Lamtumirë “Hero i Kosovës”
(E plotësuar) Me nderime të larta shtetërore i është dhënë lamtumira e fundit pjesëtarit të njësisë speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, i cili ndërroi jetë mbrëmë pas plagëve të marra gjatë operacionit të policisë për të marrë nën kontroll dy pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.
Në ceremoninë mortore, e cila është mbajtur të mërkurën pasdite në Dubovc të Vushtrrisë, morën pjesë përfaqësues të institucioneve të larta të Kosovës, të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, si dhe qytetarë të shumtë.
Me këtë rast të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, i cili tha se sakrifica dhe vetëmohimi i Enverit është gurthemel i shtetit tonë të bazuar në vlerat moderne të njerëzimit dhe civilizimit.
“Enveri është hero i sundimit të mirës ndaj të keqes, lirisë ndaj robërisë, ligjit ndaj krimit. Ne besojmë se liria jonë është e garantuar me vullnetin e gjithë qytetarëve tonë. Aktet e grupeve kriminale nuk do të tolerohen në asnjë pëllëmbë të territorit tonë”, ka thënë ai.
Para ceremonisë së varrimit, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka nderuar familjen Zymberi me togun e nderit.
Enver Zymberi dekorohet me Urdhrin “Hero i Kosovës”
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka marrë sot vendim që Enver Zymberi, polic i njësisë speciale të Policisë së Kosovës, i vrarë në krye të detyrës, të dekorohet me Urdhrin “Hero i Kosovës”, me motivacion “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Vendimi u mor në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 28, si dhe në bazë të Rregullores për Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës, që i jep Presidentja e Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre, nenet 3 dhe 5.
Urdhri “Hero i Kosovës” u jepet qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe të huaj, të kohëve moderne, nga Lidhja e Prizrenit e këndej, që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Varrimi i policit Enver Zymberi do të bëhet me të gjitha ceremonitë dhe nderimet që janë të parapara për Heroin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga medaljen do t’ia dorëzojë familjes Zymberi në një ceremoni të veçantë.
Heroi i kufirit
Polici i plagosur i Njësisë Speciale të Kosovës, Enver Zymberi nga fshati Dubovc i Vushtrisë, në orët e vona të së martës ka ndërruar jetë në Klinikën Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Gjendja e tij shëndetësore ishte e rëndë që nga momenti kur ai u qëllua në kokë me snajper.
Ai ishte qëlluar gjatë rrugës për në pikën kufitare 31 në Bërnjak, nga serbët e revoltuar. Zymberi fillimisht ishte dërguar në spitalin e jugut në Mitrovicë, e pastaj me helikopter të KFOR-it ishte bartur në QKU.
KMDLNJ në Mitrovicë ka sqaruar se Zymberi është plagosur rreth orës 15:00, në afërsi të pikës nr. 31 në Bërnjakë, derisa pjesëtarët e Njësisë Speciale po shkonin me automjete drejt kësaj pjese të kufirit. Sipas KMDLNJ-së, ata janë sulmuar nga të dyja anët e rrugës nga bandat kriminele serbe të armatosura.
Në një konferencë për gazetarë, zyrtarë të QKU-së dhe të Policisë kanë bërë të ditur se Zymberi ka ndërruar jetë rreth orës 22. Lëndimet e shkaktuara në fytyrë nga predha që e ka goditur kanë qenë fatale për të. Kryeministri Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Zymberi.
”Sakrifica e Enverit në mbrojtje të kufijve të atdheut, të shtetit të Kosovës, do të mbetet përherë në kujtesën dhe zemrën e qytetarëve të Kosovës, duke identifikuar njëkohësisht përkushtimin e tij për mbrojtjen e lirisë dhe paqes në vendin tonë”, thuhet në telegramin e Thaçit dërguar të martën vonë në mbrëmje.
Zymberi, baba i tre fëmijëve, ishte pjesëtar i Njësisë Speciale që nga viti 2000.
Ndërkohë, mediat lokale serbe kanë njoftuar se të plagosur ka edhe nga serbët lokalë, të cilët kanë sulmuar pjesëtarët e Njësisë Speciale. Sipas këtyre mediave, në Zubin Potok dyshohet se janë plagosur tre serbë, por nuk ka informacione për gjendjen e tyre shëndetësore.