialet e sekuestruara në ashensorin e shkatërruar, ku është mbledhur çdo imtësi e gjetur që mendohej se do të ndihmonte në hetim. Burimet sqarojnë se janë plot dy thasë të zinj plastmasi, në të cilët ndodhen që nga rrobat e dy viktimave, e deri në sendet e tyre personale. Mësohet se si prova materiale janë sekuestruar xhaketa të gjakosura të të vrarëve dhe sende të tjera të copëtuara, të cilat do të ekspertohen për të arritur në një konkluzion përfundimtar për fuqinë e shpërthimit të eksplozivit. Gjithashtu, burimet shprehen se është gjetur edhe një aparat telefoni cellular, i cili nuk ka qenë shumë i dëmtuar, që mendohet të jetë i Vajdin Lamajt. Burimet pohojnë se janë gjetur edhe sende të tyre, si blloqe të ndryshme me numra telefoni etj. Sipas policisë dhe prokurorisë, do të verifikohen të gjithë numrat e telefonit të gjetur aty, për të konkluduar në personat që i disponojnë. Ndërkaq, burime nga Prokuroria e Përgjithshme, shprehen se do të verifikohen të gjitha thirrjet e fundit telefonike të Lamajt. Një tjetër verifikim që do të kryhet nga Prokuroria është ajo e të gjitha thirrjeve celulare që janë kryer në orën kur përafërsisht ka ndodhur shpërthimi, duke kryer seleksionime të njëpasnjëshme të personave që do të përjashtohen nga hetimi. Ndërsa mësohet të jetë ngritur një grup i posaçëm hetimi, me prokurorë të Krimeve të Rënda dhe ekspertë kriminalistikë të Ministrisë së Rendit.

Hetimi

Ndonëse, Prokuroria ka në dorë materiale të shumta të sekuestruara në vendngjarje, paraprakisht në asnjë prej tyre nuk hidhet dritë mbi ndonjë gjurmë të mundshme të autorëve. Burime nga organi i akuzës pohojnë se, nuk është arritur në ndonjë pistë apo motiv zyrtar për ngjarjen, si dhe nuk ka një emër konkret si autor të dyshuar, bazuar kjo në prova materiale. Mësohet se do të kryhet verifikimi dhe ekspertimi i të gjitha provave të sekuestruara, me qëllim arritjen në ndonjë konkluzion për personat që organizuan atentatin. Gjithashtu, burimet theksojnë se do të përdoren edhe provat e sekuestruara në atentatin e parë te TVA-ja dhe do të krahasohen me ato të gjetura këtë herë.

Atentati i organizuar prej kohësh

Nga ekspertimi i vendit të ngjarjes dhe rindërtimi i saj, duket se atentati ndaj biznesmenit të njohur Vajdin Lamaj kishte kohë që ishte parapërgatitur. Burime policore thonë se, eksplozivi ishte i një lloji të veçantë, që nuk gjendet në Shqipëri dhe për sigurimin e tij jashtë shtetit duhet të jetë dashur një farë kohe. Sipas këtyre burimeve, dyshohet që Lamaj të ketë qenë nën survejim prej atentatorëve të tij prej disa javësh, gjithashtu, nga këqyrja e vendit të ngjarjes, mendohet që të jetë bërë një hartim i mirëfilltë i skemës së atentatit, sqarojnë burimet. Kjo me qëllim që të mos kishte asnjë shans që Lamaj t’i shpëtonte vdekjes. Burimet theksojnë se për ta pasur në mbikëqyrje optimale, dyshohet që në ashensor të jenë vendosur mikrokamera për t’u siguruar që ai ishte brenda në momentin e shpërthimit. Gjithashtu është marrë parasysh edhe mungesa e valëve të celularëve brenda ashensorit, përfundojnë burimet.

Disa nga vrasjet e bujshme në Tiranë

1- Riza Çeço, 43 vjeç, tregtar këpucësh në Tiranë, i vrarë më 19 dhjetor të vitit 2001. Dyshohet të jetë vrarë për shkak të aktivitetit që ushtronte. Nuk është identifikuar asnjë prej autorëve të vrasjes së tij.

2- Florian Vila, 38 vjeç, biznesmen i tregtimit të hekurit, i vrarë më 9 prill të vitit 2003. Dyshohet të jetë ekzekutuar për shkak të konkurrencës në biznes ose për probleme personale. Asnjë i dyshuar si autor i vrasjes së tij.

3- Fatmir Rama, 35 vjeç, pronar i kompleksit sportiv “Kartodrom” në Tiranë, i vrarë më 29 mars të vitit 2003. Dyshohet të jetë vrarë për hakmarrje. Një nga autorët e akuzuar Lavdërim Tufa, nga Lundra.

4- Arben Fodulli (Pojani) 34 vjeç, tregtar i njohur i mishit, pronar butiqesh dhe floktoresh, i vrarë më 22 gusht të vitit 2003. Dyshohet të jetë vrarë nga frika e një hakmarrjeje të mundshme për vëllanë e tij, të ekzekutuar në vitin 1998, Petraq Fodullin. Autorët ende të pazbuluar.

5- Genci Sina, shofer i Kryeprokurorit Theodhori Sollaku, i vrarë më 29 shtator të vitit 2003 në qendër të Tiranës, vetëm 100 metra larg “Piramidës”. Për vrasjen e atij akuzohet Altin Arapi, i cili ka fituar azilantin politik në Belgjikë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›