E Diel, 1 Nëntor 2026

Pedagogët, drafti duhet plotësuar

09/12/2004  

Pedagogët sot do t’i paraqesin grupit ndërministror propozimet e tyre për zgjidhjet që janë lënë evazive

Pedagogët, drafti duhet plotësuar

Komisioni i grevës së Universiteteve bie darkort parimisht me draftin e Qeverisë

Denisa Xhoga

Pedagogët ranë dakord parimisht me draftin e përgatitur nga grupi ndërministror, sot ata do t’i paraqesin grupit ndërministror, propozimet e tyre për pikat evazive. Ky draft do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë greva vazhdon. Mbledhja e Komisionit të grevës ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes.

S’janë dakord me këto pika

“Drafti kishte disa pasaktësi dhe çështje evazive, siç është thënë që buxheti i Ministrisë së Arsimit do të jetë sa ai i vitit të kaluar, nuk do të ulet, por nuk është thënë se sa do të jetë ai i universiteteve. Është thënë se paga e profesorit do të jetë sa ajo e drejtorit të lartë në Këshillin e Ministrave, por janë dy lloj drejtor drejtorie. Në piramidën e pagave kjo i korrespondon A8, por ne nuk e dimë se sa është vlera në lekë e A8-ës, apo e asistentë pedagogut, B4, s’e dimë se sa është vlera në lekë. Ndërkohë, këto paga do të rishikohen në muajin shkurt, kur do të bëhet ristudimi i gjithë pagave të buxhetorëve, nuk e dimë do të shtohen apo do të ulen në shkurt. Njëkohësisht, ka një kundërthënie se shkruhet që efektet financiare nisin nga 1 janari”, tha Ismail Hoxha, shef i profesoriatit të Universitetit Politeknik dhe kryetari i grevës së pedagogëve. Një tjetër pikë, me të cilën nuk kanë rënë dakord univeristetet është ajo e pagave të punonjësve administrativ, laborantëve të universiteteve. Është thënë se janë futur në skemën e shërbimit civil, por nuk është thënë se sa do të jenë pagat sipas shërbimit civil.

Janë dakors me këto pika

Ndërkohë me pikat e tjera si me propozimin për krijimin e Këshillit Kombëtar të Politikave Arsimore, që do të përpiloj politikat në përputhje me Kartën e Bolonjës, pedagogët kanë rënë dakord. Po kështu, qeveria ka pranuar tërësisht dhënien e autonomisë institucionale universiteteve, si dhe dhënien e autonomisë financiare.

Në draft është shkruar se përcaktohet që limitet e të ardhurave dytësore, që krijojnë shkollat e larta, të jenë të barabarta me realizimin faktik të tyre. Qeveria mori përsipër të ndryshoj vendimin e Këshillit të Ministrave për prokurimet, duke i dhënë të drejtat dhe përgjegjësitë ligjore shkollave të larta në nivelet që njeh ligji, në lidhje me programimin dhe zhvillimin e procedurave të prokurimit. Ministria e Financave, nëpërmjet një akti, do të bëjë të mundur përdorimin e të ardhurave dytësore të realizuara nga shkollat e larta për vitin 2004, aktualisht të papërdorura.

Pedagogët në piramidën e pagave të buxhetorëve

Profesori- ka qenë B2: 65000 lekë të reja shkon në A8: 87476 paga bazë. Përfiton shtesë funksioni 9% shkon në 95349

Zbriten sigurimet shoqërore, taksa 20 mijë lekë të reja, marrin në dorë rreth 70000 lekë të reja

Asistent pedagogu- ka qenë C3: 32 075 lekë të reja shkon në B4: 45 238 paga bazë. Përfiton shtesë funksioni 6% shkon në 47952 lekë të reja. Zbriten sigurime shoqërore, taksa marrin në dorë rreth 35000 lekë të reja

Pagat e doktorit të shkencave, doktorit të shkencave pedagogut, zbresin përkatësisht 10-15%

Studentët-Qeverisë: Duam mësim

Qeveritë Studentore, me anë të një proteste, i kërkuan edhe një herë Kryeministrisë që të zgjidhë sa më parë kërkesat e pedagogëve, në mënyrë që të rinisë mësimi. Ata organizuan dje një protestë studentore pranë godinës së Kryeministrisë. Qeveritë Studentore vazhdojnë të mbështesin shqetësimet e drejta të pedagogëve, në lidhje me problemet që po kalbëzojnë sistemin e Arsimit të Lartë në Shqipëri, burimi kryesor i të cilave është vendimmarrja e centralizuar në strukturat e Qeverisë së Shqipërisë që merren me çështjet e Arsimit të Lartë. Ata kërkojnë që të jenë palë në procesin gjatë të cilit do të hartohet baza ligjore dhe nënligjore për funksionimin e autonomisë financiare të universiteteve, kjo për asrye se gjatë hartimit të akteve ligjore e nënligjore për autonominë financiare të universiteteve duhet të merret parasysh edhe mendimi dhe interesat e studentëve si një nga aktorët kryesorë në jetën e universitetit. Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, qeveritë studentore duhet të jenë aktor, njësoj si dekanët e rektorët në vendimmarrje, pasi janë të zgjedhur nga studentët. Ata kërkojnë që tëjenë palë në hartimin e vendimeve për arritjen e autonomisë dhe kartës së studentit.

