E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lampard si Henry

Frank Lampard ka pranuar se do të vepronte sikurse Thierry Henry, nëse kjo do të siguronte kalimin e Anglisë në finale të Kampionatit botëror. Henry ishte kritikuar ashpër dhe u quajt “mashtrues” për mospranimin e ndaljes së topit me dorë në ndeshjen e dytë të play-offit ndaj Republikës së Irlandës, katër muaj më parë.

I pyetur se çka do të bënte nëse do t’i kishte ndodhur atij në një gjysmëfinale të Kampionatit botëror, Lampard theksoi se do të përcillte shembullin e sulmuesit të Barcelonës.

“Me siguri se nuk do të thosha asgjë. Më erdhi keq për Henryn, sepse ishte veprim instinktiv. Mendoj se është më lehtë ta pranoni pas përfundimit të ndeshjes. Së paku atëherë jeni kualifikuar. Sigurisht se kjo është gjë e gabuar për ta thënë, por nëse do ta kisha pranuar dhe do të na kushtonte me ndeshje, me siguri se do të më kishin vrarë pas rikthimit në Angli”, tha Lampard për magazinën Short List.

Megjithatë, Lampard nuk dëshiron të përjetojë përsëritjen e fatit. Por, ai synon t’i ndihmojë Anglisë të paraqitet në finale të Kampionatit botëror, për herë të parë nga viti 1966. Dhe, nëse fituesi do të përcaktohej pas penalltive, ai do të ishte i pari që do të godet – edhe pse nuk shënoi në çerekfinale kundër Portugalisë më 2006.

“Jam ekzekutues i rregullt i penalltive dhe mendoj se në një rast të tillë ju jeni të obliguar të paraqiteni vullnetarisht”, u shpreh ylli i Chelseas. A do ta godiste me fuqi apo do të mundohej ta plasojë topin? Lampard shtoi: “Jam munduar ta plasoj më parë, por kam dështuar kundër Portugalisë. Mendoj se nëse keni vetëbesim, atëherë mund ta plasoni. Por, nëse ndjeni nervozizëm, goditeni fuqishëm”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›