Lamtumira e fundit e Fatmir Xhindit
CEREMONIA
ROSKOVEC- KURJAN- Komuna Kurjan e Roskovecit, vendlindja e deputetit socialist, Fatmir Xhindi, është shndërruar dje në kryeqytetin shqiptar, teksa e gjithë politika, por edhe mijëra qytetarë të thjesht, kanë marrë pjesë në varrimin e deputetit të vrarë dy ditë më parë.
Një karvan i gjatë makinash nga e gjithë Shqipëria ka shoqëruar gjatë gjithë rrugës trupin e deputetit që prej 12 vitesh përfaqësonte atë zonë të varfër.
Një minutë heshtjeje ka qenë preludi i kësaj ceremonie, e cila vazhdoi me përcjelljen e trupit të pajetë drejt varrezave të fshatit Kurjan, 7 km larg Roskovecit, fshati i lindjes së të ndjerit Xhindi, por dhe vendi ku ai shërbeu për katër vjet (1992-1996) si kryetar komune.
Arkivoli është mbajtur dorë më dorë nga qytetarë dhe deputetë të shumtë. Trupi pajetë i deputetit i është dorëzuar familjes rreth orës 06.45 të mëngjesit të djeshëm. Ai ndodhej në spitalin e Fierit, ku ishte shpënë që në momentin e vrasjes.
Në orën 13.00, arkivoli me trupin e pajetë të deputetit Fatmir Xhindi është dërguar për t'i bërë nderet e fundit në Pallatin e Kulturës të Roskovecit. Mijëra njerëz që kishin mbushur rrugën kryesore të qytetit të Roskovecit kanë hyrë në sallën e këtij pallati duke bërë homazhe.
Më pas, rreth orës 15.00, arkivoli i shoqëruar nga deputet të PS-së është vendosur përballë Pallatit të Kulturës, ku është përshëndetur nga Kryetari i PS-së, Edi Rama, të afërm të deputetit dhe njerëz të njohur prej tij.