Të drejtat e ushtarakëve, EUROMIL ofron mbështetje dhe ekspertizë
Misioni i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë
Dr. Kujtim Cako*
Shqipëria gjatë 20 viteve të pluralizmit politik ka arritur të bëjë reforma të pamohueshme për konsolidimin e demokracisë shqiptare, ka arritur të anëtarësohet në NATO, të hyjë në rrugën e anëtarësimit në familjen europiane dhe të liberalizimit të vizave. Në këtë kuadër, Forcat e Armatosura janë të depolitizuara dhe të departizuara dhe kanë një pozitë të veçantë kushtetuese që ruan asnjë-anësinë politike të tyre. Ato kanë hyrë në rrugën e reformimit sipas standardeve të reja euroatlantike që kërkohen sot. Ushtarakët e të gjitha viteve, deri në ditët e sotme, me patriotizmin e tyre të pashoq, duke pasur gjënë më të shtrenjtë Atdheun, mbështetën me të gjitha forcat proceset demokratike në Shqipëri dhe iu bashkuan qëndrimit e veprimit të popullit tonë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa“. U krye departizimi dhe depolitizimi i Forcave të Armatosura, u hoqën strukturat politike partiake, u programuan dhe u futën koncepte të reja perëndimore mbi ushtrinë e kazermës, duke marrë masa për kalimin nga ushtria e pikave të hapjes në atë klasike të kazermës e deri në shkurtimin e reformimin e strukturave të ushtrisë. Ne jetojmë sot në kushtet e një shoqërie demokratike, të një shteti ligjor e së drejtës, por që akoma ka për të bërë për trajtimin social të ushtarakëve. Aktualisht, demokracia e brishtë po forcohet dhe Shqipëria në të ardhmen do të jetë më europiane, më e zhvilluar, më e bukur dhe jeta e qytetarëve do të jetë më e begatë dhe më e sigurt në vendin e tyre.
Pse u themelua AKUSH-i
Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë (AKUSH) lindi si një nevojë dhe realitet i kohës për mbrojtjen më mirë të figurës morale e sociale të ushtarakut dhe për mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Lajtmotivi “Ushtarakë, pa asnjë dallim, të bashkuar, të koordinojmë përpjekjet dhe të kërkojmë të drejtat tona në të gjitha fushat” do të bëhej frymëzim për një grup nismëtar intelektual ushtarakë të nderuar që të arrinin në themelimin e një shoqate me karakter gjithëpërfshirëse për të bashkuar të gjithë ushtarakët pa asnjë dallim. Pra, pikërisht për mbrojtjen më të mirë të figurës dhe dinjitetit të ushtarakut e të familjes së tij, të drejtave morale, sociale dhe ekonomiko-financiare u ndërmor një iniciativë nga një grup intelektualësh të shquar ushtarak me reputacion, nga të gjitha brezat e ushtarakëve, në pension pleqërie, në pension të parakohshëm, në lirim, në rezervë dhe veteranë. Vlen të theksohet se këtu përfshihet edhe një shtresë e veçantë dhe e nderuar, ushtarakë të përndjekur politikë. Këto përpjekje disa mujore, gjatë vitit 2009 u kurorëzuan me sukses me krijimin e një shoqate me rol koordinues, bashkërendues dhe bashkëpunues me misionin e shenjtë ruajtjen e dinjitetit të ushtarakut dhe mbrojtjen e të drejtave ligjore të tyre. Krijimi i një shoqate mbarëkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve lindi si një domosdoshmëri historike, si rrjedhojë logjike e kohës, si një rezultante e shumë faktorëve përcaktues dhe, si një produkt juridik, intelektual në kushte ekonomiko-sociale të caktuara të këtij grupi social të shoqërisë shqiptare. Kjo shoqatë, me një domethënie kuptimplotë, u emërtua “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë“ (AKUSH). Kjo është produkt i një nismë të një grupi themelues ushtarakësh, strategë e intelektualë të shquar, profesorë e doktorë të shkencave ushtarake, ekonomike, historike, juridike dhe te mjaftë fushave të tjera, të cilët i kanë shërbyer jo vetëm Forcave të Armatosura, por edhe mbarë çështjes kombëtare shqiptare. Kjo shoqatë është një bashkim vullnetar i ushtarakëve veteranë, në pension, në rezervë, në lirim dhe aktivë. Njëkohësisht kjo është produkt i tërë përpjekjeve, kërkesave e mundit të shumë ushtarakëve të rangjeve të ndryshme, të cilët vendit të tyre i kanë dhënë gjithçka; rininë plotë privacione, liritë tyre në krahasim me moshatarët , për shkak dhe në emër të atdhedashurisë e patriotizmit të pashoqë. Këta ushtarakë kanë qenë dhe mbeten të përkushtuar në profesionin e tyre, sa të dashur aq dhe të vështirë, duke dhënë tërë jetën e tyre aktive në shërbim të atdheut të dashur. Ushtarakët si pjesëtarë të Forvave të Armatosura përfaqësojnë grupin social ndoshta më të rëndësishëm në shoqërinë e sotme demokratike. Ata me përkushtimin e patriotizëm të jashtëzakonshëm sigurojnë pavarësinë atdheut duke mbrojtur integritetin territorial dhe rendin kushtetues të vendit, duke mbajtur fort pozitën kushtetuese dhe duke ruajtur vlerat e tyre të përcaktuar