E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira e Kapitit!

Ejup Mehmeti – Kapiti i ka dhënë fund para kohe eksperiencës në FC Prishtina. Trajneri prishtinas të enjten ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga kampioni aktual i Kosovës, për shkaqe shëndetësore dhe familjare. Deri në emërimin e trajnerit të ri, që pritet të zgjidhet javën tjetër, bardh e kaltrit do t’i udhëheq ndihmësi i tij i deritashëm Ali Osmani.

Bashkëpunimi ndërmjet FC Prishtinës dhe Ejup Mehmetit – Kapitit, ka marrë fund përfundimisht të enjten.

Kësaj lidhjeje të shkurtër i ka dhënë fund vetë trajneri kosovar, i cili ofroi dorëheqje të parevokueshme, për të cilën e ka njoftuar Bordin e klubit, përmes një letre.

Edhe pse spekulohej vazhdimisht për një shkarkim të tij të mundshëm, ishte vet Kapiti ai i cili e la Prishtinën, duke i treguar edhe arsyet.

“Dëshiroj t’ju informoj se pas një periudhe të kaluar në FC Prishtina, ku raportet në mes të Bordit Drejtues, Menaxhmentit dhe stafit tjetër kanë qenë të shkëlqyera, konform kontratës së realizuar mes nesh, paraqes dorëheqje nga ky post i rëndësishëm. Kërkesa ime për dorëheqje është e parevokueshme dhe bëhet për shkak të gjendjes sime shëndetësore dhe për shkaqe familjare”, ka shkruar Kapiti në këtë letër.

Me trajnerin që erdhi nga Gjermania, bardh e kaltrit udhëheqin në tabelën e Raiffeisen Superligës. Andaj, rezultatet nuk lidhen assesi me vendimin e tij. Ish futbollisti kosovar i ka uruar suksese ekipit të tij të zemrës.

“Sukseset e arritura me Prishtinën, pozita e parë në tabelë, më bën të shpresoj në një të ardhme të ndritur për klubin e zemrës sime. Me këtë rast falënderoj kryesinë e klubit, drejtorin menaxhues, bashkëpunëtorët, lojtarët e FC Prishtinës dhe simpatizuesit ‘Plisat’, për një përkrahje të vazhdueshme gjatë punës sime si kryetrajner”, ka vazhduar ai.

Katër opsione për pasardhësin e Kapitit

Ende pa u larguar mirë Kapiti, patën filluar të qarkullonin zëra për pasardhësin e tij eventual. Bylbyl Sokoli ishte opsioni i parë, për të vazhduar më pas me Afrim Tovërlanin dhe Muharrem Sahitin, për të cilët, kryesia ishte ndarë në dysh me mendime.

Edhe trajneri i të rinjve të ekipit kryeqytetas, Shefqet Sinani, duket të jetë një opsion për prishtinasit. Prandaj, njëri nga katër të lartpërmendurit mund ta drejtojë ekipin prishtinas në vazhdim të sezonit.

Sipas të gjitha gjasave, trajneri i ri i Prishtinës do të zgjidhet javën e ardhshme, pas rikthimit në Kosovë të kryetarit të klubit, Remzi Ejupi.

Ky i fundit thotë se kah e hëna, Bordi i klubit do të bisedojë rreth angazhimit të trajnerit të ri.

Ndërkaq, në fundjavë, në ballafaqim me Llamkos Kosovën, Prishtinën mund ta drejtojë Ali Osmani, ndihmës i deritashëm i Kapitit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›