E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat e shkatërrojnë Anglinë

Sulmuesi i Arsenalit dhe Kombëtares ruse, Andri Arshavin ka paralajmëruar mediat britanike se rrezikojnë të dëmtojnë shanset e Anglisë në Kampionatin botëror. 28-vjeçari, Kombëtarja e të cilit nuk do të marrë pjesë në garën e kësaj vere në Afrikën e Jugut, ka thënë se ndërhyrjet e medieve do të kenë ndikim negativ për Anglinë.

Gjatë Kampionatit botëror 2006 në Gjermani, ishte një përqendrim i madh në ngjarjet jashtë fushës për ekipin e Sven Goran Erikssonit, duke përfshirë gratë dhe të dashurat e futbollistëve. Dhe, pas skandalit John Terry/Wayne Bridge, Arshavin beson se vëmendja shtesë do të dëmtojnë shanset e Anglisë për sukses.

“Sigurisht se njerëzit janë të interesuar, por në Angli mediat janë duke shkatërruar ekipin kombëtar me shkallën e ndërhyrjeve. Ju (mediat) jeni duke e dëmtuar ekipin. Të gjithë duan që Anglia të bëhet kampion i botës, por ju jeni duke e shkatërruar ekipin”, tha Arshavin për të përditshmen angleze, The Times.

Arshavin ka theksuar se futbollistët kanë përgjegjësi si shembuj për të rinjtë. “Gjatë gjithë karrierës sime kam dëgjuar njerëz duke thënë ‘Ti duhet të bëhesh shembull. Mos pi duhan, mos pi alkool, mos fyej, përndryshe fëmija yt do të të kopjojë’. E kuptoj se ne kemi përgjegjësi. Problemi nuk qëndron te fama dhe paratë, sepse nëse jeni edukuar mirë nga prindërit, këto gjëra nuk do të ndikojnë te ju. Duhet të keni vlera”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›