E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumirë armë e Gentian Markut nga "Trinia e Shenjtë"

09/12/2004  TIRANË – Gentian Marku, megjithëse ëndërrthyer në moshën më të bukur, mund të prehet i qetë. Bekimin e fundit e mori nga prifti i fshatit të tij, Piraj. Eshtrat do t'i prehen pranë gjyshërve të tij. Asgjë nuk mund të dilte kundër dëshirës së shprehur nga vetë 22-vjeçari, as fakti se ai u shpall "Dëshmor i Atdheut" dhe si i tillë mund të kishte një varr nderi pranë dëshmorëve të tjerë në kodrën e "Dëshmorëve të Kombit". Qindra, në mos mijëra të afërm, bashkëfshatarë, punonjës të aparatit të ushtrisë, të ambasadës amerikane, të strukturave shtetërore, deputetë, të njohur të familjes, apo dhe qytetarë të thjeshtë, kanë qenë pjesë e njërit nga ceremonitë mortore më të mëdha të bëra gjatë viteve të fundit për një "Dëshmor të Atdheut". Shtëpia e familjes Marku, rrugica e fshatit, apo oborri i kishës së "Trinisë së Shenjtë", ku u mbajt mesha mortore, ishin të vogla për të mbajtur gjithë ata që gjendeshin aty për t'i dhënë lamtumirën të vrarit në Falluxha.

Morti

Ka patur një gjë ndryshe ceremonia e djeshme, nga të gjitha ceremonitë e tjera mortore. Ndoshta si në pak raste, filli ka qenë amaneti që ka lënë një djalë i sapokaluar të 20-at, i ikur vite më parë, atëherë kur vendi i tij nuk mund t'i ofronte më shumë sesa kaos. Morti i filluar prej ditësh në familjen Marku, në fshatin Piraj, disa kilometra në të dalë të Lezhës, dje ka qenë i rëndë për të gjithë. Lotët rrjedhin pa pushim, edhe pas gati dy javësh që është marrë vesh fati tragjik i marinsit që luftonte në Irak, nën flamurin amerikan. Dyshtetësia e tij në pasaportë, dje ishte e harruar, e vetmja "shtetësi" ishte dhembja për ndarjen e parakohshme. Që prej mesnatës të së martës, kohë kur trupi pa jetë i futur brenda arkivolit të mbyllur disa herë në mënyrë hermetike, ka mbërritur në fshatin e lindjes, hyrjet e daljet nuk kanë pushuar në shtëpitë e hapura për vdekjen e Gentianit. Fluksi më i madh i njerëzve ka qenë mëngjesin e djeshëm, deri para pak orës 11.00, kur ishte planifikuar që trupi i tij të dilte nga shtëpia për në drejtim të kishës së fshatit.

Ceremonia

"Kurrë ndonjëherë kjo kishë nuk ka parë kaq shumë njerëz, as për festa", kanë thënë dje banorë të ndryshëm të fshatit Piraj, ndërkohë që oborri i madh i kishës së "Trinisë së Shenjtë" nuk mund t'i mbante dot më të gjithë të pranishmit në ceremoninë e lamtumirës. Kurora të thjeshta, buqeta me lule, mbanin njerëz të ndryshëm në duar, ndërkohë që lot e dëshpërim shihej qartë në sytë e shumë të tjerëve. Fshati i vogël, me popullsi kryesisht katolike, është i veshur me të zeza. Rreth orës 11.20 këmbanat bien fort. Mesha fillon. Fjalët e apostujve lexohen njëri pas tjetrit, ndërkohë që familjarët janë gjithmonë e më të prekur, pasi pas çdo minute që kalon afron momenti i fundit, kur arkivoli do të mbulohet me dhe. Pas gati më shumë sesa një ore e gjysmë, arkivoli me trupin e marinsit shqiptaro-amerikan lëviz. Në krahët e kolegëve të tij dhe të disa të afërmve, amaneti i Gentit merr rrugë. Një breshëri të shtëna armësh i jep lamtumirën e fundit ushtarit Marku...

Babai: Faleminderit për gjithçka bëtë për tim bir

Dhimbja për humbjen e një fëmije asesi nuk mund të lërë shteg për shumë "burrëri". Zef Marku, megjithëse ka qenë vetë ushtarak dhe që në pamje të parë duket një burrë i fortë, para arkivolit dhe nderimeve që po i bëhen të birit të vrarë në Falluxha, nuk mund të mbajë lotët. Sytë e skuqur, duart që i dridhen, flasin shumë më tepër se çdo fjalë që mund të thotë ai vetë. Gjithsesi, edhe në ditën e tij më të keqe, "malësori" Zef Marku nuk mund të bëjë vetëm adetin. Ai ka shprehur dje falenderimin e tij për pjesëmarrjen në hidhërimin e tij si dhe është shprehur mirënjohës për nderimet që po i organizoheshin dhe nga shteti për të birin, që as luftoi nën flamurin shqiptar, por që la amanetin që ta varrosnin aty.

