Shpërthimi në një shtëpi lë 19 të vrarë në Ukrainë
Autoritetet në Ukrainë bënë të ditur se 19 persona, përfshi dy fëmijë, kanë vdekur dhe të paktën 24 të tjerë figurojnë të zhdukur pas një shpërthimi në një ndërtesë banimi në qytetin Jev Patoria në Krime. Ekipet e shpëtimit gërmuan nën rrënoja për të gjetur të mbijetuar nga shpërthimi që shkatërroi ndërtesën 5-katëshe. Ata thanë se 21 njerëz kanë mundur të shpëtojnë nga kjo tragjedi. Kryeministrja e Ukrainës Julia Timoshenko dhe Presidenti Viktor Jushçenko u takuan në Jev Patoria me zyrtarët. Ndërkohë, Presidenti rus Dimitri Medvedev ofroi të dërgonte personel të marinës nga flota ruse në Detin e Zi për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit. Autoritetet po punojnë për të gjetur shkakun e shpërthimit. Raportet paraprake tregojnë se ai mund të ketë ndodhur nga cilindrat e oksigjenit apo acetilenit që mund të kenë qenë të vendosura në qilarin e ndërtesës.
26 Dhjetor 2008