E Diel, 1 Nëntor 2026

KOKSH, dorëhiqet Agim Fagu: Sporti ynë ka dështuar

TIRANE- Agim Fagu ka dhënë dorëheqjen si president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Pas Asamblesë Statutore të mbajtur sot në Durrës, ish-ambasadori dhe basketbollisti i njohur, është larguar nga posti që mbante si njeriu më i rëndësishëm i sportit në vend. Gjithçka erdhi pas debateve të ashpra me sekretarin e përgjithshëm Stavri Bello dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Ekzekutiv.

Në sallë nuk munguan akuzat e rënda, si ajo e Fagut se “drejtuesit e KOKSH janë të gjithë të korruptuar”. Më pas, nëpërmjet një deklarate bombastike, ai ka shpjeguar arsyet e dorëheqjes. “Injoranca dhe arroganca është e frikshme kur vjen nga shumica, - shkruan Fagu. - Nëse kjo situatë tolerohet për shumë kohë, atëhere dëmi bëhet i pallogaritshëm.

Duket se KOKSH-i ka rrëshqitur thellë në këtë fazë. E vërteta që unë shikoj është e ndotur, dëshpëruese, pra e papranueshme. Ajo të vështirëson mjedisin dhe mundësitë ku ti punon, duke bërë të pamundur mundësinë për të realizuar krenarinë që të kanë falur. Në momentin që ti nuk ushtron dot mandatin për të cilin të kanë besuar, çfarë duhet të bësh? Personalisht refuzoj të ndërtoj dhe pastaj ta mbroj dështimin e projektit tim, duke legjitimuar rrënuesit e saj. Prandaj më duhet të largohem, të paktën të mos bëhem edhe unë pis, duke pranuar dhimbjen për të sotmen e veçanërisht për të ardhmen e sportit tonë”, thotë më tej ai. Fagu thotë se është i ndryshëm nga shumica e anëtarëve të KE-së së KOKSH, ndërsa akuzon ata se nuk mendojnë për ngritjen e nivelit në sport.

“Jemi shteti që kemi marrë 6 bursa olimpike nga 12 të mundshme duke ndikuar aspak mirë në ngritjen e nivelit cilësor tek sportistët elitarë. KE nuk jep llogari në asamble. Asnjë olimpiadë nuk është analizuar. Justifikimet për rezultatet e dobta janë qesharake dhe askujt nuk i futet gjëmb në këmbë për papërgjegjshmërinë e tyre të vazhdueshme. Nuk ka programe as afatshkurtëra dhe nuk testohet asgjë për curinë e sportit shqiptar. Olimpizmi në komitetin olimpik nuk ndjehet. Turp është të pengosh përpjekejet pozitive dhe jo të tërhiqesh. Ndihmesa ime është të pohoj të vërtetën. Keqardhja ime nuk e shpëton sportin. Ky është fundi i një historie që e vuan sporti. Sistemi ynë i sportit është i dështuar, sepse pengon talente të shkojnë në majat e mjeshtrisë”, përfundon Agim Fagu në letrën e tij.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›