E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pengu i Eqerem Çabej, pavarësia e Kosovës”

• Shpallet viti i profesor Eqerem Çabej.ANILA MEMA Me rastin e 100- vjetorit të lindjes së këtij personaliteti të njohur në fushën e letrave dhe albanologjisë, Ministria e Kulturës ka shpallur dje zyrtarisht 2008-ën si “Viti Çabej”. Në një konferencë për shtyp ku merrnin pjesë e bija Brikena,  ministri Ylli Pango, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, si dhe njerëz të njohur të letërsisë, u bë e ditur se ky vit do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh artistike për nder të këtij kolosi të shkencës albanologjike. “Në planet e ministrisë, këtë vit mund të realizojmë një konferencë kushtuar veprës së Çabejt dhe dijeve të albanologjike. Nuk do të jetë thjeshtë një konferencë përkujtimore, por do të bëhet lidhja me gjendjen aktuale të veprës, si dhe diskutimi për problemet e albanologjisë”, shprehet Plasari gjatë konferencës, duke shtuar se, për këtë vit duhet që edhe Ministria e Arsimit të kontribuojë. “Çabej ishte shumë punëtor dhe shumë modest njëkohësisht, raste të tilla takimesh për të ai nuk i donte në të vërtetë dhe i refuzonte, por natyrisht që janë të domosdoshme dhe do të uroja dhe dëshiroja që kjo ngjarje e rëndësishme e shpalljes së vitit 2008 si “Viti Çabej” u vendos të zhvillohet në mënyrë të tillë, që të dilnin në pah më shumë vlerat e veprës, më shumë se sa homazhi për personin”, shprehet e bija, Brikena. 2008-ta njëkohësisht përkon edhe me 100-vjetorin e Çabej, por edhe me 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit. “Mbi të gjitha këto janë dhe një dhuratë e mrekullueshme, si pavarësia e Kosovës, që Çabej e kishte peng shumë të madh, dhe e përsëriste deri në shtratin e vdekjes: borxh i madh që kemi ne, është pavarësia e Kosovës”, tregon e bija, e cila këto kohë po merret me ribotimin e mjaft veprave të tij. Çabej dhe jetaEqerem Çabej lindi në vitin 1908 në qytetin e Gjirokastrës dhe vdiq në vitin 1980, në Romë. Ai është një nga figurat më të shquara të shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Studimet e larta i ka mbaruar për filologji në Vjenë të Austrisë dhe u specializua në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Veprimtarinë shkencore e shtjelloi në gjuhësi, por edhe jashtë saj, në folklor, etnografi dhe histori të letërsisë. Në korpusin e veprës së tij, vend parësor zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, dialektologjia e onomastikës, si edhe kodifikimi i gjuhës letrare. Botimet “Ka disa vjet që po merrem me ribotimin e veprave, por sivjet do të jetë në mënyrë më intensive sepse merr shkas dhe nga 100-vjetori dhe pikërisht sot do të shkoj në shtypshkronjë, që të çoj një libër, që del për herë të parë në Shqipëri me leksione që ka mbajtur në Prishtinë, Kosovë”, shprehet ajo, botime, të cilat nuk kanë parë dritën e botimit më parë. Ndërkohë një tjetër botim është ai me titull “Shqiptarët në Itali”. “Ka disa vite që e mbaj nëpër duar këtë vepër, por do të ketë edhe tituj të tjerë që në një farë mënyrë zëre se s’janë botuar”, shton e bija.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›