E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira e Ferial Alibalit

U nda nga jeta në moshën 78-vjeçare, aktorja e njohur e Teatrit Kombëtar Ferial Alibali. Aktorja e njohur shqiptare numëron mbi 50 role në teatër, por dhe një sërë rolesh në kinematografi. Të spikatura janë rolet e Mashës, Zogës, Drandes, Hajries, Nicës, etj. Ishte vetëm 19 vjeç, kur u ngjit për herë të parë në skenën e Teatrit Profesionist të Korçës. Do të spikaste që në fillim, me interpretimin e saj në skenë dhe një vit më vonë, ajo emërohet në Teatrin Kombëtar, ku nga viti 1953, deri në vitin 1975, interpreton rreth 50 rolet në skenën e Teatrit Kombëtar. Fatkeqësisht, në kulmin e karrierës artistike ajo vuan pasojat e një regjimi që shihte “armikun” te dera. Në vitin 1975 e largojnë nga skena pasi bashkëshorti i saj u dënua nga ish-regjimi komunist i asaj kohe. Për meritat dhe veprën e shquar artistike, Ferial Alibali është dekoruar nga Presidenti i Republikës me disa urdhra dhe medalje. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit aktores kishin ardhur dje miq e kolegë të saj. Edhe Presidenti i vendit Bamir Topi ka ngushëlluar dje familjarët e aktores së njohur, Ferial Alibali. “Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, aktores së paharruar të skenës dhe kinematografisë shqiptare, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, thuhet në mesazhin e kreut të shtetit. Ndërkohë, miqtë dhe kolegët e saj vlerësojnë talentin e aktores, profilin e saj artistik, që me pesëdhjetë rolet në teatër dhe portretizimet e saj kinematografike përcolli ndjeshmërinë e një artisteje të rrallë. Aktorja Ferial Alibali lindi në qytetin e Lushnjës, në vitin 1933, dhe nisi karrierën artistike në moshën 19- vjeçare. Alibali ka interpretuar edhe shumë role kinematografike. Ajo la pas një arkiv rolesh dhe interpretimesh në skenën e teatrit. “Rolet nuk mi jepnin, por i fitoja” do të shprehet ajo në një intervistë. Në fakt, karriera e saj u mbyll shumë shpejt. Pikërisht në vitin 1975, ajo u anatemua nga skena, madje dhe emri i saj u la në harresë. Por pavarësisht kësaj, aktorja Ferial Alibali mbeti në kujtesën jo vetëm të miqve dhe kolegëve që e kanë njohur, por dhe të publikut shqiptar.

Ajo spikati, sidomos në rolin e plakës Nicë, në përshtatjen për teatër të “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Në vitet ‘70, "Gjenerali..." është vënë me regji të Pirro Manit dhe me një grup aktorësh nga emrat më të njohur të historisë së teatrit shqiptar, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më. Naim Frashëri, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Pjetër Gjoka, Vangjush Furxhi, Anastas Kristofori, Prokop Mima, Gjon Karma, Fatos Haxhiraj, Luan Qerimi, Ferial Alibali, Mimika Luca, Violeta Manushi, Besa Imami, Drita Pelinku, Marije Logoreci, Margarita Xhepa, Pavlina Mani, Shkëlqim Basha, Ilia Shyti, Xhemil Tagani, kanë sjellë atëkohë një shfaqje të suksesshme që bëri turne edhe në skena të tjera shqiptare, përveç asaj të Teatrit Kombëtar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›