MASH: Abetare dhe Histori për fëmijët e emigrantëve
Tafaj: Shpejt do të shpallim konkursin për të zgjedhur autorët e teksteve
Për fëmijët e emigrantëve shqiptarë do të hartohen libra të veçantë të Abetares dhe të Historisë së Shqipërisë. Ka qenë ky premtimi që ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, i ka dhënë Forumit të Komunitetit Shqiptar në Angli të përbërë nga 14 shoqata gjatë një vizite që ka zhvilluar në Britaninë e Madhe.
Në këtë takim, ministri Tafaj u njoh me situatën e mësimdhënies dhe mësimnxënies të fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Angli. Ai premtoi shumë shpejt përgatitjen e një teksti të veçantë për nxënësit shqiptarë atje duke u shprehur se: “Do të hartojmë me një grup ekspertësh, si dhe me angazhimin e mësuesve emigrantë, një tekst të veçantë dhe të mirëfilltë të librave të Abetares dhe Historisë së Shqipërisë, për të qenë sa më tërheqës për fëmijët që jetojnë dhe mësojnë jashtë Shqipërisë”.
Për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve shqiptare kudo që ndodhen, ministri Tafaj, theksoi se, ky tekst do të jetë i hartuar në nivele bashkëkohore dhe në bazë të teknologjisë së informacionit.Kreu i arsimit shpjegoi se shumë shpejt do të shpallet edhe konkursi për të përzgjedhur autorët që do të hartojnë këto tekste.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Forumit të Komunitetit Shqiptar në Angli, sugjeruan futjen në sistemin shkollor të gradës së notës së gjuhës amtare. Ata kërkuan gjithashtu edhe mbështetjen e MASH-it për trajnime të të gjithë mësuesve që japin mësim në klasat shqiptare jashtë vendit.Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, shprehu më tej angazhimin e tij se do të intensifikohet trajnimi nga ana e specialistëve të MASH-it, për t’i ardhur në ndihmë rreth 100 mësuesve shqiptarë që japin mësim në klasat shqiptare në Angli.
Në Britaninë e Madhe jetojnë rreth 100000 emigrantë shqiptarë, prej të cilëve 1000 janë fëmijët që mësojnë gjuhën dhe historinë e Shqipërisë në klasat shqipe. Këto 14 shoqata të Forumit të Komunitetit Shqiptar në Angli operojnë në projekte të ndryshme për të gjithë komunitetin shqiptar jashtë atdheut, por kryesisht në shkollat shqipe atje. Në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Londër, Ministri Tafaj u takua edhe me studentët shqiptarë që studiojnë në Universitetet Britanike. Duke u ndalur në pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë në Fondin e Ekselencës, Tafaj, theksoi objektivin e institucionit të arsimit në Shqipëri, ku çdo student shqiptar të ndihet një student i mirëfilltë europian. Rëndësi të veçantë ministri Tafaj i kushtoi edhe bashkëpunimit midis universiteteve, duke krijuar mundësinë e dhënies së leksioneve nga lektorët shqiptarë jashtë vendit në universitetet tona, nëpërmjet video-konferencave.
Ministri Tafaj mori pjesë në forumin botëror “Të mësuarit dhe Teknologjia” që u zhvillua në Londër me pjesëmarrjen e 75 vendeve të botës dhe ministrave të Arsimit. Kjo është veprimtaria më e madhe në botë në nivelin e ministrave të Arsimit, ku shkëmbehen mendime dhe eksperienca për strategjitë dhe politikat e zhvillimit të teknologjive në arsim. Në ditën e parë të punimeve të forumit, ministrat dhe ekspertët e lartë të arsimit nga e gjithë bota i përshëndeti edhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Gordon Brown.
Tafaj u takua edhe me përfaqësues të lartë të Microsoft-it, ku u diskutua mbi mbështetjen që do të japë kjo kompani në të ardhmen, për zhvillimin e teknologjive të informacionit dhe komunikimeve në arsimin shqiptar.
#