E Hënë, 2 Nëntor 2026

E shet për 20 mijë lekë, martohet me të në qeli

09/12/2004  TIRANË –Martesë pas semaforit. Prova e kësaj tani gjendet pas hekurave të burgut. E trafikuar, e shitur për 20 mijë lekë, tani bashkëshorte e tutorit në qelitë e burgut të Tiranës. Fabula nuk ka mbaruar ende. Nisi si një marrëveshje. Së pari, vajza e ndjen veten të zhgënjyer dhe provon të hakmerret, duke bërë kallëzim në polici. "Princi" që i premtoi martesë, e shiti. Por më pas tutori i saj bën të pamundurën të zbusë situatën, madje, pranon të bëjë edhe kompromise vetëm për të shpëtuar nga dhomat e burgut. Më 7 korrik, ai bën celebrimin në qeli me Afërditën dhe dje ka paraqitur në sallën e gjyqit certifikatën, që i njihte të dy si burrë e grua.

Çifti

Kështu ka ndodhur me të pandehurin Ervin Premçi dhe vajzën e trafikuar për dy vjet në rrugët e Italisë, Afërdita Mullameti.

Ervin Premçi ka lindur në Burrel dhe banon prej disa vitesh në Shkozet, Durrës. Me dokumente figuron beqar. Por para gjykatës thotë me zë të plotë se është i martuar, por Prokuroria nuk dëshiron që ta besojë. Ka lidhur kurorë gjatë kohës që ka qenë në burg. Ndonëse nuk ka patur dëshmitarë dhe nuk është paraqitur në gjendjen civile. Pohon se kjo ka ndodhur në korrik të këtij viti. Vajza me të cilën është martuar e ka denoncuar dhe ai është arrestuar në fillim të janarit bashkë me tre persona të tjerë. Ajo e ka akuzuar për veprën penale të trafikimit. Por me këtë mendje, Afërdita Mullameti ka qëndruar deri në datën 7 korrik 2004, ditë kur u bë edhe sigurimi i provës para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në këtë ditë, vajza e trafikuar në semaforët e Italisë ka ndryshuar thëniet. Këtë gjë e bëri, pasi kishte marrë premtimin nga Ervin Premçi se do të fejoheshin. Prokurori Altin Dumani kërkoi prangosjen e vajzës për dëshmi të rreme. Ndërsa, Premçi shprehet se vazhdon të jetë i martuar me këtë vajzë, ndonëse jo ligjërisht.

Akuzohen për tutorë

Ervin Premçi, Agim Hoxha nga Durrësi, Altin Rushiti nga Fieri dhe Gjergji Xherahu nga Durrësi, janë të pandehurit, të cilët u vunë në pranga pas kallëzimit që bëri në polici Afërdita Mullameti, nga një fshat i Dibrës. Për ta dje ishte seanca e parë gjyqësore. Kallëzimi është bërë në datën 26 janar 2004, në Dibër. Ndërkohë, në datën 5 shkurt, Gjykata e Dibrës e kalon për kompetencë te Krimet e Rënda. Vajza ka pretenduar në kallëzimin e saj se është trafikuar në Itali për qëllime përfitimi nga viti 2002 deri në fillim të vitit 2004. Historia e saj e ka zanafillën në verën e vitit 2001. Vinte nga Dibra për të bërë plazh në Durrës. Aty njihet me të pandehurin Ervin Premçi. Ky i fundit i premton se shumë shpejt do të takoheshin dhe ai do të fejohej me të. Por kaloi një vit dhe asgjë e re. Kështu në verën e vitit 2002, vajza nga Dibra niset përsëri në Durrës. Gjen shtëpinë e Premçit, i cili detyrohet ta strehojë te shokët e vet. Lidhet me të pandehurit e tjerë, Hoxha dhe Xherahu. Deri sa gjen shtetasin nga Fieri, Altin Rushiti. Te Rushiti, Ervin Premçi e shet vajzën për 20 mijë lekë. Ndërkohë, Rushiti qëndron me Afërditën në hotel "Ardenica" deri sa në bashkëpunim me dy të pandehurit e tjerë bëjnë dokumentet gati dhe e nisin në Itali.

Provat e Prokurorisë

Për të vërtetuar akuzat e ngritura, prokurori Altin Dumani, solli si prova disa përgjime që janë kryer midis vajzës së arrestuar më 7 korrik të këtij viti dhe babait të saj, Hekuran Mullameti. Përgjimi ka qenë mjedisor, tha prokurori. Vajza, pasi është prangosur për akuzën e dëshmisë së rreme është lënë në takim me babain e saj. Aty ajo ka treguar se tërhoqi kallëzimin që ka bërë në polici, pasi i pandehuri Premçi i premtoi për martesë. Ndërsa si dëshmitare para gjykatës do të pyetet një vajzë e quajtur Eglantina Kovaçi. Kjo vajzë ka qëndruar me Afërditën, pasi u shit nga Ervini.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›