E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë serialit të mistereve në ishull Lost

Një lajmërim për të gjithë ata që navigojnë pareshtur në internet për të zbuluar të vërtetat. Mos u lodhni të kërkoni në ueb sekretet e serisë së fundit dhe aq shumë të pritur të “Lost”, seriali i mistereve që të dielën mbyllet përfundimisht në Amerikë. A do të shpëtojnë njerëzit e ishullit? A do të dalë e mira mbi të keqen? Kush janë të tjerët që popullonin atë shkëmb që dukej i shkretuar? Po tragjedia ajrore në fillim a ka ndodhur vërtet? Që nga koha e Adamit dhe Evës, ata që ndjekin “ndërgjegjen dhe virtytet” dëbohen nga Parajsa. Por kësaj here molla e mëkatit duket vërtet se lulëzon në mes të një ngjarjeje të ngjizur nga Carlton Cuse & Damon Lindelof, një çift shumë i suksesshëm, që prej gjashtë vjetësh kryqëzon jetët e tanishme, ato të kaluara dhe të ardhme të këtyre 15 të mbijetuarave nga një aksident ajror në serialin më të famshëm dhe më të kushtueshëm të televizionit: 14 milionë dollarë për serinë e parë të 22 shtatorit të vitit 2004. Jo, mos u përpiqni të nxirrni në shesh të vërteta: do të përfundoni vetëm duke u infektuar me ndonjë virus elektronik i quajtur “My security engine”. Siguria që ai premton, tamam si në ndonjë seri të “Lost”, në të vërtetë është një kurth që mund t’ua shkatërrojë kompjuterin. Ekspertët e informatikës kanë hedhur alarmin, por tani është shumë vonë: nëse shkruan në “Google”, “Lost finale season”, 187 milionë artikuj do t’iu bëjnë të ndiheni më pak vetëm, më pak të humbur. Por përgjigjen e saktë nuk e gjen askund. Gjashtë vjet nga debutimi, fundi i serialit më misterioz të televizionit vazhdon të mbetet mister. Cuse & Lindelof betohen se ata e kanë nisur kështu, duke përgatitur episode fillestare, pa e ditur se ku do të arrinin. Sipas kritikës, që nga koha kur serialet televizive quheshin telefilma, nuk kishte kaq shumë interes për fundin e tij. ABC, televizioni që e transmeton dhe e ka ndaluar shikimin e “Lost” për personat nën 14 vjeç, ka fituar jo vetëm famë, por edhe shumë para nga ai serial për gjashtë vjet. Reklamat gjatë pauzave të tij kushtonin një djall e gjysmë. Pas tij, një nga serialet e reja të ABC që quhet “No ordinary family”, tregon historinë e një familjeje me pushime në Amazonë, e cila përfshihet në një tjetër aksident ajror. “‘Lost’ ka ndryshuar televizionin përgjithmonë”, ka deklaruar në mënyrë pak modeste Matthew Fox, heroi më popullor i sagës. Sigurisht që ky serial televiziv i ndryshoi jetën. Tani është një yll kinemaje. Dhe jo vetëm mes “Losties”, siç e quajnë miliona fansat këtë serial. Këtë vit u fut në skenë edhe Shtëpia e Bardhë, për shkak të revoltës së tyre në ueb. Zëdhënësi i Presidentit amerikan, Robert Gibbs, është prezantuar më 2 shkurt përpara gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë, duke theksuar se nuk do të kishte përplasje mes orarit të fjalimit të kreut të shtetit dhe serialit të njohur. “Me fjalimin e tij për shtetin përpara Kongresit, Presidenti Barack Obama nuk do të vendosë në rrezik transmetimin e pjesës së parë të sezonit të gjashtë dhe të fundit të ‘Lost’”, është shprehur Gibbs. “Rrini të qetë, nuk mund të parashikoj një skenar ku miliona persona shpresojnë të shohin më në fund një zgjidhje për ‘Lost’, që të pengohen nga Presidenti. Fjalimi do të shtyhet për një tjetër orar”, u shpreh ai. Por problemi është se edhe pas 18 episodeve të sezonit të fundit nuk ka filluar të shihet ndonjë zgjidhje. Shumë bojë është harxhuar për të justifikuar suksesin e “serialit me subjekt të pamundur”, ku e tashmja kryqëzon të shkuarën dhe universi zbulohet në botë paralele. Aventurat e të mbijetuarve në ishull rrjedhin së bashku me përvojat e jetës së jetuar para rrëzimit të avionit, falë një loje “flashback”-u që ka befasuar edhe një nga “mbretërit” e filmave fantastiko-shkencorë, George Lucas. Babai i “Lufta e yjeve” i ka uruar krijuesit e këtij seriali për mënyrën se si janë zgjedhur në atë labirint hapësire dhe kohe: “Nuk mendoj se jam i vetmi që po them se nuk kam arritur të shoh se çfarë fshihej pas cepit”. Vërtet që nuk është i vetmi. Po vërtet as autorët nuk e dinin se ku do të dilnin? Lucas thotë gjithmonë se “tani që fundi po afron, na bie që të shohin gjithçka që ishte përgatitur më përpara”. Askush nuk e priste këtë sukses të jashtëzakonshëm me 16 milionë telespektatorë në sezonin e parë. Por në gjashtë vjet, të braktisurit e ishullit kanë arritur të humbnin 4 milionë fansa të lodhur nga fundi që ende nuk po del në dritë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›