E Shtunë, 31 Tetor 2026

Torres pret përforcime

Fernando Torres mund të largohet nga Liverpooli gjatë verës, nëse klubi nuk sjell përforcime të nevojshme për t’u kthyer si kandidat për titull. Liverpool, aktualisht gjendet në pozitën e gjashtë në Premierligë dhe lufton me klube si Tottenhami dhe Manchester City për vendin e katërt dhe kualifikim në Ligën e Kampionëve.

Mirëpo, më tepër se përfundimi në pozitën e katërt, Torres beson se gjëja më e rëndësishme për Liverpoolin janë investimet në përforcime gjatë verës.

I pyetur nga e përditshmja sportive spanjolle, AS nëse planifikon të largohet nga Liverpooli, nëse dështojnë të kualifikohen për në Ligën e Kampionëve, Torres tha: “Është herët të flasim, sinqerisht mendoj se do të përfundojmë të katërtit, por për mua kualifikimi për në Ligën e Kampionëve nuk është aq i rëndësishëm. Gjëja më e rëndësishme është që klubi të bëjë përpjekje të mëdha për transferimin e futbollistëve kualitativë që do të përmirësonin kualitetin e ekipit”.

Torres ka thënë se Liverpool ka nevojë për disa futbollistë të klasit botëror për të luftuar për titull.

“Na nevojiten katër ose pesë futbollistë të klasit të lartë për të luftuar për titull, dhe të përmirësohemi më tepër. Pa përforcime, vitin tjetër, ne përsëri do të luftojmë për pozitën e katërt. Vitin tjetër dua të luftoj për të fituar Premierligën dhe të fitoj Ligën e Kampionëve ose Europa League, por kjo do të ndodhë vetëm pasi të bëjmë përforcime”, shtoi ai.

Duke iu referuar pyetjes fillestare rreth të ardhmes së tij, Torres ka thënë se ekzistojnë shumë rrethana dhe janë shumë gjëra që duhet marrë parasysh para se të marrë një vendim përfundimtar.

“Kam edhe tri vjet kontratë. Sigurisht se shumë gjëra i kam borxh Liverpoolit dhe jam shumë i lumtur këtu. Tifozët më kanë trajtuar shumë mirë nga dita e parë dhe kur mendoj për të ardhmen time, shpresoj që të jetë këtu. Mendoj se këta tifozë meritojnë fitore. Duke menduar përtej vetes, ky klub meriton të fitojë tituj, por ata janë të vetëdijshëm se tani kjo është e vështirë. Tifozët janë të brengosur për atë që është duke ndodhur. Por, vetëm pasi të investojmë gjërat, do të shkojnë përpara”, përfundoi sulmuesi i Atletico Madridit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›