E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumirë Ramadan Sokoli!

• Etnomuzikologut të njohur shqiptar Ramadan Sokolit, i ndarë nga jeta mbrëmjen e së hënës, dje i është dhënë lamtumira e fundit, nga miqtë, të afërmit dhe dashamirësit e artit të tij.Në një ceremoni të organizuar nga familja dhe Ministria e Kulturës në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dje i janë bërë homazhet e nderimit. Profesor Ramadan Sokoli është i njohur si një nga figurat e shquara të kulturës shqiptare dhe fushës së studimeve. Miku i tij, i cili i kushtoi dhe veprën e fundit, Osman Xhatufa tregon se, kohët e fundit Sokoli nuk shkruante më. “E kam takuar kohët e fundit dhe nuk është se punonte. Ishte i sëmurë këto kohë dhe nuk mund të shkruante. Ai kishte nostalgji të madhe për kombin e tij dhe e kujtonte vazhdimisht. Madje, veprat e tij, ato të pabotuarat kanë ngelur si relike në shtëpinë e tij, por dua të theksoi se pjesën më të madhe, të veprave të tij Sokoli i botoi vitet e fundit, vitet e demokracisë. Këto vite ai shkroi një vepër enciklopedike për gjashtëmbëdhjetë shekuj, në të cilën përfshihen që nga shekulli IV ku janë zbuluar shumë autorë, deri te Fan Noli e Jan Kukuzeli. Gjithashtu vlen të thuhet se Ramadani në fushën e këngës ka lënë këngë të bukura, megjithëse kanë kaluar gjashtë dekada. Ka shkruar shumë romanca dhe vepra instrumentale”, shprehet Xhatufa. Artisti i njohur ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Sokoli, njihet në botën artistike shqiptare si themelues i muzikologjisë shqiptare, si kompozitor albanolog, folklorist, historian dhe estet i historisë së artit e kulturës shqiptare. Ai është pinjolli i fundit i shquar në linjën mashkullore i familjes të vjetër qytetare e tepër të njohur aristokrate shkodrane, Sokoli. Ajo ç’ka të befason më shumë me statusin e tij personal është historia e titullit të tij, Profesor. Me emrin e Ramadan Sokolit është e lidhur historia e muzikologjisë shqiptare, vepra e tij shënon fillimin e kësaj disipline shkencore në Shqipëri. Nga ky studiues kemi studimet e para, që shtruan linjat nga nisi pastaj puna për studimet shqiptare. Ramadani u lind në Shkodër me 1920, pas shkollimit në vendlindje vazhdon studimet e larta në Padova, Itali, universitetin e famshëm ku studion për muzikë, moment me rëndësi pse profilizohet e ardhmja e tij. Por rrjedhat e fatit i sjellin ndryshime të mëdha në rrugën e tij si studiues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›