Lloyd Blankfein: Princi i kapitalizmit-kazino
Ai mund të mendojë për veten se është thjesht “një bankier i zakonshëm që bën punën e Zotit në Tokë”, siç është shprehur dhe vetë, por në imagjinatën e popullit, Lloyd Blankfein, është shndërruar në mishërimin e djallit. Kompania që ai drejton, banka e investimeve “Goldman Sachs”, është shndërruar në simbolin e gjithçkaje të errët, të mbrapshtë e lakmitare, që lidhet me “Wall Street” në përgjithësi dhe biznesin e investimit bankar në veçanti. Shefi ekzekutiv i “Goldman” e ka gjetur veten befas në mesin e një situate kritikash e akuzash, që së fundi po shigjetojnë bankën dhe tërë veprimtarinë e saj para dhe gjatë krizës financiare. Në fakt, ajo çka i ka bërë njerëzit dhe më të kënaqur dhe madje i ka revoltuar, është një nga deklaratat e fundit në media të shefit që pretendon se po bën “punën e Zotit”. Në fakt, bëhet fjalë për një deklaratë që ai e bëri me pak humor, që jo rrallë e ka shpëtuar nga situata të vështira. Në fakt, të tilla Blankfein ka pasur shumë në jetë, që nisi si jeta e çdo djali që lind dhe rritet në një familje e lagje të varfër, por që befas ndryshon 360 gradë. Ngjitja e tij në majat e pushtetit është në njëfarë mënyre ajo që deri para krizës financiare njihej nga të gjithë si koncepti i “ëndrrës amerikane”. Lloyd lindi në një familje hebreje, në rrethana modeste në një lagje në periferi të Bronksit, në shtator të vitit 1954. Në moshën 3-vjeçare, familja u zhvendos në një tjetër lagje, atë të Bruklinit, ku i ati zuri një punë në zyrën e postave, pasi kishte humbur më parë punën si shofer kamioni. Lloyd vetë e quajti këtë lëvizje të të atit nga një lagje në tjetrën si shumë “të zgjuar” dhe puna që ai zuri solli shumë ndryshime. E ëma e tij ishte recepsioniste për një kompani që shiste alarme për shtëpitë. I rritur në një mjedis të varfër dhe pa shumë mundësi, nuk është aspak e çuditshme që Lloyd nisi që të punonte hershëm. Punën e parë e filloi kur ishte 13 vjeç, si shitës pijesh freskuese në stadium. “Më kujtohet kur ndërsa ecja nëpër shkallët e stadiumit të mbushur me tifozë, njerëzit më kërkonin për të pirë dhe atëherë e kisha shumë të vështirë që të mbaja në duar tabakanë shumë të rëndë për mua, që ishte e mbushur me kanoçe. E ndërsa ngarkoja këto pije, i premtova vetes që do të bëja ç’është e mundur që të mos ta kaloja jetën duke bërë vazhdimisht punë të rëndomta, për t’u shërbyer të tjerëve, siç bënë prindërit e mi”, ka deklaruar Lloyd në një intervistë televizive, ndërsa fliste për vitet e fëmijërisë dhe rinisë së hershme. Por në thelb, ai ishte shumë i dhënë pas parasë, madje që kur shiste kanoçet me pije numëronte çdo qindarkë të fituar dhe vinte mendjen në punë se si mund të fitonte të tjera me çdo kusht. Kjo etikë pune dhe aspirata e tij e madhe për të bërë gjithçka, për të pasur para do t’i shërbenin shumë mirë në rrugën e gjatë dhe të vështirë të financave dhe bankave të fuqishme. Lloyd u diplomua shkëlqyeshëm në shkollë të mesme dhe kjo bëri që të fitonte një bursë studimesh në Harvard për ligje. Shumëkush mund të pyesë se si ia doli që të paguante kostot marramendëse të një shkolle të tillë dhe përgjigjja është se ato iu paguan falë një kombinimi të bursave dhe ndihmës