Mesazhi i Kadaresë te “Mosmarrëveshja”
“Zakonisht Zoti më përpara i jepte përmes orakullit mesazhet e tij, ndërsa sot në kohët moderne Zoti i çon mesazhet përmes shkrimtarëve”- kështu do të shprehej diplomati Dritan Hila për librin më të fundit të shkrimtarit Ismail Kadare “Mosmarrëveshja”, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten. Në libër Ismail Kadare i kthehet edhe njëherë debatit të identitetit. Për ta bërë këtë, shkrimtari ka zgjedhur këtë herë të flasë përmes një sprove letrare. Në libër shkrimtari shpall hapur se e keqja na vjen më shumë nga vetja, sesa nga bota; se një frymë antishqiptare ka gjalluar në shekuj dhe vazhdon edhe sot, se çmitizuesit e kanë vënë në shënjestër Skënderbeun. Libri është prezantuar dje në mjediset e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në një aktivitet të organizuar nga PEN e Shqipërisë në bashkëpunim dhe me shtëpinë botuese “Onufri”. Një libër që vetë shkrimtari është shprehur se synon që t’i ndihmojë shqiptarët të orientohen drejt. Kështu e sheh edhe diplomati Dritan Hila, i cili e sheh këtë vepër si një mesazh që na vjen nga Zoti përmes Kadaresë, për të shkuarën dhe të ardhmen tonë. “E lexova këtë vepër brenda natës, e lexova brenda natës se nga kjo vepër unë nxora disa mësime të mëdha. Së pari, shumë politologë thonë se po jetojmë në epokën e globalizmit, në një epokë ku kombet do të zhduken, kombet do të bëhen popuj, atdheu do bëhet truall, gjuha do të behet dialekte dhe nuk do jemi më një komb, prandaj duket e kotë të këmbëngulim në forcimin e identitetit tonë. Por kjo mua më rezulton e dyshimtë, sepse ata që e mbështesin më shumë këtë tezë janë ata që në bashkëpunim me të tjerët ngrenë teori dhe praktikojnë në shtetin tonë një çgjyrim të kombit shqiptar, por në kahun tjetër një forcim të etnitetit të tyre në kurriz të etnisë sonë dhe më pëlqen të them se përfundimisht kemi një zë që është zëri i Kadaresë që e thotë këtë. Ka nga ata që thonë se me popullin turk jemi vëllezër, por përveç fesë muslimane që e ka një pjesë e popullsisë sonë, nuk na lidh asgjë. Ne ishim të parët që pranuam krishterimin, ata erdhën me shpatë në dorë e na masakruan. Gjithashtu, ne u kemi dhënë shkrimtarë e burra shteti, ata na lanë gjellë për qen në luftën ballkanike. A jemi me grekët dy popuj miq? Mendoj se jo, sepse kemi masakra dhe gjenocid që kanë bërë ndaj nesh. Nuk mund të flasim për serbët, që e kanë në doktrinën e tyre shfarosjen e popullsisë shqiptare etj. Kadareja thotë se ne jemi një komb po aq i vjetër dhe i barabartë me të tjerët në Ballkan. Unë mendoj se ky është një mesazh që jep kjo vepër. Por e kam parë veprën e Kadaresë dhe si një paralajmërim për një fakt. Dua të prek një çështje e cila ka për të qenë në ditët e ardhshme një problem, që është regjistrimi i popullsisë mbi fenë. Po asistojmë të gjithë me atë që quhet elementi grek në jug. Gjithashtu, shohim shoqatat e minoriteteve vllahe, të cilat kanë filluar të kërkojnë minoritetet e tyre në Shqipëri. Mendoj se kjo është një përpjekje për ta paraqitur Shqipërinë si një shtet multietnik, në një kohë që, sipas statistikave jemi një komb i pastër etnik. Unë në vetvete jam një njeri që besoj në bashkëjetesën e popujve. Në këtë aspekt e kam parë veprën e Kadaresë si një paralajmërim për këtë fakt. Mendoj se Kadareja e ka dhënë kumtin e vet për shqiptarët me librin e tij “Mosmarrëveshja” - u shpreh diplomati Dritan Hila. Për botuesin e “Onufrit” Bujar Hudhri libri “Mosmarrëveshja” ishte një libër që i duhej lexuesit shqiptar. “Prej më shumë se 15 vitesh që unë bashkëpunoj me Kadarenë nuk e kam parë asnjëherë tek ai dëshirën e rrallë që një shkrimtar mund të ketë për të botuar një libër. Kjo ndodhi me librin ‘Mosmarrëveshja’. Pashë tek ai pikërisht këtë dëshirën e rrallë për ta botuar këtë libër. Dhe për mua si botues ishte më e qartë se ky libër ishte i nevojshëm për lexuesin shqiptar, ishte i nevojshëm për kontekstin e tij, ishte i nevojshëm për përmbajtjen e tij. Dhe lexuesi shqiptar e ka mirëpritur këtë libër. Në këtë libër çdokush mund ta kuptojë se Kadare nuk është në ‘Kullën e Fildishtë’, por ai jeton me të kaluarën dhe të tashmen e popullit shqiptar dhe këtë e ndien në çdo rresht të këtij libri. Unë mund t’ju them se ndërkohë Kadare po punon intensivisht në Paris dhe po përgatit botimin e dytë të ‘Marrëveshjes’, duke shtuar fakte të reja” - rrëfen projektin e fundit të shkrimtarit botuesi Bujar Hudhri. Diskutuan mbi librin edhe profesor Xhevat Lloshi, profesor Josif Papagjoni, Maks Velo dhe Uran Butka. Profesor Xhevat Lloshi në kumtesën e tij u ndal te gjuha e Kadaresë. Sipas tij, vepra e Kadaresë nuk është disa fjalë të reja, por është e gjitha. Ai ka shkelur shtigje të pashkelura në gjuhën shqipe, mbi të cilat po ecin dhe shkrimtarë të tjerë. “Ismail Kadare është çliruesi i gjuhës artistike shqiptare. Pas Kadaresë gjuha e letërsisë shqipe nuk është më ajo e dikurshmja. Ai e bëri gjuhën shqipe jo thjesht më të pasur, por më artistike, më shprehëse, më tronditëse.”- u shpreh ndër të tjera profesor Xhevat Lloshi. Ndërsa profesor Josif Papagjoni në kumtesën e tij u ndal në mesazhin që përcjell sprova letrare e Kadaresë “Mosmarrëveshja”. Sipas tij, kjo sprovë duhet lexuar si një filozofi e historisë.