në statusin e ushtarakut. Ushtaraku ka qenë dhe mbetet një nga figurat më patriote, më fisnike , me të përkushtuar dhe emblema e Republikës së Shqipërisë Ata kanë të shenjtë dhe të shtrenjtë Atdheun dhe japin jetën për Atdheun me betimin para Flamurit Kombëtar. Profesioni i ushtarakut, nuk është thjeshtë si çdo profesion tjetër. Ai përfaqëson një punë të nderuar e plotë sakrifica, plotë privacione të lirive të njeriut, qysh në moshën e rinisë duke përfshirë deri edhe familjen. Ky profesion është sa i vështirë , aq veprimtari e veçantë dhe e rrezikshme për jetën e ushtarakut. Rrezikshmëria për jetën, disiplina e lartë ushtarake, deri te penalitete të veçanta nga Gjykata Ushtarake, e ka shoqëruar tërë jetën ushtarakun. Për çdo ushtarak është e vështirë të japësh definicionin e kohës së punës, mbasi koha e punës ose më mirë e stërvitjes, shërbimit dhe e gatishmërisë luftarake është intensive, me efektivitet të lartë dhe e pakufizuar, e tej-zgjatur sipas urdhrit ushtarak dhe situatës konkrete. Kjo do të thotë që ky profesion është i pakrahasueshëm me punën 8-orëshe të grup-profesioneve civile. Ushtrimi i këtij profesioni është rregulluar juridikisht me ligjin themeltar të shtetit, me Kushtetutën e Republikës si dhe me ligje të veçanta si ligji për Forcat e Armatosura dhe shërbimin ushtarak, ligji për gradat dhe karrierën ushtarake, ligji për Disiplinën Ushtarake, ligji për Statusin e Ushtarakut, ligji për Sigurimin Shoqëror Suplementar dhe me mjaft akte të tjera ligjore e nënligjore që përbëjnë bllokun ligjor të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë.
Bashkëpunimi me EUROMIL
Bashkëpunim ndërmjet EUROMIL-it dhe Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë do të sensibilizoi më shumë mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve shqiptarë.
Pas përpjekjeve disa mujore, ftesës së bërë dhe plotësimit të pyetësorit u bë e mundur vendosja e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis Shoqatës Europiane të Usharakëve, EUROMIL me Aleancën Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, për të shkëmbyer përvojë. Për këtë erdhi në Tiranë nga data 12 deri 14 maj 2010 për një vizitë 3 ditore presidenti i EUROMIL-it zoti Emanuel Jacobs. EUROMIL është forumi kryesor në Evropë e më gjerë për bashkëpunim ushtarak midis shoqatave profesionale për çështjet me interes të përbashkët. EUROMIL është një organizatë ombrellë e përbërë nga 35 shoqata kombëtare ushtarake dhe sindikatat. Organizata është themeluar në vitin 1972 dhe përfshin 25 vende, duke filluar nga Federata Ruse në Lindje, deri në Irlandë në Perëndim, dhe nga Finlanda në veri dhe deri te Malta në Jug të Evropës. Një nga detyrat tona kryesore është për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit, përvojat dhe praktikat më të mira mes shoqatave anëtare. Kjo kërkon që shoqatat anëtare të jenë të inkurajuar që të mbështesin njëri tjetrin në frymën e solidaritetit të ndërsjellë.
Organizata, përpiqet për të siguruar dhe avancuar të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe interesat social-profesionale të ushtarakëve në monitorimin dhe advokimin në negociatat shumëkombëshe, në nivel evropian. Në kuadrin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe me kërkesën AKUSH për bashkëpunim e anëtarësim me EUROMIL synojmë që të përfitojmë:
Së pari, asistencë të gjithanshme profesionale, juridike, organizative, ndihmë për kualifikimin e kuadrove, për krijimin e infrastrukturës së shoqatës, në përputhje me standardet evropiane të kohës. Njëkohësisht, kërkojmë mbështetje avokati juridike, për sensibilizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve shqiptarë edhe në institucionet evropiane deri në Parlamentin Europian, në NATO dhe Gjykatën e Strasburgut.
Së dyti, për të luajtur një rol më të rëndësishëm në jetën publike dhe në forcat e reja të ushtrisë, për evokimin e trimërisë, ndershmërisë dhe besnikërisë ndaj atdheut.
Së treti, për të mbrojtur të drejtat dhe të përmirësojë më tej legjislacionin shqiptar, duke i monitoruar në mënyrë aktive zbatimin e statusit të ushtarakut dhe të ligjeve në këtë fushë.
“Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë” mirëpret ndihmën nga EUROMIL-i apo shoqata homologe për çështjet madhore për të ndërtuar e forcuar kapacitetet menaxhuese, koordinuese infrastrukturën e shoqatës, për ekspertizë në fushën ligjore, të të drejtat tona, për lobin, etj. Me këtë rast, edhe një herë i shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë zotit Emanuel Jacob, presidenti i EUROMIL-it, miku i shoqatës sonë që pranoi ftesën për bashkëpunim të frytshëm, ndërmjet saj dhe Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë.
