E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohet koalicioni LDK - AAK në Kamenicë

Me vendim të Kryetarit të Komunës së Kamenicës nr. 02/4750 të datës 18/10/2012, është shkarkuar Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor Ilir Kastrati. Ky vendim është marrë si pasojë e mos bashkëpunimit me Kryetarin e Komunës në kryerjen e detyrave si dhe mos komunikimin dhe mos bashkëpunim me drejtorët e drejtorive tjera komunale. Me këtë rast Kryetari i komunës së Kamenicës Shaip Surdulli, me një vendim tjetër (02/4751), ka emëruar ushtrues detyre Drejtorin e Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi Irfan Dërmakun, që ti kryej punët dhe detyrat e punës përkatëse të Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor deri në emërimin e drejtorit të ri, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e kryetarit të Komunës Shaip Surdulli.

Shkarkimi i drejtorit të Urbanizmit në Kamenicë, edhe pse i paralajmëruar duket se e ka zënë në befasi AAK-në, nënkryetar i së cilës është drejtori i shkarkuar Ilir Kastrati.

Kastrati ka thënë se në ditët në vijim ai do t`i sqaroj të gjitha arsyet dhe ndërhyrjet që i janë bërë në punë. Ai menjëherë pas pranimit të vendimit ka thënë se ndihet krenar për punën që ka bërë në këtë drejtori dhe për zbatueshmërinë e ligjit edhe përkundër presioneve që i ka pasur.

Sherri i fundit i dhënies së lejes ndërtimore për një objekt të Bashkësisë Islame në parkun e qytetit të Kamenicës ka qenë vendimtar për shkarkimin e drejtorit Kastrati.

Por nënkryetari i AAK-së duket se nuk e ka pasur as mbështetjen e subjektit të vet politik i cili koalicionin me LDK-në gjithnjë e ka trajtuar nën mëshirën dhe vullnetin e partnerit tjetër politik LDK-së. Kryetari i AAK-së që njëherësh është i emëruar edhe nënkryetar i Komunës Lulzim Leci ka than se vendimi për shkarkimin e Ilir Kastratit është bërë pa u pyetur AAK-ja.

“Nuk ka pasur marrëveshje për shkarkimin e Ilir Kastratit, se po të kishte marrëveshje, ne do ta prezantonim që sot emrin zëvendësues. Kryetari Shaip Surdulli, e ka marrë këtë vendim pa u konsulltu me neve. Vendimin e shkarkimit nuk e kemi parë akoma. Presim me u taku me kryetarin, dhe me u shpjegua situata.” ka thënë Leci.

Hapat e mëtejmë të AAK-së i ka sqaruar shkurtimisht nënkryetari tjetër i kësaj partie, Kryesuesi i Kuvendit Komunal Enver Mavriqi, sipas tij pritet që partia të mblidhet dhe të marrë vendim se si do të vazhdojë më tutje.

“Mendoj, se pas këtij veprimi të kryetarit Surdulli, AAK-ja duhet ta thërras mbledhjen e kryesisë së subjektit dhe t’i analizojmë gjërat se si do të veprojmë më tej.” tha Mavriqi, ai nuk ka komentuar nëse veprimi i Surdullit, do t’i prish raportet e partnerëve të koalicionit.

“Unë jam kryesues i Kuvendit Komunal, për hapat e mëtejmë është mirë të pyetet kryetari i degës së AAK-së” ka thënë Enver Mavriqi. Mundësia për emërimin e një drejtori bashkëpunues të urbanizmit nga AAK-ja ka mbetur e hapur.

“Nuk kemi biseduar akoma për emrin që do ta zëvendësoj Kastratin. Nuk e konsideroj shumë urgjente këtë punë, drejtoria e Urbanizmit funksionon ka stafin e saj, kryetari e ka caktuar ushtruesin e detyrës dhe besoj që nuk është domosdo që kjo punë të kryhet brenda ditës së sotme, por jo dhe luks të shtyhet pafundësisht.” ka thënë Mavriqi

Kryetari i Kamenicës, Shaip Surdulli, në një prononcim për radio Premiera ka thënë se ai ka qenë në kontakt me nënkryetarin Lulzim Leci që drejtori Kastrati të punojë më mirë.

“Kemi qenë në kontakt me zëvendës kryetarin Lulzim Leci, derisa ai nuk ka mund të bëjë zgjidhje që Iliri të punoj më mirë dhe të bashkëpunoj me kryetarin e Komunës.”

Surdulli ka shprehur bindjen se AAK nuk do të tërhiqet nga koalicioni “Nuk ka arsye dhe nuk besoj që AAK të tërhiqet nga koalicioni” ka thënë Kryetari Surdulli, ai gjithashtu ka deklaruar se vendimi për largimin e drejtorit dhe mundësinë e ndonjë koalicioni të ri nuk janë diskutuar me askënd “Nuk kam biseduar me asnjë subjekt tjetër politik, para se me marrë këtë veprim.” ka thënë Kryetari Surdulli./radiopremiera.info

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›