E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sistemi i referimit, Vasili: “I jep fund mitmarrjes”



Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka përforcuar edhe njëherë mesazhin se sistemi i ri i referimit që ka filluar të zbatohet në institucionet shëndetësore lufton korrupsionin dhe njëkohësisht ofron një shërbim më cilësor për pacientët. Vendosja e mjekut të familjes në qendër të këtij sistemi dhe përforcimi i rolit të tij është një nga synimet e strukturave të shëndetësisë. “Ky sistem eviton në mënyrë absolute që abuzivisht të kemi një kontakt të drejtpërdrejtë, ndonjëherë me elemente korruptive nga pacientët në njërën anë dhe sistemit shëndetësor nga ana tjetër”, - deklaroi ministri Vasili. Këtë deklaratë kreu i Shëndetësisë e bëri dje gjatë një takimi me mjekë të familjes nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, të cilët kanë marrë pjesë në një seminar ku janë mbajtur dhe referime në lidhje me zbatimin e sistemit të referimit.

Spitali i Durrësit, Hana: “Pagat, 15% më të larta”

Përfshirja e Spitalit të Durrësit në skemën e sigurimeve shëndetësore ka bërë që pagat e personelit të tij të jenë rreth 15 për qind më të larta se të mjekëve të spitaleve të tjera. “Eksperienca e spitalit pilot të Durrësit rezulton shumë pozitive nga ato të dhëna që ne kemi matur në vazhdimësi në këto 11 vjet, gjë që ka bërë të mundur që ai sot të krahasohet pa dyshim me një spital të nivelit terciar shumë dinjitoz. Kjo falë dhe përthithjes së personelit mjekësor me grada shkencore dhe mjaft të kualifikuar”, - tha drejtoresha e Institutit të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana. Këtë deklaratë ajo e ka bërë dje në konferencën e dytë mediko-kirurgjikale që spitali rajonal i Durrësit ka zhvilluar, ku kanë qenë të pranishëm edhe mjekë të spitaleve të tjera të vendit.

Rritja e temperaturave, rrezik për helmimet ushqimore

Rritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka bërë që numri i pacientëve që drejtohen në spitale për shkak të helmimeve ushqimore të jetë i lartë. Në Spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ditët e fundit është rritur numri i pacientëve që janë intoksikuar nga produktet ushqimore. Shumica e pacientëve tregojnë se ushqimin që i ka helmuar e kanë konsumuar në fast–food apo restorante, ku shërbimi dhe higjiena nuk ka qenë në standardet e duhura. Por midis tyre gjen edhe pacientë që ushqimin helmues e kanë marrë në shtëpinë e tyre, duke mos i kushtuar rëndësinë e duhur, nëse ishte i freskët apo jo. Doktorët e Infektivit shprehen se këto janë raste sporadike dhe se gjendja është nën kontroll nga ana e tyre, pasi ende në këtë spital nuk janë paraqitur raste emergjente. Ajo që duhet të kenë parasysh qytetarët në këtë rast është fakti se gjatë stinës së verës numri i pacientëve të shtruar në pavijonet e ndryshme të QSUT-së, kryesisht për shkak të sëmundjeve me orgjinë ushqimore është i lartë. Mjekët shpjegojnë se kjo ndodh për shkak të pakujdesisë që ata tregojnë me ushqimet, të cilat duhen mbajtur në temperaturat e duhura për të qëndruar të freskëta. Këshillat e mjekëve në këto kohë janë gjithmonë të njëjta: të mos konsumohen ushqime të shpejta, të marra në shitësit ambulant apo në objekte të tjera tregtare që nuk plotësojnë kushtet maksimale të higjienës, të konsumohen ushqime të freskëta, të lehta dhe sa më shumë lëngje.

Virusi A/H1N1 është në gjendje “gjumi”
Virusi A/H1N1 që trembi botën vetëm pak muaj më parë ka rënë në “gjumë”, por ekspertët janë në pritje të rasteve të reja për të kuptuar nëse virusi ka pësuar mutacion. Sipas mjekëve, viruset e gripit janë të paparashikueshëm. Në të shkuarën, pandemi të ndryshme janë rikthyer më të fuqishme dhe të dhunshme, ndërsa në raste të tjera virusi është zhdukur. Me sa duket, A/H1N1 do ta lërë botën edhe për disa muaj në ankth, pasi periudha kur mund të rikthehet është ajo e fillimit të vjeshtës.

Ndihma ekonomike, hiqen nga skema 2500 familje

Vetëm për 4-mujorin e parë të këtij viti janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike rreth 2500 familje në të gjithë vendin. Sipas specialistëve të Shërbimit Social Shtetëror, këto familje kanë përfituar ndihmë për një kohë të gjatë në mënyrë abuzive, duke mos i plotësuar kriteret. Vetëm për 4-mujorin e parë të vitit 2010, janar-prill, janë inspektuar rreth 236 njësi të qeverisjes vendore nga strukturat tona të inspektimit në nivel qendror dhe rajonal dhe nga inspektimet që janë kryer janë konstatuar rreth 2500 raste abuzive të familjeve që trajtoheshin në skemën e ndihmës ekonomike”, - bën të ditur nëndrejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Leonard Strazimiri. Ndërkaq, ai sqaron se do të intensifikohen kontrollet në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, pasi përfitimi i ndihmës në mënyrë abuzive, ndikon në masën uljen e masës së pagesës, te ato familje që plotësojnë kriteret. Aktualisht nga skemën e ndihmës ekonomike përfitojnë rreth 97 mijë familje të varfra në qytet dhe në fshat.

31 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›