Statusi i Ushtarakut, shkeljet e rënda gjatë zbatimit
Kuadri ligjor që mbron të drejtat e ushtarakëve që nga viti 1991
Interesat e ligjshme u dëmtuan nga ndryshimet e shpeshta të ligjit
Si u zbatua statusi i ushtarakut
Pozitën juridike të ushtarakut e përcakton ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 12 dhe Statusi i Ushtarakut, - ligji organik që përcakton detyrimet dhe të drejtat jo vetëm të ushtarakut aktiv, por edhe të ushtarakut në rezervë, në lirim dhe në pension. Statusi i parë i ushtarakut, i miratuar në 3 korrik të vitit 1991 ishte pararendës dhe rregullues i proceseve të reformës në Forcat e Armatosura. Ky status dhe i dyti në fuqi aktualisht në vitin 2004, të miratuar me unanimitet të plotë nga parlamenti, jo vetëm rregulluan juridikisht masat e reformës me Forcat e Armatosura, pozitën e ushtarakut dhe sigurimin jetik të tyre, por patën objektiv strategjik futjen e Shqipërisë në NATO , që u bë realitet në prill të vitit 2009. Për të parë se si janë zbatuar disa të drejta ligjore të ushtarakëve mund të sjellim fillimisht në kujtesë të secilit dhe në ballafaqim me statusin disa aspekte
Statusi dhe të drejat
Në nenin 1 të Statusit të Ushtarakut përcaktohet qartë pozita juridike, ekonomiko-financiare dhe sociale, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat e detyrimet dhe kufizimet e ushtarakëve të Forcave të Armatosura, për arsye të karakterit të veçantë të detyrës dhe të shërbimit ushtarak, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tij.
Shërbimi ushtarak konsiderohet juridikisht, në nenin 3, si veprimtari e veçantë, shoqërisht e domosdoshme për ti shërbyer Atdheut dhe interesave të kombit.
Sipas përcaktimeve në nenin 5, pika C, Statusin e fitojnë edhe ushtarakët në rezervë, në lirim dhe në pension.
Në këtë status, në nenin 11 dhe 12 përcaktohet detyra themelore e ushtarakut për mbrojtjen me besnikëri të të drejtave dhe lirive të popullit, duke u betuar para Flamurit Kombëtar. Pra, detyrën ushtaraku e realizon nëpërmjet urdhrit të ligjshëm, të detyrueshëm për zbatim edhe në rast se paraqet rrezik për jetën e tij (neni 13-2).
Nga sa më sipër rezulton që profesioni i ushtarakut është i veçantë edhe në lidhje me kohën e punës, ku përcaktohet që ushtaraku ka detyrë të respektojë orarin e punës dhe ta shfrytëzojë vetëm për kryerjen e saj. Koha e punës dhe shërbimit, orari mund të zgjatet për interesa të shërbimit dhe detyrës me urdhër të eprorit (neni 17-dh). Akoma më tej kur e kërkon misioni dhe situata operacionale ushtaraku punon edhe ditët e pushimit javor dhe festat pa të drejtë përfitimi ose pagese suplementare (Neni 31, 32).
Krahas trajtimit juridiko-ekonomik të mangët, jo të plotë dhe me mjaftë probleme e pasoja negative është evident fakti negativ i mostrajtimit moralë të ushtarakëve. Është fakt i hidhur dhe një paradoks që shumë kuadro të ushtrisë oficere në pension pothuajse të gjithë rangjeve, nga më të ulëtat dhe deri të ish shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare, zëvendësministra, komandantë Korpusi, Divizioni dhe ushtarakë të gjithë hallkave të ndryshme, janë aktualisht pa grada ushtarake.
Problemet e pazgjidhura
Ndryshimet e shpeshta ligjore kanë dëmtuar të drejtat e ushtarakëve. Duhet thënë se ka një numër të madh ligjesh që janë bërë në mënyrë të panevojshme. Çdo 2 vjet është miratuar një ligj duke krijuar një pasiguri juridike.
Gjithë këto ndryshime nuk i kanë shërbyer aspak përmirësimit të trajtimit të ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm nga reforma apo në pension të plotë pleqërie, por kanë sjellë dhe shtuar pasigurinë juridike. Ndoshta, koha e shkurtër për zbatim, intervali kohor nga njëri ligj te tjetri për të nxjerrë aktet e tjera ligjore e nënligjore që burojnë prej tyre, “justifikon” deri diku edhe organet ekzekutive Qeverinë dhe ministritë përkatëse, organet e financës dhe të sigurimeve shoqërore që të mos veprojnë. Është fakt negativ që për 2 dekada, të drejtat e ushtarakëve janë të nëpërkëmbura dhe shfrytëzuar negativisht nga politika, është absurde që parlamenti shqiptar, tempulli i demokracisë dhe ku politika, tërë krahët e saj të votojnë pothuaj unanimisht pro zgjidhjes dhe trajtimit ligjor, ndërsa kjo e drejtë ligjore shkelet nga ana organet ekzekutive. Kjo vjen si rezultat, i një miratim tjetër kontradiktor përsëri në parlamentin shqiptar me procedura të përshpejtuara, pa marrë mendimin e grupit të interesit, pa pyetur asnjë shoqatë ushtarake.