financiare të shtetit. Me të mbaruar universitetin, ai gjeti menjëherë punë në një firmë në Los Anxhelos, ku u mor menjëherë me çështjet e taksave në industrinë e filmit dhe spektaklit. Edhe pse tashmë kishte bërë ndryshime të mëdha në jetën e tij, duke u shndërruar nga një djalë i varfër në një nëpunës të rëndësishëm me një shkollim të shkëlqyer, Lloyd nuk hoqi dorë nga zakonet e këqija. Princi i “kapitalizmit të kazinove” për shumë kohë pasi mbaronte ditën e punës, së bashku me një shok, e kalonte kohën duke luajtur Blackjack nëpër kazinotë e Las Vegasit. Madje për një kohë, ky hobi u shndërrua për të në një mënyrë jetese shumë të preferuar. Kur dy vjet më parë një gjë e tillë u bë publike, njerëzit e marrëdhënieve me publikun në bankën “Goldman Sachs”, që po përgatiteshin ta vendosnin LLoyd në krye të saj, pas ikjes së Hank Paulson, sigurisht që u befasuan dhe mbi të gjitha u tmerruan nga ky zakon i së shkuarës së shefit të ardhshëm. E megjithatë kjo nuk e ndaloi Lloyd që të arrinte majën në këtë bankë të fuqishme investimesh të “Wall Street”. Siç ka thënë edhe vetë ai, e mori postin në dorë pas një dëshire të madhe që kishte pasur gjithmonë për të bërë përpara në majat më të larta të biznesit të bankave të investimeve. Por rruga për në krye të këtij biznesi nuk ishte aspak e lehtë. Në përpjekjet e para për të filluar punë në “Goldman Sachs”, ai u refuzua në disa nga proceset e seleksionimit të bankës. Bëhet fjalë për procese seleksionuese komplekse dhe të ndërlikuara. Për të zënë një vend pune të rëndësishëm në këtë bankë investimesh duhet veç të tjerash të kalosh përmes 15 intervistash, në mënyrë që të gjithë ata që e marrin kandidatin në pyetje të binden për aftësitë dhe domosdoshmërinë në punët e bankës. E ndërsa u refuzua në procesin e rregullt të intervistave, Lloyd nuk hoqi dorë dhe vendin e punës e fitoi “nga dera e pasme”, duke gjetur një vend si shitës ari. Në këtë post, ai pati që në fillim shumë sukses, duke përfituar ndërkohë edhe shpërblime të majme pas ristrukturimit të borxhit të një klienti të pasur arab. Megjithatë për shefin e madh qarkullojnë shumë anekdota për mënyrën se si i fitonte paratë gjatë atyre viteve kur merrej me arin. Gjatë 27 vjetëve që ai punoi në këtë bankë, 24 vjet ai qëndroi tërësisht në hije. Por të ngjisësh shkallën më të lartë të një organizate financiare si “Goldman Sachs” nuk është aspak një ndërmarrje e lehtë, qoftë edhe për një njeri me durim e këmbëngulje të madhe si Lloyd. E megjithatë ai ia doli mbanë. Sigurisht që kjo kërkon këllqe të forta dhe vendosmëri të pamëshirshme në disa raste. E përmes viteve dhe përpjekjeve, Lloyd e perfeksionoi artin e tij. Krahasuar me vite më parë, pamja e tij e jashtme ka ndryshuar padyshim. Lloyd nuk është më ai burri mjekrosh që nuk linte asnjë mbresë, por tashmë pa flokë, vishet me kostume firmato dhe mban trupin në formë. Ai e konsideron veten si një komunikues të zotin. Ndaj kur banka e tij u akuzua për mashtrimin e klientëve, ai mprehu gjuhën për të dalë në mbrojtje të moralit të institucionit që ai drejton, duke përsëritur vazhdimisht para shtypit të njëjtën fjali: “‘Goldman Sachs’ nuk ka kryer dhe nuk do të kryejë kurrë asnjë lloj aktiviteti të gabuar ndaj njerëzve”.
