E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qiparisi 1000-vjeçar dëmton Kishën e Labovës

• Ndodhitë në Kishën e Labovës nuk rreshtin. Nëse deri para një muaji, u shënua vjedhja e 18 ikonave në këtë zonë të Gjirokastrës, dje një qiparis me një gjatësi të konsiderueshme është rrëzuar mbi të dhe ka shkatërruar çatinë e kishës.Kushtet atmosferike kanë bërë që qiparisi i mbjellë në oborrin e kishës gati 1000 vjet më parë të shkulej, duke rënë përsipër kishës. Trungu i pemës rënë mbi çati, jo vetëm ka thyer dërrasa të shumta mbi kupolën e objektit të kultit, por ka dëmtuar edhe çatinë e saj. Dëme janë shënuar gjithashtu edhe në muret anësore të këtij objekti, ku dallohen lehtas çarje të ndryshme, si dhe një zhvendosje e godinës nga qendra. Nga ky shkatërrim i çatisë së kishës, pikturat murale dhe afresket e saj rrezikojnë të dëmtohen falë motit me shira. Në këto kushte kërkohet një ndërhyrje e menjëhershme për riparimin e saj, pasi dëmtimi nga faktorët atmosferikë rrezikon vlera të pallogaritshme kulturore dhe historike. Rreth mëse një muaj më parë Kisha e lashtë e Labovës së Kryqit ka rënë sërish pre e grabitësve. Persona të panjohur kanë hyrë në objektin më të lashtë ortodoks, në jug të vendit, në fshatin Labovë e Kryqit të Gjirokastrës dhe kanë grabitur të 18 ikonat që gjendeshin në pjesën e sipërme të ikonostasit të kësaj kishe. Keqbërësit sipas gjasave të mundshme, kanë hyrë në brendësi të kishës përmes një dritareje të ngushtë të pjesës verilindore të saj dhe më pas kanë shkëputur të gjitha ikonat e vendosura, në një rresht të gjatë të pjesës së sipërme të ikonostasit, prej druri të gdhendur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›