Në këtë lojë politiko - juridike vazhdohet të politizohet dhe nuk zbatohet në asnjëherë statusi i miratuar i ushtarakut, deformohen të drejtat e fituara të ushtarakëve. Kjo shtresë sociale, me vendosjen e ekonomisë së tregut të pronës private, nuk privatizoi asgjë, asnjë metër katëror truall, asnjë letër me vlerë, nuk mori asnjë kualifikim tjetër nga shteti që ta ushtronte një profesion të ri, por nuk mori as pensionin e merituar të tij. Me këtë të ardhur minimale nuk arrin të përballoj aspak koston e jetesës ilaçet dhe ndonjë shpenzim tjetër familjar, rritjen e çmimeve të artikujve të konsumit dhe nevojave më të domosdoshme të shërbimeve, të ashtuquajtur, “artikujt e shportës“ apo deri inflacionin e lekut.
Shkeljet ligjore
Disa nga shkeljet ligjore në të gjitha fushat mbi të drejtat e ushtarakëve, si për pensionet dhe të drejta të tjera të fituara, në trajtën me koncize paraqiten si vijon:
Nuk është zbatuar ligji Nr. 7496 datë 3. 7. l991 dhe Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dispozita organike-bazë nga burojnë edhe shumë ligje e vendime të tjera. Këto janë votuar me 3/5 të Parlamentit, ndërsa ligjet e pensioneve me shumicë të thjeshtë dhe procedurë të përshpejtuar, që si rregull burojnë nga ligji organik.
Nuk është bërë llogaritja e pensionit të ushtarakut sipas kritereve të ligjit mbi Statusin e Ushtarakut sipas pagës referuese të përfituar, viteve të shërbimit dhe sipas kontributeve të detyruara të sigurimeve shoqërore të derdhura. Ky kriter është pothuaj i njëjtë në tërë vendet e zhvilluara të Evropës e më gjerë dhe do të thotë të mos shmanget asnjë cent apo qindarkë në llogaritje, të mos preket aspak llogaria e kontributeve të derdhura të arkëtuara nga organet e sigurimeve shoqërore, të indeksohet me koeficientët përkatës të indeksimit, të mos preket asnjë ditë, muaj apo vit vjetërsi pune, shërbimi. Llogaritja e pensionit është bërë apriori më e ulët nga çfarë i takon çdo ushtaraku, duke hedhur poshtë skemën e llogaritjes, duke vënë kufizime, ”tavan juridiko-financiar”, jo më shumë se 1 pension maksimal, ose 1- 2 pensione minimale në shkallë vendi. Kjo situatë ka vazhduar edhe pas shfuqizimit të këtij kufizimi nga neni 49 i statusit të ri, pra edhe nga data 14 maj 2004 e në vazhdim.
Nuk është zbatuar vendimi Nr. 9, datë 26.02.2007 i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Nuk është paguar pension për asnjë ushtarak pas përfundimit të trajtimit me pagë kalimtare (asistencë) për një periudhë për 6 vjet, nga 01.01.1993 deri 01.01.1999, përjashtim bëjnë vetëm ushtarakët që kanë përfituar asistencë brenda një kohe të kufizuar.
Nuk është paguar pensioni suplementar i pleqërisë që nga 14 maj 2004, caktuar në nenin 36 të Statusit të Ushtarakut dhe neni 15, 16, 29 të ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005
Nuk janë paguar nga buxheti i shtetit kontributet e sigurimeve shoqërore për ushtarakët nga 1.7.1992 deri 31.12.1998, kur kjo periudhë njihet si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të plotë të pleqërisë.
Nuk janë aplikuar të drejtat morale dhe njëkohësisht financiare për dhënien e gradave ushtarake për ushtarakët që janë pa grada. Nuk është bërë njëjësimi apo ekuivalentimi sipas funksionit që ka kryer secili, në bazë të ligjit për statusin e ushtarakut. Kjo pati dhe ka pasoja negative, jo vetëm në vlerat morale të ushtarakut, por edhe në efektet financiare në llogaritjen e pagës referuese dhe të pensionit.
Nuk ka transparencë dhe qartësi në llogaritje të vjetërsisë së shërbimit ushtarak deri në momentin e daljes në pension. Këtu nuk bëhet fjalë aspak për kohën efektive të shërbimit, gatishmërisë luftarake apo të stërvitjes, që në se do të mbahej parasysh do të thotë koha e evidentuar për llogaritje të pensionit të shumëfishohej, pra të indeksohej me një koeficient 2-2.5 herë më shumë. Ky koeficient nuk ka të bëjë me vështirësinë dhe rrezikshmërinë në shërbim, siç ndodh me disa profesione që e kanë pasur 2 dhe tani 1.5, por thjeshtë me kohë zgjatjen efektive në bazë të urdhrave të dhëna nga komandat e njësive dhe të reparteve ushtarake.
Trajtim i diferencuar i theksuar i grupeve të profesioneve ushtarake që aktualisht marrin pension në masën 2- 3 herë më shumë se sa grup profesionet e tjera, kur paga, vjetërsia dhe kontributet sociale të derdhura në vite, kanë qenë pothuaj të njëllojta, në të njëjtin nivel.
