E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, trazirat vazhdojnë edhe për Krishtlindje



Trazira janë shënuar në Greqi edhe gjatë festës së Krishtlindjeve. Protestuesit u munduan të prishin meshën e mesnatës duke vendosur mbishkrime në muret e Kishës kryesore Ortodokse në Athinë. Sulmet kanë filluar që në mesnatën e pardjeshme, me djegien e një banke në rajonin Palio Faliro. Rreth 700 të rinj grekë protestuan nëpër zonën kryesore tregtare të Athinës me kërkesë lirimin e personave të arrestuar gjatë trazirave në javët e kaluara. Protestuesit tensionuan rrugën kryesore të dyqaneve, duke prishur planet e njerëzve për blerjet e rastit. Shtatë makina të filiale të bankave dhe zyra të ndërtesave qeveritare në Athinë u dëmtuan. Trazirat në Greqi, të cilat shpërthyen pas vdekjes së adoleshentit 15-vjeçar, Aleksandros Grigoropulos, kanë shkaktuar qindra milionë euro dëme, - vlerëson media perëndimore.

Mali i Zi, së shpejti marrëdhënie diplomatike me Kosovën

Shefi i diplomacisë së Malit të Zi, Millan Roçen, ka thënë se vendi i tij së shpejti do të vendosë marrëdhënie diplomatike me shtetin e pavarur të Kosovës. Ai po ashtu tha se nuk do të ngutet me vendosjen e ambasadorit të ri në Serbi. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Miliband, ka deklaruar se Serbia mund të bëhet kandidate për hyrje në BE në vitin 2009 nëse i plotëson obligimet ndaj Tribunalit të Hagës dhe luan rol pozitiv dhe konstruktiv në rajon. Në një shkrim autorial për “Veçernje Novosti”, Miliband është shprehur se e di që do të vazhdojnë mospajtimet për Kosovën por ka shtuar se duhet të fokusohen në qëllimin e përbashkët, që të gjitha bashkësitë të jetojnë në paqe.

Bakojanis: “Padia në Hagë, hap taktik i Gruevskit”

“Padia e Shkupit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës është një hap tjetër taktik i Nikolla Gruevskit”, - kështu u shpreh shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, në një intervistë për revistën “Armi”, njoftojnë mediat greke. Bakojanis theksoi se Athina ka arsye të fuqishme politike dhe të së drejtës, me të cilat do të marrë pjesë në procedurën gjyqësore. “Nga momenti kur Shkupi do të kërkojë përgjigje edhe nga një organ ndërkombëtar, ne do të jemi aty”, - tha Bakojanis. Maqedonia pretendon se Greqia nuk ka zbatuar një marrëveshje sipas së cilës shteti fqinj nuk kishte të drejtë të pengonte anëtarësimin e Shkupit në NATO.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›