E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë Gary Moore, kitara e fundit irlandeze

Kitaristi legjendar i muzikës blues dhe rock dhe krijuesi i muzikës më të njohur në botë “Still got the blues”, Gary Moore, është gjendur i vdekur në një hotel në Spanjë. Menaxheri i grupit irlandez Thin Lizzy të rrokut, grup me të cilin Gary Moore u bë i njohur, tha se trupi i tij pa jetë u gjet në një hotel luksoz në Costa del Sol të Spanjës. Moore ndodhej atje me pushime bashkë me të dashurën. Ka qenë kjo e fundit që ka gjetur trupin pa jetë të të dashurit, e cila më pas në gjendje shoku ka telefonuar miqtë dhe familjarët për t’i dhënë lajmin e hidhur. Sipas autopsisë, vdekja ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit të 6 shkurtit, ndërkohë që ai ka qenë në gjumë. Autopsia ka treguar se shkak i vdekjes ka qenë pamjaftueshmëria respiratore, shkaktuar nga enfisema pulmonare, por disa të dhëna tregojnë se kjo mund të ketë ndodhur edhe si pasojë e përdorimit të ndonjë substance narkotike të përzier me alkool. Gjithsesi, rezultatet përfundimtare do të bëhen të ditura në ditët në vazhdim edhe pse miqtë e tij deklarojnë se Gary Moore nuk ishte si shumë kolegë të tjerë viktimë e jetës rock`n roll, me alkool dhe droga. Kolegu i tij Eric Bell thotë: "Ai ishte djalosh i shëndetshëm". Edhe Brian Downey, bashkëpunëtor i vjetër i tij, e përshkruan kështu shokun: "Unë nuk mund ta besoj që ai nuk ekziston më". Kitaristi pasardhës në grupin Thin Lizzy, Scott Gorham, deklaroi: "Ishte nder i madh të dilje me të në skenë". Moore, i lindur në vitin 1952 në Belfast, filloi të luante kitarë në moshën tetëvjeçare. Që në vitin 1969 filloi të fitonte para me muzikën e tij së bashku me Phil Lynott-in e grupit irlandez Thin-Lizzy. Krahas bashkëpunimit në këtë grup ("The Boys are Back in Town", "Whiskey in the Jar") Moore punoi ndër të tjera edhe me ish - beatles-in George Harrison, me Beach Boys dhe me Ozzy Osbourne. Së fundi Moore bëri karrierë si këngëtar dhe kitarist solo, duke e ndryshuar disa herë stilin e muzikës nga hardrock në heavy metal. Në fund ai iu kthye bluzit, pasi luajti në vitet ‘90-të shumë ritme Drum n'Bass. Moore ishte në 58 vjeç dhe ka lindur në Irlandën e Veriut. Ai ka qenë pjesëtar në disa grupe rok, përfshirë edhe grupin Thin Lizzy. Më pas kitaristi ndoqi një karrierë solo, duke krijuar këngë mjaft popullore si Parisienne Walkways. Gjatë karrierës së tij ai ka luajtur në skenë me artistë të mëdhenj, si BB King, Greg Lake dhe Albert Collins. Konsiderohej si një prej kitaristëve të muzikës rock më të mëdhenj të brezit të tij. Gary Moore ra në dashuri me kitarën kur ishte në moshë shumë të re dhe kjo ishte ajo që ai pat deklaruar në një intervistë: "E dua shumë tingullin e kitarës. Im atë ka qenë promovues në Irlandën e Veriut. Jam rritur në Belfast, pranë një qendre muzikore dhe im atë më çonte atje për të parë grupe muzikore". "Kështu u dashurova me kitarën dhe kjo ka qenë në mendjen time kur isha në shkollë," ka thënë artisti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›