Aktualisht, një pensionist merr 12.000 lekë pension pleqërie dhe rreth 17.000 lekë pension të parakohshëm, kurse një pilot apo nënujës rreth 3 herë më shumë. Në praktikë rezulton që në mjaft raste një nënoficer merr 25.000 lekë, pra më tepër pension se një oficer. Ndoshta mundet të bëhej një rregullim duke tentuar në rillogaritje të pensioneve drejt grupeve me pension më të lartë në bazë të logjikës ekomomike dhe juridike të përdorur, për të mbushur këtë boshllëk të krijuar.
Ndarja kohore e grupeve të pensionistëve para dhe pas vitit 1991, para dhe pas vitit 1998 apo 2004 ka krijuar diferencime të theksuara në pensione për të njëjtën punë, për të njëjtin funksion apo gradë ushtarake. Këtu kemi të bëjmë me një kontradiksion sa juridik si shkelje të parimit të barazisë, me pasoja negative financiare në trajtimin e ushtarakëve, aq dhe diskriminim financiar.
Nuk zbatohen drejt trajtimet ekonomiko-sociale si për trajtim shëndetësor në spital ushtarak e gjetkë deri jashtë shtetit; në farmaci për rimbursim ilaçesh; trajtime në shtëpi pushimi të ushtarakëve; favorizime në transport.
Nuk është privatizuar nga asnjë ushtarak asnjë objekt ushtarak për strehimin e ushtarakëve, apo për aktivitete të tjera vetëpunësimi, në zbatim të nenit 38 dhe 39 të Statusit të Ushtarakut.
Nuk ka argument juridik, ekonomiko-financiar dhe logjik për shkeljet e deritanishme për pensionet e ushtarakëve nga organet ekzekutive, por përdoret argumenti absurd politik, “ky është vendim apo qëndrim politik“. Qëndrime të tilla janë reflektuar deri para organeve gjyqësore, që vonojnë nxjerrjen e vendimeve, nuk përgjithësojnë vendimet e tyre si një e drejtë e pamohueshme.
Nuk është zbatuar për rreth 11 muaj ligji i fundit për pensionet e ushtarakëve nr. Nr. 10142, datë 15.05.2009, kur data e hyrjes në fuqi ishte më 27 qershor 2009. Për pasojë nuk është përfituar asnjë qindarkë nga rillogaritja sipas pikës 2 neni 29, kur Gjykata Kushtetuese nuk e pezulloi dhe nuk e ka shfuqizuar këtë ligj.
Kostoja e faturës financiare për ushtarakët
Shuma që i detyrohet shteti ushtarakëve për pensionet e prapambetura
Kohët e fundit Gjykata Kushtetuese nuk arrin të marrë vendim edhe pas debateve të tensionuara, të dalë në mbrojtje të të drejtave ligjore të ushtarakëve, por ”ngrin” pensionet e ushtarakëve për një kohë të pacaktuar. Edhe këtë radhë nuk u përdor argumenti juridik, por, si gjithmonë, u gjet shkaku, se një nga problemet kryesore ishte ”fatura e lartë financiare”, duke rënduar përsëri gjendjen ekonomike të ushtarakëve. Nuk ka argument juridik, ekonomiko-financiar dhe logjik për shkeljet e deritanishme për pensionet e ushtarakëve nga organet ekzekutive, por përdoret argumenti absurd politik, ky është vendim apo qëndrim politik”. Qëndrime të tilla janë reflektuar deri para organeve gjyqësore, që vonojnë nxjerrjen e vendimeve, nuk përgjithësojnë vendimet e tyre si një e drejtë e pamohueshme.
Me ligjin e 15 majit 2009, ulja e pensioneve varijon nga 26% deri në 66% më pak nga sa i takon nga e drejta e fituar prej ligjit organik, nga statusi i ushtarakut.
Kohët e fundit Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë vendim, edhe pas debateve të tensionuara, të dalë në mbrojtje të të drejtave ligjore të ushtarakëve, por “ngrin” pensionet e ushtarakëve për një kohë të pacaktuar. Edhe këtë radhë nuk u përdor argumenti juridik, por si gjithmonë u gjet shkaku, se një nga problemet kryesore ishte ”fatura e lartë financiare”, duke rënduar përsëri gjendjen ekonomike të ushtarakëve. Gjykata Kushtetuese është shprehur me vendimin e formës së prerë me Nr. 9, datë 26.02.2007, duke iu dhënë të drejtë ushtarakëve, por përsëri organet ekzekutive (Këshilli i Ministrave, ISSH, Ministria e Financave dhe ajo e Mbrojtjes) nuk zbatojnë ligjin, me justifikimin absurd se është një vendim politik i tyre edhe pse ka sjellë përkeqësim të nivelit jetik të ushtarakëve. Nuk mund të flitet që ka pasur probleme financiare. Për shembull, termi spekulativ “faturë e lartë financiare” nuk mund të argumentojë, pasi në zbatim të ligjeve të sigurimeve shoqërore në vitin 2005 dhe 2006, janë miratuar fondet përkatëse, dhe respektivisht, 65 milionë lekë të miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr. 384, datë 31.05.2005 dhe 42 milionë lekë, të miratuar me V.K.M., Nr. 459, datë 21.06.2006, të cilat nuk u përdoren për rritjen e pensioneve të ushtarakëve. Pra, nga moszbatimi i dy vendimeve janë “djegur fondet”, gjithsej rreth 107 milionë lekë ose nuk janë përdorur për pagesën e pensioneve të ushtarakëve.
