E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrogozhinë, mblidhen 203 armë

09/12/2004  

Fushata për dorëzimin vullnetar të armëve zbret në Rrogozhinë. Dje paradite, në këtë qytet, u zhvillua ceremonia e grumbullimit të 203 armëve të ndryshme. Zëdhënësja për shtyp e Policisë së Qarkut bën të ditur se ishin të pranishëm në këtë aktivitet ministri i Rendit Publik, Igli Toska, drejtori i Përgjithshëm, Bajram Ibraj si dhe krerë të komisariatit të Kavajës. Alma Katragjini shton se gjatë fushatës për mbledhjen e armëve dhe municioneve luftarake, u aktivizuan të gjitha shërbimet si dhe u kombinua puna me bashkinë e Rrogozhinës dhe drejtoritë e shkollave. Vetëm në 20 ditë u arrit magazinimi i 84 automatikëve, 115 pushkëve, 4 pistoletave, 10 predhave dhe 10 mijë municioneve luftarake. Afati përfundimtar i dorëzimit vullnetar të armëve është data 31 maj i vitit 2005. Brenda kësaj periudhe asnjë qytetar nuk ka përgjegjësi ligjore, kur dorëzon vullnetarisht. Policia shpreson në mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e komunitetit, pasi pas skadimit të afatit të përcaktuar, do të veprojë forca e ligjit për të gjithë ata qytetarë, të cilët nuk dorëzojnë armët në polici.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›