E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vepra poetike e Lasgush Poradecit do të botohet e plotë

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka vendosur të botojë veprën e plotë poetike të personalitetit të shquar të letrave shqipe, Lasgush Poradeci. Lajmi është bërë i ditur nga Suzana Turku, zëvendësministrja e Kulturës, gjatë fjalës që mbajti me rastin e çeljes së panairit mbarëkombëtar të librit "Tirana 2009". Sipas saj, ky panair vjen në harmoni të plotë me

110-vjetorin e lindjes së një prej ikonave emblematike të letërsisë shqipe, Lasgush Poradecit të madh. "Libri dhe krijuesit e tij përbëjnë një prioritet dhe një detyrim për qeverinë dhe strukturat e saj të specializuara, me qëllim që ky potencial vlerash të ketë përkujdesjen dhe hapësirën e duhur si promotor i zhvillimit dhe emancipimit intelektual dhe kulturor të shoqërisë sonë", tha ajo. Festimet për 110-vjetorin e lindjes së lirikut të madh, kanë nisur prej disa kohësh tashmë prej disa subjekteve të caktuara me ndihmën e familjarëve të poetit. Kështu, gjatë vitit 2009, është botuar për herë të parë teza e doktoraturës me titull "Eminesku i shpërfillur" që Lasgush Poradeci mbrojti në Universitetin e Gracit, në Austri. Gjithashtu me rastin e këtij 110-vjetori është organizuar nga "Argeta LMG" një ekspozitë e cila ka shëtitur në Tiranë, Pogradec e Korçë ku janë paraqitur dokumente, fotografi, artikuj të gazetave të ndryshme të kohës, piktura e portrete të cilat mbajnë firmën e poetit të madh, i cili siç dihet ishte tepër i dhënë edhe pas pikturës. Lagush Poradeci lindi më 27 dhjetor të vitit 1899 në Pogradec. Ai la pas një krijimtari të bukur, e cila fitoi zemrën e lexuesit dhe tërhoqi vëmendjen e disa studiuesve të kulturës sonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›