Si pasojë e deformimeve, është llogaritur jo drejt masa e pensioneve të ushtarakëve. Kjo do të thotë se është llogaritur gabim jo vetëm paga referuese, por edhe vjetërsia apo përshtatja me koeficientët e indeksimit. Praktika e deritanishme e organeve të sigurimeve shoqërore flet qartë se kur pensioni për periudhën llogaritëse është më i lartë se 1 apo 2 pensione bazë, nuk merret parasysh. Kjo llogaritje e tillë është gabim pothuajse për të tërë pensionistet e ushtarakëve në pension pleqërie apo pension të parakohshëm. Këtu kemi të bëjmë jo thjeshtë me një llogaritje të gabuar, por me një konceptim të gabuar, apo shkelje flagrante të metodës së llogaritjes së pensioneve, në kundërshtim me kriteret bazë të përcaktuara në ligjin organik për statusin e ushtarakut, të cilat, formalisht janë edhe në ligjin e pensioneve, mbasi kufizimi i mësipërm rrëzon tërë kriteret e mëparshme ligjore të llogaritjes dhe nuk mban parasysh asgjë; as pagën, as vjetërsinë dhe as kontributet e detyruara sociale për pension, të derdhura në vite.
Në fushën e pensioneve të ushtarakëve janë shkelur disa parime kushtetuese, si parimi i barazisë, parimi i së drejtës së fituar, parimi i sigurisë juridike, e të tjera, që Gjykata Kushtetuese është shprehur me vendimin e formës së prerë Nr. 9, datë 26.02.2007, duke iu jep të drejtë ushtarakëve.
Një e drejtë tjetër e mohuar, është pensioni suplementar i ushtarakëve që kanë dalë në pension pleqërie para vitit 1991. Ligji i Sigurimeve Shoqërore i majit të vitit 2009, është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, me argumente të forta juridike nga Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, e paraqitur si palë ankimuese, së bashku edhe me të tërë shoqatat dhe sindikatat e ushtarakëve.
Ligji për Sigurimet Shoqërore për Ushtarakët, historikisht ka qenë i veçantë, i papërfshirë në ligjin e përgjithshëm të sigurimeve shoqërore; Pra, nuk ka pasur shtrirje në kohë dhe lidhje me një bazë të gjerë përfshirëse të grup-profesioneve të ndryshme. Rritja artificialisht e numrit përfitues është duke përfshirë jo-ushtarakë, të cilët nuk bëjnë pjesë në strukturat e Forcave të Armatosura, nuk kanë pozitë kushtetuese, dhe nuk trajtohen me Statusin e Ushtarakut. Për pasojë, llogaritja e “faturës financiare” në total, nuk ka të bëjë vetëm me ushtarakët në lirim nga reforma, në pension, në rezervë, dhe veteranë, por edhe me kategori të tjera si: policët, gardistët, zjarrfikësit, punonjësit e pyjeve, e të tjerë.
Në koncept, “Pension Suplementar për ushtarakët” është i pakuptimtë dhe i gabuar, kur këta nuk marrin atë që iu takon, sipas dispozitave ligjore, sipas Statusit të Ushtarakut, të miratuar për herë të parë në vitin 1991 dhe më vonë, në vitin 2004 dhe që kriteret e tyre janë edhe sot në fuqi, për llogaritjen e pensionit të tyre.
Qeveritë e majta dhe të djathta përfshijnë edhe kriteret teknike, në lidhje me shitjen e një pasurie të konsiderueshme ushtarake, vlerat e arkëtuara deri tan, dhe pse jo, transparente, përfaqësojnë fonde, sipas të dhënave të përafërta që mjaftojnë të përdoren për pagesën e pensionistëve, jo vetëm ushtarakë, por ndoshta, edhe për pensionistët e tërë vendit .
Ekzistojnë edhe burime të tjera financiare, jo pak të konsiderueshme, si dhënia me qira e disa objekteve ushtarake strategjike, në kuadrin e vendeve anëtare të NATO-s.
E drejta e fituar nga ligji-organik “Për Statusin e Ushtarakut”, i cili nuk parashkruhet, nuk humbet, por është cenuar me ligjet e Sigurimeve Shoqërore, me kufizimet në pagesën e pensioneve, me “tavanet juridiko-financiare”, si për shembull, jo më shumë se 1 apo 2 pensione bazë. Kjo ka sjellë nivelim pensionesh në mënyrë krejt të padrejtë. Në vitin 1999, një pesionist në pension pleqërie filloi të marrë 3.800 - 4.000 lekë ( rreth 31 euro) dhe një pensionist ushtarak në pension të parakohshëm mori një pagesë 8.000 lekë (rreth 60 ruro) dhe aktualisht arrin në 100-140 euro për person në muaj.