Dëshira për të luftuar kundër medias shfaq një tjetër aspekt të karakterit të Lloyd. Ai është një “bishë” e ndryshme krahasuar me paraardhësin e tij, Paulson, i cili synonte gjithmonë që të përdorte diplomacinë dhe konsensusin në zgjidhjen e çështjeve të vështira dhe që për veten e tij kaloi në mënyrë shumë graduale nga bota e biznesit në politikë, duke u bërë para dy vjetësh shefi i Thesarit amerikan, në muajt e fundit të administratës së Bush-it. E ndërsa kostumet e shtrenjta dhe pamja e jashtme mund ta kenë ndryshuar disi Lloyd, brenda tij qëndron ende fshehur djali i rrugës, që lufton me të gjitha mënyrat dhe mundësitë për të fituar një cent më shumë.
Për momentin, banka pas shumë problemeve të tjera, po përballet edhe me një krizë të vërtetë të imazhit. Kjo ka qenë e pashmangshme, duke qenë se banka, në mënyrë të vazhdueshme, ka qenë karakterizuar nga mënyra e shfrenuar me të cilën janë shpërblyer shefat dhe punonjësit e saj, edhe në mesin e krizës financiare, duke ngjallur një revoltë të vërtetë te njerëzit e zakonshëm që ishin humbësit e mëdhenj të kësaj situate të rëndë. Vetë Lloyd, në vitin 2007, mori si shpërblim vjetor shifrën marramendëse prej 65 milionë dollarësh, që shënoi edhe një rekord të papërsëritshëm të shpërblimit të marrë ndonjëherë nga ndonjë shef i lartë banke në “Wall Street”. Por në dy vitet që pasuan, ai u tregua “më modest”, duke futur në xhep si shpërblesë vjetore vetëm 10 milionë dollarë. Për të mos folur për drejtuesit dhe punonjësit e tjerë, të cilët gjithashtu janë ndër më të shpërblyerit e sistemit bankar. Por ndërsa të gjithë ishin të shqetësuar me krizën dhe me fitimet e stërmëdha që banka vazhdoi t’i kishte edhe dy vitet e fundit të këqij, pakkush e çoi nëpër mend se kjo makutëri kishte shkaktuar imazh jashtëzakonisht të keq te masa e njerëzve. Dhe tashmë në lojë nuk është vetëm imazhi, por vetë ekzistenca e bankës, që së fundi është akuzuar për mashtrim dhe afera të paligjshme në kurriz të klientëve të saj. Sipas vetë shefit, klientët janë prioriteti i bankës, por faktet e fundit dhe akuzat tregojnë qartë të kundërtën. Për njerëzit e “Goldman”, mbi gjithçka dhe mbi të gjithë, është vetë “Goldman” dhe gjithë ushtria e punonjësve ambiciozë e lakmitarë që punojnë në këtë institucion. Sa për Lloyd, në betejën e sapofilluar dhe aspak të lehtë për të kundërshtuar akuzat, ai si njeri i shquar për aftësinë e analizës dhe parashikimit të riskut ka ndërmarrë lojën më të rrezikshme të karrierës dhe jetës së tij. Ndërkohë ka thyer një nga rregullat e arta, por të pashkruar: mos u gric kurrë me një rregullator. Sepse një institucion rregullator si Komisioni i Shkëmbimeve ka nisur tani kryqëzatën ndaj bankës. Sipas analistëve, banka është në pozicionin më të vështirë që nga krijimi i saj. Të shumtë janë ata që e shohin të humbur si po të marrë një kundërsulm të ashpër, e si të mos reagojë. E kur banka të marrë verdiktin e drejtësisë, rebelimi do të jetë edhe veprimi i fundit i Lloyd në postin e lartë.
#