E ëma dhe e motra kujtojnë

porositë e letrës së fundit

Të bëra kruspull, nënë e bijë, duken të pafuqishme për t'i bërë ballë dhimbjes. Lotët për vdekjen e parakohshme të Gentianit nuk i janë tharë për asnjë minutë. E ëma sapo ka vënë këmbën në Shqipëri, ka vënë shaminë e zisë në kokë, sipas zakonit të zonës. E mbështetur në supet e të afërmve të saj, gruaja mbi të 40-at duket për së largu se nuk i ka ngelur më pikë fuqie. Ndërsa, motra e Gentit, Joana, e cila e ka marrë vesh e para lajmin për humbjen e vëllait të saj, herë pas here humbet në gjendje të fikti, sa i bën të gjithë të ndjehen më keq e të shpërthejnë në vaje të thekshme. Ata që i kanë shoqëruar që nga Amerika dhe që i kanë qenë pranë që prej momentit që është marrë vesh rënia e Gentianit në luftë, tregojnë se gruas dhe vajzës së Zef Markut, nuk i janë tharë sytë nga lotët. E ëma pas çdo vajtimi rënkon dhembshëm, se nuk donte që i biri të shkonte të luftonte atje. Gjithkush ndjehet i dobët përballë dhembjes së nënës e të bijës, që tani do të kenë një arsye shumë të fortë për t'u rikthyer herë pas here në Piraj, për të vënë një buqetë lulesh të freskëta mbi varrin e 22-vjeçarit, që donte të prehej në vendlindje.

Majko: "Gentiani e ka bërë të veçantë

me amanetin e tij këtë ditë"

"Dëshira e Gentit për t'u varrosur në vendlindje, e bën të veçantë dhe të rëndësishme këtë ceremoni". Kështu është shprehur dje në ceremoninë mortore të marinsit të vrarë në Irak, kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, Pandeli Majko. Dje, ministri i Mbrojtjes ka qenë i pranishëm në gjithë ceremoninë e lamtumirës që është bërë për 22-vjeçarin Marku. Majko ka qenë i shoqëruar dhe nga krerë të tjerë të ushtrisë dhe gjatë ceremonisë ka përcjellë dhe mesazhet e ngushëllimit të Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe deputetëve të Kuvendit për humbjen e të dashurit të tyre. "Ai u vra në krye të detyrës dhe ne të gjithë duhet ta falenderojmë për atë çka bëri", u shpreh Majko. Të pranishëm kanë qenë edhe deputetët e Parlamentit, Pal Dajçi, Edi Paloka, Preç Zogaj, Nikollë Lesi.

Nën flamujt amerikanë e shqiptarë, nga Rinasi në Lezhë

Ceremonia e lamtumirës për Gentian Markun ka zgjatur më shumë se 12 orë. Ka filluar që mbrëmjen e së martës, rreth orës 23.00 në aeroportin e Rinasit, ceremonia zyrtare për përjelljen për në banesën e fundit të marinsit shqiptaro-amerikan, të vrarë në Falluxha, dhe është mbyllur pas mesditës së djeshme. Mbrëmjen e së martës pas më shumë se 30 minutash që avioni i "Alitalia"-as sillej mbi qiellin e mbuluar me mjegull të Rinasit, piloti i avionit ka bërë sforcon më të madhe dhe për nder të ushtarit të vdekur që po transportonte, ka ulur me shumë përpjekje avionin në pistë. Pas daljes së pasagjerëve të linjës ka filluar dhe ceremonia zyrtare e pritjes së arkivolit me trupin e Gentit. Për të pritur trupin, përveç familjes së tij, që kishte ardhur disa orë më parë në Rinas, kishin shkuar dhe krerët e Ministrisë së Rendit dhe asaj të Mbrojtjes. Në mesin e tyre ka qenë dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Reis, e cila ka pritur ushtarin dhe qytetarin me pasaportë amerikane, Gentian Marku. Arkivoli me trupin e Markut ka dalë nga avioni dhe është mbajtur në krahë nga ushtarë shqiptarë dhe amerikanë përgjatë gjithë rrugës, deri te shtrati i topit. Të atit të ushtarit të vrarë në krye të detyrës i është dhënë medalja e akorduar nga ana e Presidentit Moisiu si "Dëshmor i Atdheut". Tingujt e marsheve funebre kanë shoqëruar për gjatë më shumë se 30 minuta ceremoninë zyrtare, përcjelljen e trupit të ushtarit të vrarë në luftë nga avioni, që e ka sjellë deri te makina e ushtrisë, me të cilën trupi i tij rreth orës 24.00 është nisur në drejtim të fshatit të lindjes, Piraj, ku Genti kishte lënë amanet që ta varrosnin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›