Efekti financiar i pa zbatuar për 20 vjet nuk do të sillte “faturë të lartë financiare “që diskutohet sot, në se pagesat, sipas ligjeve e vendimeve respektive do të zbatoheshin në kohën e duhur dhe efekti financiar të jetë i ndarë, i veçantë për ushtarakët e Forcave të Armatosura. Nuk mund të trajtohet llogaritja ligjore e pensionit të ushtarakut, në shkelje të parimeve kushtetuese, duke mohuar tërë ligjet e një periudhe afatgjatë, duke përdorur argumente absurde “si përjashtim” ose për “kushtet e një interesi publik apo kërkesat e shtetit social”, si argumente të përgjithshme dhe të gabuara. Kjo do të thotë se shteti social dhe buxheti i tij nuk mund të ndihmohet, duke mos paguar pensionet ligjore të ushtarakëve. Apriori, ky nivelim i pa drejtë nuk mbajti parasysh aspak kontributet e derdhura të sigurimeve shoqërore, të cilat, kanë qenë të diferencuara sipas pagave dhe vjetërsisë së shërbimit respektiv për çdo ushtarak.
Gjyqësori dhe të drejtat e ushtarakut
Vetëm Gjykata Kushtetuese, në vitin 2007 iu ka dhënë të drejtë ushtarakëve. Disa dhjetëra ushtarakë kanë fituar gjyqet në shkallën e parë dhe në Gjykatën e Apelit, me vendime të formës së prerë; si nga Gjykata e Tiranës dhe të rretheve. Këto vendime nuk i kanë zbatuar asnjë herë drejtpërdrejt Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe degët e tij dhe as aktualizojnë kartelat e pensionit të ushtarakëve. Vetëm zyrat e Përmbarimit kanë mundur ti zbatojnë ato. Në tërë botën demokratike në fushën e jurisprudencës ekziston një praktikë e mirënjohur kur një vendim gjykate i jep të drejtë një qytetari ankimues, ai vendim është i vlefshëm për tërë atë grup përfituesish që lidhen me të bëhet një vendim unifikues, pa qenë nevoja të zhvillohen gjyqe të tjera për çdo rast, për çdo ushtarak. Kjo praktikë e drejtë e vendeve të tjera, për fat të keq, nuk gjen zbatim në praktikën e gjykatave të vendit tonë. Këtu do të ishte me vend që organet e larta gjyqësore deri Gjykata Kushtetuese ta shtrijë kompetencën e saj në këtë drejtim, duke ulur burokracinë dhe shpenzimet e mëdha në lidhje me proceset gjyqësore për çdo individ. Për këtë, Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, i ka paraqitur kërkesë organeve të drejtësisë që e kanë kompetencë, por deri tani ka qenë një ndërhyrje e pasuksesshme dalja e një vendimi unifikues.
Si llogaritet pensioni
Masa e pensionit nuk është llogaritur në përputhje me vjetërsinë e shërbimit dhe pagën referuese, e cila ka përfshirë dhe përfshin pagën bazë si dhe gjithë shtesat mbi pagën për funksion apo gradë. Masa e pensionit ka qenë e kufizuar dhe është aktualisht në masën e një pensioni maksimal pleqërie apo dy pensioneve minimale në shkallë vendi.
Nga një llogaritje e përafërt rezulton që pensioni kundrejt pagës referuese të jetë sipas Tabelës Nr. 1:
Pensioni suplementar i pleqërisë si ushtarak, i atyre para vitit 1991 ende nuk u jepet edhe pse kjo e drejtë u ka lindur që më 14 maj të vitit 2004.
E drejta ligjore e fituar në kuadrin e shtetit tonë të së drejtës ka lidhje me të drejtën mbi pronësinë. Kjo do të thotë se çdo ushtarak, si pronar i likuiditeteve të pa paguara për pensionin e tij në vite, nuk mund ti mohohet, nuk mund ti parashkruhet . Shteti si debitor duhet ti paguajë atij, qoftë edhe në formën e një depozite kursimi në bankën e shtetit me të drejtë likuidimi me këste në disa vite. Nga një studim i përafërt rezulton që një ushtaraku nuk i paguhen mesatarisht rreth 10.000 mijë lekë në muaj për person për periudhën që statusi ia jep këtë të drejtë. Po japim një përllogaritje për një ushtarak, sipas të dhënave të kartelës së pensionit, sipas tabelës Nr. 2:
Rillogaritja e pensionit
Vjetërsia 21 vjet
Paga referuese 30 650 lekë
Pensioni 8000 lekë
Shuma e llogaritur prej 2 293 625 lekë është për t`a kthyer personit sipas kartelës përkatëse.
Në lidhje me të drejtën e fituar, sipas kësaj mënyre llogaritje, të ilustruar më lart, mund të japim edhe shumë fakte të tjera për ilustrim nga 80 vendime gjykate të fituara dhe që janë të formës së prerë.
Në kushtet kur Shqipëria është një vend anëtar, me të drejta të plota i NATO-s dhe me pretendimin e ligjshëm për tu bërë anëtare e denjë e familjes europiane, në përpjekje për të plotësuar standardet e BE-së, edhe në fushën sociale, shprehim dhe një herë besimin te organet shtetërore dhe te organet e drejtësisë që me autoritetin dhe me profesionalizmin e lartë, do t´i përgjigjen pozitivisht kërkesës tonë, duke i dhënë fund shkeljes ligjore dhe padrejtësisë shumë-vjeçare në trajtimin me pension të parakohshëm dhe pension të plotë pleqërie të ushtarakëve. Nisur nga rezultatet e shoqatës dhe takimet e zotit Jacob, presidenti i EUROMIL, të bëra në Tiranë me Aleancën Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, me personalitete të politikës, me parlamentarë dhe shtetarë, kemi besim dhe shpresojmë që në takimin e Brukselit, nga fundi i Tetorit 2010, Shqipëria të bëhet vendi 26 -kandidat në këtë organizatë evropiane.
