Dorina Leka përkrah Tatangelos në Sanremo
Dorina Leka, protagonistja shqiptare e X-Faktor, do të debutojë në Festivalin e Sanremos bashkë me “tutoren” e saj në X-Faktor, Ana Tatangelo. Vajza e kompozitorit Gjergj Leka, pavarësisht “konflikteve” që ka patur gjatë programit të talenteve në Itali me “tutoren” e saj Tatangelo, kjo e fundit e ka vlerësuar gjithmonë atë duke e përzgjedhur dhe si shoqëruesen e saj në Festivalin më të rëndësishëm të këngës italiane, Sanremo. Dyshja Leka-Tatangelo do të këndojnë në skenën e Sanremos këngës “Bastardo”. Leka nuk është shqiptarja e vetme që do të ngjitet në skenën e Festivalit të 61-të të Këngës Italiane, që zhvillohet nga data 15-19 shkurt. Në edicionin e këtij viti do të jenë dhe dy këngëtarët italianë me origjinë shqiptare: Ana Oxa dhe Al Bano. Mediat italiane ndërkohë kanë theksuar faktin se në edicionin e këtij viti shumë prej pjesëmarrësve janë me gjak shqiptar.