Elbasan, zyrtarizohet greva e pedagogëve

Për herë të parë, pas një muaji grevë nga ana e pedagogëve dhe studentëve në Univeristetit Politeknik në Tiranë, Elbasani deklaron se mbështet unanimisht grevën dhe do të jetë së bashku me komisionin e ngritur për të pritur zyrtarizimin e plotësimit të kërkesave nga ana e qeverisë. I renditur në komisionin e grevistëve një prej pedagogëve të Elbasanit, Ylli Yzeri, ka deklaruar se zyrtarizimi i sotëm është vetëm një fakt mbështetës ndaj grevës së përgjithshme, pasi Elbasani ka qenë pranë kësaj nisme dhe e ka ndjekur në vazhdimësi grevën e universiteteve të tjera, por jo duke braktisur mësimin. Ndërsa pas marrëveshjeve ndërmjet qeverisë dhe pedagogëve, universiteti ka marrë zemër të deklarojë edhe mendimin për kërkesat e shpallura dhe tashmë në rrugën e zgjidhjes.

Konviktet, 200 nxënës bojkotojnë mësimin

Nxënës të mbërritur nga rrethet në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja dhe në atë artistike kanë vendosur të bojkotojnë orën e parë të mësimit, për shkak të kushteve në konvikt. Kanë qenë rreth 200 konviktorë, që kanë mbështetur këtë iniciativë, e cila ka vazhduar për një orë dhe më vonë është ndërprerë nga mësuesit e shkollave. Në kërkesat e nxënësve renditeshin në kushtet më minimale të konviktit si funksionimi i sistemit të ngrohjes, i ndriçimit dhe furnizimi i dusheve, të cilat kishin disa javë që nuk funksiononin. Sipas drejtorit të konviktit, Shyqyri Dakoli, kërkesat e nxënësve janë të drejta, por mungesa e energjisë elektrike i faturohet rrjetit elektrik, i cili nuk përballon ngarkesën, pasi nxënësit ngrohen me anë të energjisë. Në fakt ngrohja e godinës së konviktit është parashikuar me kaldajë dhe investimet për rikonstruksionin e konviktit kanë përfshirë edhe kaldajën. Kaldaja nuk funksionon, pasi nuk ka patur karburant, gjë që duhet të parashikohej nga Qendra Ekonomike e Arsimit.

PNUD prezanton raportin mbi rajonin e Dibrës

Peshkopi, 57% janë të papunë

Në Peshkopi 57 për qind e forcës aktive është e papunë dhe më tepër janë femra sesa meshkuj. U prezantua raporti i parë për Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit në rajonin e Dibrës “Nxitja e Zhvillimit Lokal nëpërmjet Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit”. Ministra të kabinetit, deputetë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe përfaqësues të Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, përfaqësues të vendeve donatore morën pjesë në prezantim. Sipas këtij raporti papunësi urbane është tepër e lartë, një prej më të lartave midis rajoneve. Në qytete afërsisht 57% e forcës aktive për punë është e papunë dhe këto raporte janë më të larta për femrat krahasuar me meshkujt. Në zonën rurale të rajonit, afërsisht 39% e familjeve përmbushin kushtet e përfitimit të asistencës sociale, gjë e cila i korrespondon afërsisht 38% të popullsisë, ndërsa rreth 21% e familjeve kanë të paktën një anëtar në emigrim sezonal ilegal, të cilët arrijnë të sjellin fare pak të ardhura.

PAPUNËSIA

.Në fshatra: 39% e familjeve përmbushin kushtet e përfitimit të asistencës sociale, ose rreth 38% të popullsisë

.21% e familjeve kanë të paktën një anëtar në emigrim

ARSIMI

.1/5 e nxënësve në fshatra studiojnë në klasa të përziera

.35% e mësuesve në shkollat e fshatit nuk kanë kualifikim

.40% e shkollave të fshatit janë në kushte të këqija

.Në rajonin e Dibrës, pyjet zënë afërsisht 66% të sipërfaqes

Në janar hyjnë në fuqi çmimet e reja të ilaçeve

Hapen ofertat e çmimeve të barnave

Firmat prodhuese farmaceutike paraqitën çmimet e tyre për barnat e regjistruara dhe për ato që rimbursohen. Dje u mblodh Komisioni i Barnave, që bëri hapjen publike të dosjeve të firmave të paraqitura. Sipas Ligjit të Ri të Barnave, dosjet e dërguara në Ministri duhet të hapen publikisht, pasi vitet e kaluara këto çmime i ndryshonin punonjësit, duke bërë favorizime. Më pas Komisioni i barnave do të hartojë listën e çmimeve për secilin, ku do të kihet parasysh çmimet e deklaruara, ato me të cilat janë importuar, të regjistruarat në QNKB, Qendrën e Kontrollit të Barnave dhe ato të vendeve të rajonit. Këto çmime në fund të muajit dhjetor do t’i paraqiten për miratim Këshillit të Ministrave dhe hyjnë në fuqi në muajin janar. Sipas drejtorit të Farmaceutikës në Ministri, firmat prodhuese bëjnë shumë pak ndryshime në çmimin e barnave nga viti në vit, ndërkohë që duke zgjedhur firmat që paraqesin çmimet më të ulëta, sidoqoftë pritet të ketë ulje çmimesh, që do të ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetin e përcaktuar për barnat e rimbursuara dhe në xhepat e shqiptarëve.

Llojet e barnave

Barna të rimbursuara 100% të alternativës së parë 341 copë

Gjithsej me gjithë alternativat 750 copë

Barna të regjistruara 3400

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›