Autori i kësaj specialeje është president i shoqatës “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”
Kostoja financiare që shteti duhet të paguajë për ushtarakët
Në suplementin e radhës, gazeta Albania sjell një analizë të hollësishme të Dr. Kujtim Cako, i cili është president i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve Shqiptarë. Përmes të dhënave, statistikave, shqyrtimit të kuadrit ligjor, udhëzimeve dhe vendimeve të qeverisë, shqyrtohen skemat e pagave dhe sigurimeve shoqërore për këtë kategori. Sipas Dr. Cakos, shteti iu ka borxh shuma të konsiderueshme që arrijnë rreth 2.1 milionë lekë nga aplikimi i skemave të gabuara, të cilat, bien ndesh me Statusin e Ushtarakut apo kuadrin ligjor në përgjithësi. Presidenti i AKUSH flet edhe për misionin e organizatës së tij në mbrojtje të interesave të ligjshme të ushtarakëve shqiptarë dhe bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare të kësaj fushe, me synimin për të promovuar dhe mbështetur politikat që i vendosin ushtarakët dhe ish-ushtarakët tanë me të njëjtat standarde si ato të vendeve të tjera, anëtare të NATO-s.
Kush është Dr. Kujtim Cako
Kujtim Cako ka përfunduar në vitin 1963– 67 shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Në vitin 1967- 71, si student ushtarak ka kryer studimet e larta në universitetin shtetëror të Tiranës dhe është diplomuar “ekonomist i përgjithshëm” me rezultate shumë të mira, duke mbrojtur temën e diplomës “Disa probleme të rritjes së efikasitetit të investimeve në vendin tonë. Vlerësim të mirë mori edhe për kapitullin e veçante ku u trajtua një problem i kohës: “Planifikimi rrjetor” si një nga metodat matematikore të reja, të aplikuara në ekonomi.
Në vitin 1985-88 ka ndjekur kualifikimet pasuniversitare 3-vjeçare, duke u promovuar i pari në fushën e ekonomisë në ushtri me gradën shkencore “Kandidat i Shkencave” dhe më vonë “Doktor i Shkencave” nga dy institucione të rëndësishme: Fakulteti i Ekonomisë më Universitetin e Tiranës dhe Akademia Ushtarake.
Në vitin 1970-92, Cako shkroi disa shkrime të karakterit ekonomiko-financiar në organet e shtypit ushtarak dhe është autor e bashkautor i disa teksteve dhe i disa fjalorëve terminologjikë të Prapavijës në disa gjuhë për Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe Akademinë Ushtarake në Tiranë.
Për shumë vite ka dhënë një kontribut modest shkencor në fushën e kualifikimit të shumë kuadrove të ushtrisë, me udhëheqjen shkencore dhe oponencën e punimeve, që janë promovuar “Kandidat–Doktor të Shkencave” në fushën e Ekonomisë dhe të Prapavijave (Logjistikës) së Ushtrisë shqiptare. Ka marrë pjesë si punonjës shkencor pranë Universitetit të Tiranës, Fakultetit të Ekonomisë dhe Akademisë Ushtarake në mjaft sesione dhe konferenca shkencore kombëtare.
Gjatë karrierës së tij ka qenë zëvendësdrejtor Plan-Financës dhe drejtor Finance në vitin 1981- 87 dhe më vonë ka punuar në funksionin e zëvendësministrit për problemet Ekonomiko-Financiare në ushtri për periudhën 1987-91.
Gjatë viteve 1990-92 mori pjesë aktive në studimin, organizimin dhe zbatimin e një serë masash reformuese dhe demokratizuese në ushtri, si për depolitizimin dhe departizimin e saj, për Statusin e Ushtarakut, për mobilizim-çmobilizimin, etj,. të konkretizuara në ligjet e veçanta, në parlamentin e pare pluralist demokratik.
Që prej vitit 1992 deri në vitin 2005 ka qenë në emigracion në Gjermani ku ka ushtruar aktivitet në kompani të ndryshme, duke punuar si ekspert në sektorin e financës, tatimeve dhe sistemin bankar. Eksperienca dhe aftësitë i dhanë mundësitë që të bëjë njehsimin e diplomës dhe të gradës “Doktor: në Gjermani.
Pas një pune studimore disavjeçare, në vitin 2005 përgatiti për botim librin e rrallë dhe ndoshta i pari me karakter shkencor teoriko-praktik, “Bursa dhe fitimi për të gjithë”.Aktualisht, ai po punon si bashkautor për “Fjalorin Terminologjik të Financës-Bankës-Kontabilitetit” dhe projekte te tjera. Kujtim Cako drejton shoqatën e Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve, ku është me detyrën e presidentit.
31 Maj 2010