Lamtumirë private për Giulio Andreotti-n. Nishani mesazh ngushëllimi
Itali-Giulio Andreotti, 7 herë kryeministër i Italisë përcillet në banesën e fundit në Romë, përmes një ceremonia private mortore.
Andreotti vdiq dje në mesditë në moshën 94-vjeçare pas 50 vitesh aktiviteti intensiv në jetën publike italiane. Ai ka thyer rekordin politik, duke qenë 7 herë Kryeministër.
Ditën e sotme Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shprehu pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të senatorit të përhershëm italian, Giulio Andreotti. Në mesazhin e ngushëllimit të postuar në faqen zyrtare të Presidencës, Bujar Nishani shkruan:
Lajmi se senatori i përjetshëm Giulio Andreotti ndërroi jetë më ka prekur thellë, mua dhe popullin shqiptar.
Andreotti do të kujtohet me një respekt të merituar, si një politikan me një karrierë të gjatë dhe të pasur politike, si një personalitet i shquar dhe me vizion, i cili e lidhi emrin e tij në mënyrë të pazgjidhshme me fatin e Italisë së gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, duke lënë gjurmë në momentet kryesore të saj, madje duke formësuar politikën italiane sipas modelit të tij.
Me këtë rast, i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta popullit mik italian, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të tij.